Shënime në Blog

Një botë më e nxehtë do të jetë një botë më e dhunshme

Përshpejtimi i ndryshimeve klimatike është premtues për ta rindezur debatin. Nëse besojmë se, siç thoshte filozofi francez Montesquieu, nxehtësia e tepërt i shkatërron forcën trupit dhe errëson mendjen, një numër gjithnjë e në rritje i sociologëve, psikologëve dhe kriminologëve paralajmërojnë se moti ekstrem është shkas për krime të dhunshme dhe sjellje kriminale. Dikur, ish-drejtuesi i burgjeve skoceze David Wilson loboi që të instalohej ajër i kondicionuar në disa prej burgjeve më të dhunshme në vend, duke vënë bast se ulja e temperaturave do të ftohte edhe shpirtërat.
Një botë më e nxehtë do të jetë një botë

Nga Robert Muggah dhe Mac Margolis/ Idea që një klimë më e nxehtë mund të na bëjë më të dhunshëm, nuk është e re. Lidhja mes mërkurit dhe vrasjes është e njohur edhe në narrativën e trillit dhe të klasikëve. “Me këto ditë të nxehta më vlon gjaku i çmendur”, thotë Benvoli përpara duelit mes Kapuletëve dhe Montagëve në rrugët mbytëse të Veronës së Shekspirit.

Studiuesit grinden për këtë temë që nga shekulli XIX, por përshpejtimi i ndryshimeve klimatike është premtues për ta rindezur debatin. Nëse besojmë se, siç thoshte filozofi francez Montesquieu, nxehtësia e tepërt i shkatërron forcën trupit dhe errëson mendjen, një numër gjithnjë e në rritje i sociologëve, psikologëve dhe kriminologëve paralajmërojnë se moti ekstrem është shkas për krime të dhunshme dhe sjellje kriminale.

Dikur, ish-drejtuesi i burgjeve skoceze David Wilson loboi që të instalohej ajër i kondicionuar në disa prej burgjeve më të dhunshme në vend, duke vënë bast se ulja e temperaturave do të ftohte edhe shpirtërat. Wilson, kriminolog në formim, vuri në dukje se gushti është muaji më i dhunshëm, duke cituar studime që tregojnë një rritje prej 10% të vrasjeve në gjatë verës skoceze.

Sot ne kemi kërkime të konsiderueshme që tregojnë se disa tronditje dhe strese të lidhura me klimën mund të çojnë në krime si të dhunshme, ashtu edhe jo të dhunshme. Provat e disponueshme tregojnë se ngritja e temperaturave dhe rritja e ndotjes mund të shkaktojnë një rritje të ndjeshme të kriminalitetit, duke filluar nga ato zona që kanë dendësinë më të madhe të popullimit dhe që janë më vurnerabël.

Sot me parashikimet që tregojnë se dy të tretat e popullsisë botërore do të jetojnë në qyteteve brenda vitit 2030, lidhja klimë-krim nuk mund të shmanget më. Emetimet e gazrave serë dhe ngrohja globale po intensifikojnë ishujt e nxehtësisë, duke ndikuar në mungesën e ujit, rritjen e nivelit të detit, më shumë rreziqe që lidhen me përmbytjet dhe përkeqësimin e cilësisë së ajrit, mbi të gjitha në qytetet me rritje të shpejtë në Azi, Afrikë dhe në dy Amerikat. Rreziku më i lartë është në lagjet dhe në familjet më vurnerabël, tashmë të rënduara nga pabarazitë dhe disavantazhet e thella.

Deri pak kohë më parë, pjesa më e madhe e qyteteve të Shteteve të Bashkuara festonte një rënie historike të vrasjeve përgjatë tridhjetë vjetëve. Pastaj muajt e verës nisën të nxeheshin, ashtu sikundër edhe norma e dhunës kriminale. Gjatë periudhave të nxehta gati dyfishi i njerëzve u vranë në qytetet e veriut si Chicago, Milwaukee dhe Detroit krahasuar me muajt më të ftohtë, siç raportonte edhe New York Times në vitin 2018.

Lidhja e rrezikshme mes ngrohjes globale dhe kriminalitetit nuk u pa qartë vetëm në SHBA. Në një studim global mbi 57 qytete mes viteve 1995 dhe 2012, Dennis Mares e Kenneth Moffett ndërlidhën një rritje me 1 gradë Celsius në temperaturat globale me një rritje prej 6% të normës së dhunës me pasojë vdekjen.

Shpjegimi pjesërisht është intuitiv. Rritja e temperaturave përgjithësisht nxjerr më shumë njerëz në rrugë. Sigurisht nuk bëhet fjalë për kalimin direkt nga vala e të nxehtit në valën e krimit. Ditët shumë të nxehta, për shembull, mund të kenë edhe efektin e kundërt: t’i mbajnë njerëzit në shtëpi ose në mrekullinë e lodhjes së Montesquieu.

Teoritë më të fundit që trajtojnë marrëdhëniet mes klimës dhe kriminalitetit vijnë nga shkencat e sjelljes dhe neurologjia. Duke u mbështetur në kërkimet eksperimentale, hipoteza kryesore është se edhe ndryshimet e vogla të kohës ose ekspozimi ndaj ndotësve mund të ndikojnë në mënyrën e gjykimit dhe vetëkontrollin. Kur njerëzit janë të ekspozuar ndaj ndryshimeve në mjedisin e tyre - për shembull, rritja e nxehtësisë ose ekspozimi ndaj ndotësve të veçantë - sjellja e tyre mund të ndryshojë, shpesh për keq.

Pavarësisht prej të gjitha shqetësimeve, autoritetet kanë qenë të ngadalta për t'iu përgjigjur sfidës së krimit klimatik. Ne mund të mos e kemi më atë luks. Ndërsa moti ekstrem bëhet diçka normale, drejtuesit e qyteteve duhet të lokalizojnë zonat më të rrezikuara dhe t'i kushtojnë më shumë vëmendje komuniteteve më të varfra, pakicave dhe të margjinalizuarve të cilët po përballen me rreziqet dhe me pasojat më të mëdha. Thjesht aplikimi i sanksioneve më të rënda mund të përkeqësojë pabarazitë dhe pasiguritë si edhe të shkaktojnë përgjigje shtypëse me pasoja të dëmshme për grupet më të varfra dhe më të margjinalizuara.

Ka përfitime të shumta nga investimet me bazë natyrën për një jetë më të qëndrueshme urbane. Reduktimi i ishujve të nxehtësisë, ngritja e tarracave të gjelbërta, zgjerimi i parqeve dhe kurorës së pemëve, ndërsa ripërmasimi i shesheve dhe betonit janë nisma që mund të sjellin rezultate pozitive në rënien e krimit duke ulur temperaturat dhe duke zvogëluar emetimet e gazrave të shumtë (CO2 , NO2 dhe PM2.5) që qëndrojnë në qiellin e ndotur të qytetit.

Po kështu, ulja e ndotjes së ajrit është veçanërisht kosto-efektive jo vetëm për përmirësimin e shëndetit të popullatës, por edhe për parandalimin e krimit. Politikat shtrënguese mjedisore gjithashtu mund t'i bëjnë qytetet tona më të pastra dhe më të sigurta.

Qytetet më të mëdha dhe klima shumë më e ngrohtë janë pjesë e një bote në ndryshim, por janë edhe një thirrje për veprim. Duke punuar tani për të zbutur efektet më negative të kushteve ekstreme të motit dhe duke korrigjuar padrejtësitë mjedisore në qytetet tona, administratat mund të ndihmojnë jo vetëm në parandalimin e një krize klimatike që të mos shndërrohet në urgjencë, por gjithashtu të shpëtojë jetë dhe mjete jetese.

*Mac Margolis është konsulent në Institutin Igarape, korrespondent dhe shkrimtar që jeton ën Rio de Janeiro. Robert Muggah është bashkëthemelues i Institutit Igarape dhe drejtor i SecDev Group. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.