Shënime në Blog

Një dashuri jashtë kohe

Një prej poetëve që e kam pikë reference, katalani Joan Margarit, dikur iu përgjigj kështu pyetjes së përjetshme mbi arsyen e të shkruarit. E tha pa siklet: Shkruaj sepse jam ende i dashuruar me gruan time. Një arsye e mirë, një arsye ndër shumë të tjera, për të interpretuar botën, edhe pse shpesh herë na duket pakogjë.
Një dashuri jashtë kohe

Nga Carmen Yáñez/ Pandemia erdhi në Spanjë në vitin 2020 dhe mbërriti në shtëpinë tonë për ta zhytur përjetëisisht në zi, sepse mori Luçon tim, pikën time të referimit në botë, bashkëpunëtorin tim, dashurinë, shokun tim: këtë histori nisa ta shkruaja në atë moment, me gjithë dritëhijet, siç janë historitë e dy njerëzve që duhen dhe bashkëndajnë ëndrrat.

Shkruaj për ta pasur e për ta ruajtur kujtesën, sepse pa kujtesë s’ka të ardhme. Shkruaj për të mos harruar se tortura e ferrit është këtu në tokën tonë, teksa jetojmë në një luftë të përhershme vëllavrasëse mes së mirës dhe së keqes. Shkruaj sepse armët tona të vetme janë fleta e bardhë që pret të përqafojë e të shpërndajë histori fantastike, për të na çuar drejt njohjes së realiteteve të tjera, drejt ëndrrave pak a shumë të ngjashme me tonat, dhe një stilolaps mund të ketë fuqinë të vendosë drejtësinë dhe barazinë. Edhe sepse nuk mjaftojnë kurrë historië për të rrëfyer pulsin e jetës, intimitetin, ngjyrat dhe hijet me të cilat ngjarjet e mëdha përplasen me gjërat e vogla, me përditshmërinë e kohës dhe të hapësirës.

Një prej poetëve që e kam pikë reference, katalani Joan Margarit, dikur iu përgjigj kështu pyetjes së përjetshme mbi arsyen e të shkruarit. E tha pa siklet: Shkruaj sepse jam ende i dashuruar me gruan time. Një arsye e mirë, një arsye ndër shumë të tjera, për të interpretuar botën, edhe pse shpesh herë na duket pakogjë.

Pak javë pas ditës së tmerrshme të vdekjes së tij, unë dhe djali filluam të sistemojmë tryezën e tij të vjetër me sendet e tij personale. Ishte një detyrë zemërthyese.

Po mësynim për herë të parë në një terren delikat. Ishte i bindur se kishte një rregull krejt të tijin, që në fakt ishte një rregull kaotik, që vetëm ai mund ta deshifronte dhe interpretonte. Kuti pas kutie me dorëshkrime shpesh herë të papërfunduara, disa goxha të avancuara e disa të tjera të sapo nisura, faqet e para të ndonjë projekti letrar që më pas është braktisur. Arsyen e dinte vetëm ai. Mes kutive dhe dorëshkrimeve, ishin poezitë. Tekste që ndoshta dikush i kishte publikuar. Disa drafte të së njëjtës poezi, së cilës qartësisht i rikthehej për ta rishikuar e ripunuar, e pastaj për ta harruar sërish. Ndodhej aty gjeografia emocionale dhe ekzistenciale e shëtitjes së tij në këtë botë.

Nuanca të ndryshme ndjenjash, mosha të ndryshme, dashuri dhe mospëlqime, pasione të vërteta, dhimbje, lumturi të arritura, harta e dështimeve. Kështu kthehesha në pikënisje, dhe në pozitë e tij nëpër fletë të rrudhosura e të zverdhura rigjeja poetin që dikur kisha njohur dhe dashuruar.

***

Ndonjëherë, kur ishim vetëm në shtëpinë tonë në Gijon, në kapërcyell të kohës kur ishim të lirë nga shkrimi apo nga punët e përditshme të shtëpisë si pastrimi apo lëvizja e mobiljeve, nga shëtitja e qenit apo kopshtaria dhe ndjekja e lajmeve, na pëlqente të luanim si nxënësit trazovçë gjatë pushimit.

Unë e ndiqja nëpër shtëpi dhe ai kërkonte të fshihej, ndonjëherë në dollap, pas një dere apo në ndonjë cep, gjë e pamundur duke pasur parasysh madhësinë e tij, duke u përpjekur t’i shpëtonte duarve të mia që kërkonin t’i preknin prapanicën.

Nëse do na shihte kush, s’do u besonte syve: një e imët si unë që ndiqte një ciklop si Luço, që nuk donte ta prekja, derisa e kapja dhe përqafoheshim duke u shkrirë së qeshuri gjer në lot.

Pastaj na pëlqente të kërcenim tango, në netët më të qeta. Edhe ajo ishte një luftë më vete, ngatërroheshim me hapat tanë, e pastaj të telendisur zgjidhnim një film të mirë për ta shikuar.

Luço kurrë nuk ka ditur të organizojë gjë, edhe pse krenohej gjithmonë se mund ta bënte. Në dy rastet kur shkuam në gjendjen civile për t'u lidhur në martesë, isha unë që e tërhoqa me vete, sepse ai ishte gjithmonë shumë i zënë duke ndërtuar ëndrra për veten dhe për të tjerët.

Dhe gjysma e së keqes që ishte kështu. Shqetësimi i tij më i madh ishte të ulej në kompjuter, që e kishte zëvendësuar me makinën e shkrimit, dhe pastaj në rend prioritar vinin kafshët e tij, mace e qen, dhe kopshti anarkik, ku rriteshin një sërë farash të ardhura prej ngado. Araukaria, kalikantë, lulebore, mollë, kumbulla, nën vështrimin e ashpër të pashuar të Garibaldit, rojtarit të kopshtit tonë, bustit që kishim marrë me dyshim një mëngjes në një kuti të madhe prej druri, natyrisht nga Italia.

Disa muaj përpara ditëlindjes së tij të shtatëdhjetë, vendosëm të bënim një festë të madhe. Ai dëshironte t’i mblidhte gjithë fëmijët, nipërit, nuset dhe dhëndrin e vetëm më 4 tetor 2019. Ishte edhe Daniel Mordzinski që shkrepi fotografitë më të bukura të gjashtë fëmijëve tanë, që më në fund u rimblodhën. Ishin tre ditë festime në Gijon, në shtëpinë tonë.

Luço donte të festonte edhe me miqtë e tij, ndonëse ishte e pamundur t’i bashkonte të gjithë. Prandaj, unë ndërkohë organizoja një event që duhej të ndiqte festën familjare: më 11 tetor ftova të gjithë miqtë nga Gijoni, Madridi dhe Göteborg.

Më 21 tetor shkuam në Paris për festën e ditëlindjes që i kishte organizuar shtëpia e tij botuese, prej aty arritëm në Milano dhe më në fund, dy javë më pas, në Lisbonë. Në të gjitha këto vende u prit me shumë dashuri dhe me festa. I dedikuan fjalime të mbushura me emocione dhe i mundësuan të shijonte pjatat e tij të preferuara.

Në Milano nuk mungoi torta e ditëlindjes me kokos dhe dulce de leche, e përgatitur sipas recetës së nënës së tij që e kisha ndjekur me përpikëri në çdo rast, empanadat kilian dhe pisco sour. Në sfond Adiós Nonino luante bandoneón e Piazzolla-s. Gjithçka ishte e koordinuar në mënyrë perfekte. E pashë Luçon shumë të prekur, me sytë plot lot.

Mori mikrofonin dhe, siç bënte në këto raste me ngarkesa të larta emocionale, na falenderoi për ato momente unike dhe më pas na dedikoi një nga ato historitë që ai, si magjistar që ishte, i nxirrte nga kapelja vetëm për të na parë të gjithëve të buzëqeshim të magjepsur.

Nuk do t'i shihte më kurrë ata njerëz. Dukej sikur e parashikonte fundin dhe se për këtë arsye kishte vendosur t'u jepte lamtumirën të gjithë miqve të tij më të ngushtë. Madje e tha me zë të lartë: "Kujdes, sepse zakonisht këto nderime bëhen për ata që do të vdesin!"

Dhe qeshte. Qeshte i vetëkënaqur. Nëse do ta kisha imagjinuar atë që na priste me kthimin tonë në Spanjë dy muaj më vonë, do të kisha bërë gjithçka për të ruajtur ato momente miqësie dhe gëzimi dhe për të qëndruar sa më gjatë në atë flluskë mbrojtëse.

*Luis Sepùlveda ishte shkrimtar dhe gazetar kilian, kundërshtar i regjimit të Augusto Pinochet në vitet ’70, kur edhe u burgos dhe u torturua. Është autor i mbi 30 librave mes poezisë, romanit dhe eseistikës. Humbi jetën më 16 prill 2020 pasi u prek nga koronavirusi. Carmen Yáñez është bashkëshortja e tij, e cila ka botuar librin me kujtime “Një dashuri jashtë kohe”, prej nga është shkëputur edhe pjesa e mësipërme. Përkthyer nga Erjon Uka.