Shënime në Blog

Një dalje emergjence për njerëzimin

Siç e qartëson edhe katastrofa që po ndodh në jug të Irakut ku temperaturat në korrik kaluan pesëdhjetë gradë dhe në të njëjtën kohë ra rrjeti elektrik duke ndalur punën e frigoriferëve, kondicionerëve dhe ndriçimit, për të shmangur shpërthimet e revoltave sociale nevojitet një aparat shtetëror i aftë për të garantuar një minimum mirëqenieje për njerëzit në kushte të vështira.
Një dalje emergjence për njerëzimin

Nga Slavoj Zizek/ Të dhënat e fundit na thonë se edhe pas shpërndarjes së vaksinës, nuk mund t’ia lejojmë vetes të qetësohemi plotësisht. Pandemia nuk ka mbaruar (numri i infektimeve po rritet dhe ndoshta na presin mbyllje të tjera) dhe katastrofa të tjera duken në horizont. Në fund të qershorit, në veri-perëndim të Shteteve të Bashkuara dhe në jug-perëndim të Kanadasë një flluskë nxehtësie – një fenomen meteorologjik gjatë së cilit trysnia e lartë ngjesh ajrin e nxehtë duke bërë që temperaturat të rriten – e çoi termometrin në pesëdhjetë gradë celcius, duke e bërë Vankuverin më të nxëhtë se Lindja e Mesme.

Ky fenomen është kulmi i një procesi më të gjerë. Vitet e fundit, Skandinavia veriore dhe Siberia rregullisht i kanë kaluar tridhjetë gradët. Organizata Botërore Meteorologjike po përpiqet të verifikojë një rekord të ri temperaturash maksimale në polin arktik, pasi stacioni i Vechojansk në Siberi regjistroi 38 gradë më 20 qershor. Në qytetin rus të Ojmjakon, i konsideruar si vendbanimi më i ftohtë mbi Tokë, temperatura preku 31,6 gradë, më shumë se kurdoherë. Me fjalë të thjeshta, ndryshimet klimatike po skuqin hemisferën veriore.

Flluska e nxehtësisë është një fenomen lokal, por vjen si rezultat i një tendence klimatike globale që varet nga ndërhyrja njerëzore mbi ciklet natyrore. Nëse është e vërtetë se klima po mbinxehet, ky proces kulmon përmes fenomeneve ekstreme lokale, të cilat herët a vonë do të krijojnë një zinxhir çastesh kritike globale. Për të mos i ardhur rrotull muhabetit, duhet të mësohemi të jetojmë njëkohësisht me disa kriza.

Nëse do të shqyrtojmë të dhënat në mënyrë të qartë, mund të arrijmë vetëm në një përfundim: çdo qenie e gjallë ka si rrugëdalje finale vdekjen (për këtë arsye Derek Humphry e ka titulluar librin e tij mbi vdekjen e asistuar “Eutanazia: dalja e sigurisë”, 1993). Krizat ekologjike hapin perspektivën realiste të një daljeje të fundit (vetëvrasje kolektive) për njerëzimin. Por a ka një dalje të fundit nga rruga jonë drejt humbjes? Apo është shumë vonë dhe nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse një vetëvrasje pa dhimbje?

Çfarë duhet të bëjmë? Para së gjithash, të refuzojmë klishenë sipas së cilës ne jemi pjesë e natyrës dhe jo qendra e saj. Sipas kësaj ideje, për të luftuar krizat klimatike, ne duhet të ndryshojmë mënyrën tonë të jetesës: t’i vëmë fré individualizmit, të zhvillojmë mënyra të reja solidariteti dhe të pranojmë rolin tonë modest në këtë planet. Siç ka shkruar Judith Butler, “një botë e jetueshme për njerëzit varet nga një Tokë që lulëzon dhe që nuk i ka qeniet njerëzore në qendër”.

Por a nuk është e vërtetë se ngrohja globale na imponon ndërhyrjet kolektive që do të kenë pasoja mbi ekulibrin delikat mes formave të jetës? Kur themi se rritja e temperaturave duhet të mbahet nën dy gradë, flasim sikur të ishim mbikëqyrësit e jetës në Tokë dhe jo një prej specieve që jetojnë këtu. Rigjenerimi i planetit varet nga kjo detyrë titanike. Nëse duhet të shqetësohemi edhe për jetën në ujë dhe në ajër, do të thotë se jemi ata që Marx i përkufizon si “qenie universale”, të aftë pra të dalim nga vetja dhe të perceptohemi si një moment dytësor i gjithësisë së natyrës.

Të kërkojmë strehim në modestinë e vdekshmërisë sonë është një dalje iluzionare që do të na shpjerë në katastrofa. Për sa kohë jemi qenie universale, duhet të mësojmë ta pranojmë ambientin në gjithë kompleksitetin e tij, që përfshin atë që ne perceptimë si ndotje përtej asaj që nuk mund ta percetojmë sepse është ose shumë e vogël ose shumë e madhe, pikërisht ato që filozofi britanik Timothy Morton i quan “hiper-projektet”.

Për Morton të jesh ekologjist nuk do të thotë “të kalosh kohë në një rezervuar natyror dhe të pakontaminuar, por të vlerësosh barin që çel mes çarjeve të asfaltit dhe më pas të vlerësosh asfaltin. Është pjesë e botës dhe është pjesë e jona. Realiteti popullohet nga të huaj të çuditshëm, gjëra që njihen por misterioze. Kjo çudi e çuditshme”, shkruan Morton, “është një element i pakthyeshëm i secilit shkëmb, pemë, statuje plastike të lirisë apo vrime të zezë që mund të hasë një person. Duke pranuar atë, ne largohemi nga idea e kërkimit për të menaxhuar objektet dhe shkojmë drejt mësimit për t’i respektuar në papërsosmërinë e tyre”.

Morton përfshin në kategorinë e natyrës të gjitha ato që janë të frikshme, të këqija apo artificiale. Një përzierje e këtyre elementëve është fati i minjve në Manhattan gjatë pandemisë. Manhattan është një sistem i gjallë i qenieve njerëzore, buburrecave dhe miliona minjve. Gjatë izolimit të parë, restorantet u mbyllën dhe minjtë që jetonin me mbeturinat e koshave, u privuan nga burimi i jetesës. Kjo solli një uri masive, gjë që bëri që shumë minj të hanin të vegjëlit e tyre. Mbyllja e restoranteve rezultoi një katastrofë për minjtë.

Një incident i ngjashëm kishte ndodhur edhe në të shkuarën. Në vitin 1958, qeveria kineze i shpalli zogjtë si “kafshë publike të kapitalizmit” dhe nisi një fushatë të gjerë për shfarrosjen e harabelave të cilët dyshoheshin se hanin drithërat. U shkatërruan foletë dhe vezët e harabelave, ndërsa zogjtë u vranë. Këto sulme shkatërruan popullsinë e harabelave, duke i çuar pothuajse në zhdukje. Megjithatë në vitin 1960 drejtuesit e lartë kinezë, kur pas nisjes së fushatës për shfarrosjen e tyre panë se sasitë e orizit të mbledhur në vend se të rriteshin, ishin më të ulëta, u detyruan të kuptojnë se harabelat hanin edhe sasi të mëdha insektesh. Vrasja e harabelave prishte ekuilibrin biologjik, ndërsa insektet shkatërronin plantacionet. Pa harabelat që t’i hanin, shpërthyen karkalecat duke shkatërruar fshatrat dhe duke përforcuar problemet ekologjike të shkaktuara nga keqpërdorimi i tepruar i helmeve dhe pesticideve. Mendohet se çekuilibri ekologjik e përshkallëzoi urinë e madhe kineze, gjatë së cilës sipas vlerësimeve vdiqën 15 deri në 55 milionë njerëz.

Kështu pra, ne duhet të pranojmë se jemi një prej shumë specieve në planet, por në të njëjtën kohë të veprojmë si mbikëqyrës të jetës në Tokë. Duke parë se nuk kemi qenë në gjendje të gjejmë rrugëdalje të tjera (temperaturat rriten, oqeanet janë gjithmonë e më të ndotur etj.,) duket gjithmonë e më e mundshme që dalja e fundit përpara asaj përfundimtare (pra vetëvrasjes kolektive) do të jetë një lloj komunizmi lufte. Nuk flas për rehabilitimin apo vazhdimin e “socializmit të vërtetë” të viteve ‘1900 dhe aq më pak të përshtatjes globale të modelit kinez, por për masa të diktuara nga situata ku jetojmë.

Kur përballemi me një kërcënim për ekzistencën tonë, hymë në një gjendje emergjence si në kohë lufte, që mund të zgjasë për vite të tëra. Për të garantuar kushtet minimale të mbijetesës sonë është e pashmangshme të angazhojmë të gjitha resurset nëse duam t’i bëjmë rezistencë problemit të zhvendosjes së dhjetëra apo qindra milionë njerëzve për shkak të ngrohjes globale. Përgjigja ndaj flluskës së nxehtësisë në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada nuk do të duhet të përfshijë vetëm zonat e goditura, por të synojë kauzat globale.

Siç e qartëson edhe katastrofa që po ndodh në jug të Irakut ku temperaturat në korrik kaluan pesëdhjetë gradë dhe në të njëjtën kohë ra rrjeti elektrik duke ndalur punën e frigoriferëve, kondicionerëve dhe ndriçimit, për të shmangur shpërthimet e revoltave sociale nevojitet një aparat shtetëror i aftë për të garantuar një minimum mirëqenieje për njerëzit në kushte të vështira.

Të gjitha këto gjëra mund të arrihen vetëm përmes një bashkëpunimi ndërkombëtar, kontrolli social, rregullimi i bujqësisë dhe industrisë, transformimi i zakoneve tona të ushqyerjes – si për shembull më pak konsum mishi – një mbulim shëndetësor global e kështu me radhë. Është e qartë se e vetme demokracia përfaqësuese nuk do të jetë e mjaftueshme për të kryer këtë detyrë. Një pushteti ekzekutiv shumë më të fortë dhe të aftë për të kryer detyra në periudha afatgjata, do të duhet t’i bashkëngjitet një vetë-organizim i njerëzve dhe një organizëm ndërkombëtar i aftë për t’u ngritur mbi vullnetin e shteteve të veçanta.

Nuk po flas për një qeveri globale. Një entitet i tillë do të nxiste një korrupsion të madh. As nuk po flas për braktisjen e tregjeve. Konkurrenca duhet ta luajë rolin e saj, edhe pse e rregulluar dhe e kontrolluar. Atëherë pse të përdoret termi “komunizëm”? Sepse ajo që duhet të bëjmë përmban katër aspekte të një regjimi radikal.

Së pari ekziston një dimension vullnetar: ndryshimet e nevojshme nuk rrënjosen në asnjë nevojë historike, por do të arrihen kundër tendencës spontane të historisë. Siç ka thënë Walter Benjamin, duhet të ngremë frenën e dorës së historisë. Pastaj është barazia: solidaritet global, mbulim shëndetësor global dhe një jetë për të qenë për të gjithë. Vijnë elementë të asaj që liberalëve nuk mund t’u duket veçse si “terror”, shija e së cilës na u bë më e zakonshme me pandeminë: kufizimi i shumë lirive personale dhe modeleve të kontrollit. Në fund, është besimi te njerëzit. Pa pjesëmarrjen e njerëzve të zakonshëm, e gjitha do të shkonte dëm.

Nuk është një vizion distopik, por rezultat i një vlerësimi të thjeshtë të kushteve në të cilat ndodhemi. Nëse nuk e ndjekim këtë rrugë, do të ndodhë ajo që tashmë po vëzhgojmë në Rusi dhe në Shtetet e Bashkuara: elita qeverisëse po përgatitet për mbijetesën e saj në bunkerë gjigantë nëntokësorë në të cilët mund të jetojnë mijëra njerëz, me arsyetimin se aktiviteti i qeverisë duhet të vazhdojë edhe në këto kushte. Elitat tona po organizohen për këtë skenar. Kjo do të thotë që ata e dinë se po bien zilet e alarmit.

*Slavoj Zizek është filozof, sociolog dhe akademik slloven. Studiues i marksizmit, idealizmit gjerman dhe i psikanalizës lekaniane, është i njohur për përballjen me temat e aktualitetit duke bashkuar konceptet filozofike me kulturën popullore. Artikulli u shqipërua nga Erjon Uka.