Shënime në Blog

Në Gaza Izraeli ka zhdukur familje të tëra palestineze

Në Gaza Izraeli ka zhdukur familje të tëra palestineze

Nga Amira Hass/ Pesëmbëdhjetë familje palestineze, të përbëra nga një apo më shumë breza, kanë humbur të paktën tre, por edhe më shumë, të anëtarëve të tyre prej bombardimeve të Izraelit në Rripin e Gazës nga data 10 maj deri pasditen e 17 majit. Prindër dhe fëmijë, të sapolindur, gjyshër, vëllezër, nipër kanë vdekur së bashku teksa Izraeli ka bombarduar shtëpitë e tyre që iu shembën përsipër. Me sa dihet deri sot, nuk u është dhënë asnjë paralajmërim që do t’i lejonte të largoheshin nga shtëpitë e shënjestruara.

Të shtunën e 15 majit një përfaqësues i Ministrisë palestineze të Shëndetësisë tregoi emrat e 12 familjeve të vrara, secila në shtëpitë e tyre, secila prej një bombardimi të vetëm. Prej atëherë, në një sulm ajror të kryer mëngjesin e të dielës së 16 majit, i realizuar për shtatëdhjetë minuta dhe i drejtuar nga shtëpitë e rrugës Al Wehda në lagjen Rimal të Gazës, u vranë tre familje të përbëra nga 38 persona. Disa prej trupave u gjendën që të dielën në mëngjes. Skuadrat palestineze të shpëtimit arritën t’i gjenin trupat e tjerë dhe t’i nxirrnin nga rrënojat vetëm të dielën në darkë.

Zhdukja e familjeve të tëra gjatë bombardimeve izraelite ishte një nga karakteristikat e luftës së vitit 2014. Statistikat e OKB-së raportojnë se 142 familje palestineze (742 njerëz në total) u vranë gjatë afërsisht pesëdhjetë ditëve të luftës. Episodet e shumta të këtij lloji, ashtu si tani, tregojnë se nuk kishte gabime dhe se bombardimi i një shtëpie, kur të gjithë banorët e saj janë brenda, vjen pas vendimeve të marra nga lart, mbështetur nga miratimi i juristëve ushtarakë.

Një hetim nga shoqata e të drejtave të njeriut B'Tselem, e cila u përqendrua në 70 familje të shkatërruara në 2014, ofron tre shpjegime për vrasjen e kaq shumë njerëzve në bombardimet e kryera nga ushtria izraelite në shtëpinë e secilës familje.

Një arsye është se ushtria izraelite nuk i paralajmëroi paraprakisht pronarët ose qiramarrësit e shtëpive, apo njoftimi nuk u dërgua në adresën e saktë në kohën e duhur nuk u dërgua në kohë.

Prej këtu shfaqet një ndryshim mes fatit të ndërtesave të bombarduara kur banorët e tyre ishin brenda, dhe fatit të "kullave", ndërtesave të larta të prekura duke filluar nga dita e dytë e konfliktit aktual, gjatë ditës ose në perëndim të diellit. Nga sa dihet, pronarët e kullave thuhet se janë paralajmëruar, më së shumti një orë përpara, të largohen nga ndërtesa përmes një telefonate nga ushtria ose shërbimet e sigurisë Shin Bet dhe më pas janë lëshuar "raketa paralajmëruese" me dronë. Këta njerëz duhej të paralajmëronin banorët në atë pak kohë që kishite mbetur.

Nuk u prekën vetëm ndërtesat shumëkatëshe. Në mbrëmjen e 13 majit u bombardua shtëpia e Omar Shurabji, në perëndim të Khan Yunis. Në rrugë u formua një krater dhe një dhomë në atë ndërtesë dykatëshe, ku jetonin dy familje, gjithsej shtatë vetë, u shkatërrua.

Rreth njëzet minuta para shpërthimit, ushtria thirri Khaled Shurabji dhe i tha atij që t'i tregonte xhaxhait të tij Omar të largohej nga shtëpia, sipas një raporti të bërë nga Qendra Palestineze për të Drejtat e Njeriut. Është e paqartë nëse Omar ndodhej aty, por banorët e shtëpisë nxituan të gjithë e kështu nuk pati viktima.

Vetë fakti që ushtria izraelite dhe Shin Bet u shqetësuan të telefononin dhe të urdhëronin evakuimin e shtëpive tregon se autoritetet izraelite kanë numra telefoni të përditësuar të njerëzve në secilën prej ndërtesave të destinuara për shkatërrim. Ata kanë numrat e telefonit të të afërmve të njerëzve të dyshuar ose të njohur si aktivistë të Hamasit ose Xhihadit Islamik.

Regjistri i popullsisë Palestineze, përfshirë atë të Gazës, është në duart e Ministrisë së Brendshme izraelite. Dhe përfshin të dhëna të tilla si emrat, moshat, të afërmit dhe adresat.

Siç kërkohet edhe nga marrëveshjet e Oslos, Ministria e Brendshme palestineze, përmes Ministrisë të Çështjeve Sociale, i transferon në mënyrë të rregullt informacione të përditësuara Izraelit, mbi të gjitha ato që i përkasin të lindjeve dhe prezencës të sapolindurve. Të dhënat e regjistruara duhet të miratohen nga Izraeli, përndryshe palestinezët nuk mund të marrin kartën e identitetit, ose në rastin e më të vegjëlve, nuk mund të udhëtojnë vetëm ose me prindërit e tyre përmes kalimeve kufitare të kontrolluara nga Izraeli.

Pra ështe e qartë se ushtria njeh numrin dhe emrat e fëmijëve, të grave e të moshuarve që jetojnë në çdo ndërtesë rezidenciale që për çdolloj arsyeje vendos ta bombardojë.

Shpjegimi i dytë i B’Tselem mbi arsyen se përse familje të tëra u shfarrosën në vitin 2014 është se përkufizimi i ushtrisë për “objektiv të sulmueshëm ushtarak” ishte shumë i gjerë dhe përfshinte shtëpitë e ekponentëve të Hamasit dhe të Xhihadit Islamik. Këto shtëpi u përshkruan si infrastruktura operacionale ose infrastruktura në shërbim të komandës dhe kontrollit të organizatës, apo edhe infrastruktura terroriste, edhe pse prova e vetme mund të ishte thjesht sepse kishte një telefon, ose brenda tyre ishte mbajtur një takim.

Shpjegimi i tretë, në analizën e B’Tselem të vitit 2014, është se interpretimi i ushtrisë për “dëmin kolateral” ishte shumë fleksibël dhe i gjerë. Ushtria mbështeste atëherë dhe pretendon tani të veprojë sipas parimit të "proporcionalitetit" mes dëmtimit të civilëve që nuk janë përfshirë në konflikt dhe arritjes së objektivit të ligjshëm ushtarak. Kjo do të thotë se ajo vepron në një mënyrë të tillë që në çdo rast "dëmi kolateral" shkaktuar ndaj palestinezëve është i kufizuar dhe i arsyeshëm.

Por kur "rëndësia" e një anëtari të Hamasit konsiderohet e lartë dhe vendbanimi i tij përcaktohet si objektiv i ligjshëm për bombardim, dëmi kolateral "i lejueshëm" - domethënë numri i njerëzve të papërfshirë që mund të vriten, përfshirë fëmijët dhe të sapolindurit - është shumë i lartë. Në bombardimet intensive të tre ndërtesave të banimit në Rrugën Al Wehda në Gaza, para lindjes së diellit më 16 maj 2021, familjet Abu al Ouf, Al Qolaq dhe Ashkontana u vranë. Në të ardhmen e afërt, kur numri i vdekjeve të një familje është kaq i madh, është e vështirë të gjesh një të mbijetuar dhe t'i kërkosh të flasë për secilin person në familje dhe ditët e tij të fundit.

Prandaj na duhet të mjaftohemi me emrat dhe moshat e tyre, pasi ato renditen në raportet ditore të organizatave të të drejtave të njeriut që mbledhin informacione dhe raportojnë, kur i dinë ato, nëse ndonjë nga familjet i përkiste një organizate ushtarake. Deri më tani është e paqartë nëse, dhe cili nga banorët e ndërtesave të Al Ëehda u konsiderua si një objektiv kaq i rëndësishëm sa të "lejonte" shfarrosjen e familjeve të tëra.

Nga familja Abu al Ouf u vra: babai Ayman, një mjek në spitalin Shifa, dhe dy djemtë e tij: Tawfiq, 17 vjeç dhe Tala, 13. Dy të afërm të tjerë: Rim, 41 vjeç dhe Raëan, 19. Pesë trupat e tyre u gjetën pak pas bombardimit. Trupat e tetë njerëzve të tjerë nga familja Abu al Ouf u nxorën nga rrënojat vetëm në mbrëmje. Ata janë Subhiya, 73, Amin, 90, Taëfiq, 80, gruaja e tij Majdiya, 82, e afërmja e tyre Raja (martuar me një burrë nga familja Afranji) dhe tre fëmijët e tyre: Mira 12 vjeç, Yazen 13 vjeç, dhe Mir 9 vjeç.

Gjatë sulmit ajror në këto ndërtesa, Abir Ashkontana, 30 vjeç, dhe tre fëmijët e saj u vranë gjithashtu: Yahya 5 vjeç, Dana 9 vjeç dhe Zin 2 vjeç. Në mbrëmje, trupat e dy vajzave të tjera u gjetën: Rula 6 vjeç dhe Lana 10 vjeç. Raporti i Qendrës Palestineze për të Drejtat e Njeriut nuk sqaron nëse këto dy vajza janë vajza të Abir.

19 njerëz nga familja Al Qolaq u vranë në dy ndërtesat fqinje: Fuaz, 63, dhe katër fëmijët e tij, Abd al Hamid, 23, Riham, 33, Bahaa, 49 dhe Sameh, 28, së bashku me gruan e tij Iyat, 19. Foshnja e tyre gjashtë muajshe Qusay u vra gjithashtu. Një grua tjetër nga familja e gjerë, Amal al Qolaq, 42, u vra, si dhe tre nga fëmijët e saj: Taher, 23, Ahmad, 16, dhe Hanaa, 15. Vëllezërit Mohammed al Qolaq u vranë po ashtu 42 vjeç, Izzat 44 vjeç dhe fëmijët e Izzatit: Ziad, 8 vjeç dhe Adam, 3 vjeç. Dy gra të tjera u vranë: Doaa al Qolaq, 39, dhe Saadia al Qolaq, 83. Në mbrëmje, trupat e Hala al Qolaq, 13 vjeç dhe motrës së saj Yara, 10, u nxorrën nga rrënojat. Raporti i Qendrës Palestineze për të Drejtat e Njeriut nuk sqaron kush janë prindërit e tyre dhe nëse edhe ata u vranë në bombardime.

*Amira Hass është gazetare izraelite që shkruan për gazetën “Haaretz” duke mbuluar çështjet palestineze në West Bank dhe në Gaza, ku ka jetuar për rreth tridhjetë vjet. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.