Shënime në Blog

Një botë që ka frikë të dënojë

Në 15 vitet e fundit, jeta ime publike është mbrojtur falë eskortës së vënë në dispozicion nga qeveria turke. Sado të mirë dhe të kujdesshëm jenë të truprojat, e sado që përpiqen të mos tërheqin vëmendjen, prania e tyre nuk është asnjëherë e pëlqyeshme.
Një botë që ka frikë të dënojë

Nga Orhan Pamuk/ Në njëzetë vitet e fundit kam pasur mundësi të bëj shumë biseda të gjata me shkrimtarë të ndryshëm që janë kërcënuar me vdekje, kryesisht nga “islamikët” ose nga “ekstremistët islamikë”. Ose me shkrimtarë që për arsye nga më të ndryshmet, jetojnë nën kërcënimin e vendeve islamike dhe mbrohen me truproja. Njëri prej tyre jam edhe unë.

Në 15 vitet e fundit, jeta ime publike është mbrojtur falë eskortës së vënë në dispozicion nga qeveria turke. Sado të mirë dhe të kujdesshëm të jenë truprojat, e sado që përpiqen të mos tërheqin vëmendjen, prania e tyre nuk është asnjëherë e pëlqyeshme.

Nga eksperienca ime e di se pas pesë viteve të para, që janë edhe vitet më të rrezikshme, shkrimtari nën mbrojtje bindet se “më e keqja ka kaluar” dhe se ndoshta nuk ia ka më nevojën truprojave e mund të rikthehet në jetën e tij të vjetër, të bukur dhe “normale”.

Megjithatë, në shumicën e rasteve, nuk është një vendim realist dhe për këtë arsye universitetet, organizatat, fondacionet, organet e ndryshme dhe bashkitë që vendosin të ftojnë shkrimtarët që nuk frikësohen, kanë për detyrë që automatikisht të mbrojnë sigurinë e tyre, pavarësisht sa çfarë mendojnë ose argumentojnë vetë shkrimtarët për gjendjen vetjake.

Sa herë që një shkrimtar pëson një sulm fizik, direkt nisin shfryrjet se fjalëve u duhet dhënë përgjigje me fjalë, librave u duhet kundërpërgjigjur me libra. Por a ka ende kuptim ky parim i vjetëruar në ditët tona? Zakonisht, të gjithë ata që tërheqin këmbëzën ose mbajnë thikën me vete kanë lexuar shumë pak libra gjatë jetës së tyre. Sikur të kishin lexuar më shumë, apo ndoshta ta kishin shkruar një të tillë vetë, a do të kishin qenë të aftë për të tilla akte dhune? A do të ishin në gjendje ta botonin punën e tyre?

Pavarësisht se e njohim rolin që luajnë pabarazitë sociale në këto lloj sulmesh mizore kundër shkrimtarëve, kundër librave dhe lirisë së fjalës – poshtërimi i të ndjerit qytetarë të dorës së dytë a të tretë, që e ndjejnë vetën të padukshëm, pa përfaqësim dhe fare të parëndësishëm – nuk na bën të stepemi nga mbrojtja e lirisë së shprehjes. Përkundrazi, përmendja e pabarazive sociale e kulturore si edhe mërive nacionaliste që shpesh herë qëndrojnë pas këtyre kërcënimeve dhe sulmeve, duhet të shërbejë për të forcuar përpjekjen tonë në mbajtjen gjallë të lirisë së shprehjes.

E përpos të tjerash, është dëshpëruese të shohësh se si ky sulm i turpshëm u prit pozitivisht, me duartrokitje dhe me një kënaqësi të dukshme jo vetëm në Iran, por edhe në shumë vende myslimane. Qytetarët e vendeve myslimane, të cilët me sinqeritet e përçmojnë dhe e dënojnë sulmin ndaj Rushdie, keqardhjen e tyre e shprehin vetëm pas dyerve të mbyllura dhe mes miqve më të ngushtë.

Edhe kampionët e lirisë së shprehjes nuk guxojnë ta shprehin kundërshtinë e tyre. Disa miq, që kishin dijeni për shkrimin e këtyre pak rreshtave, më kanë paralajmëruar tashmë që të kem kujdesin e duhur, madje duke ditur që gëzoj mbrojtjen e një eskorte.