Shënime në Blog

Njeriu jeton me kujtimet e tij

Si funksionojnë kujtimet? Pse mund të mbajmë mend ngjarje të ndodhura pesëdhjetë vite më parë, por nuk dimë se çfarë kemi ngrënë në drekë? Në këtë tekst Fabrizio Benedetti flet për simfoninë e mrekullueshmë të neuroneve që ruan kujtimet tona, por edhe për rastet kur ky sinkronizim perfekt prishet duke krijuar praktikisht një njeri të ri. “Ne jemi kujtimet tona”, thotë ai duke folur edhe për çuditë që na ndodhin në ëndrra.
Njeriu jeton me kujtimet e tij

Nga Fabrizio Benedetti/ Nuk ka vetëm një lloj kujtese. Janë disa, secila me karakteristikat dhe mekanizmat e saj. Unë mund të mbaj mend detajet e një ngjarjeje pesëdhjetë vite më parë por jo atë që kam bërë dje. Ose mund të kryej një përllogaritje matematikore, por jo të lidh këpucët e mia. Në humbjen e pakthyeshme të kujtesës së pacientëve me demencia, megjithatë mund të ndodhin shumë gjëra, që varen nga cilat zona të trurit preken.

Pak më parë telefonova një restorant për të bërë rezervimin e një darke me miqtë. Kërkova numrin në numëratorin telefonik, e mbaja mend për disa sekonda, sa për ta shkruar në celularin tim, rezervova, por tani që kam filluar të shkruaj këto rreshta, ai numër është zhdukur në hiç. Kjo është kujtesë afatshkurtër, e cila shpesh zgjat vetëm disa sekonda.

Nga ana tjetër, mbaj mend në mënyrë të përsosur dhe mund të transkriptoja ose të recitoja me zë të lartë në çdo kohë, për shembull, disa poezi të mësuara në shkollën fillore: mbi të gjitha njërën, "San Martino" nga Giosuè Carducci. Ka mbetur në kokën time gjithë këto vite. Është e mahnitshme që ka ende gjurmë të atyre rreshtave dhe tingujve në trurin tim. Nuk bëj asnjë përpjekje të veçantë për ta kujtuar dhe madje mund ta recitoj me shpejtësi. Kjo është kujtesë afatgjatë dhe mund të zgjasë përgjatë gjithë ekzistencës sonë. Nga të gjitha informacionet që marrim brenda një dite, vetëm 1%, e madje edhe më pak se kaq, fiksohet në tru për periudha të gjata. 99% humbet dhe zhduket.

Truri përpunon ndryshe kujtesën afatshkurtër dhe afatgjatë. Kjo mund të shihet qartë në rastet e amnezisë anterograde: në këtë patologji, kur lind problemi si për shembull shkaktimi i një traume, aftësia për të mësuar humbet, ndërsa kujtesa e mëparshme mbetet e paprekur.

Ekziston një pacient i njohur në historinë e mjekësisë, Henry Molaison, më mirë i njohur si H.M., që na ka bërë të kuptojmë qartë se si truri njerëzor magazinon kujtimet në afatshkurtër dhe në afatgjatë.

Lobet e tij kohore, domethënë ato që ndodhen në anët e trurit, u hoqën për shkak të një forme të rëndë të epilepsisë. Pas ndërhyrjes, H.M. kujtonte të kaluarën e largët, por ai nuk ishte më në gjendje të mësonte, me fjalë të tjera kujtesa e tij afatshkurtër u shua. Për të dhënë një shembull, ai kishte ndërruar shtëpi, por gjithnjë kthehej në adresën e vjetër sepse nuk mund ta mësonte të renë.

Lobet kohore dhe më saktësisht të ashtuquajturit hipokampus – emërtuar kështu sipas formës së kalit të detit - luajnë një rol vendimtar në formimin e kujtimeve tona. Sidoqoftë, nuk është vendi ku depozitohen kujtimet: H.M. dhe pacientët si ai kujtojnë të kaluarën e largët edhe në mungesë të këtyre zonave të trurit. Prandaj hipokampusi është një qendër kryesore e renditjes për kujtimet, të cilat më pas depozitohen në lëvoren cerebrale, që është ai manteli gri i cili mbulon tërë trurin.

Është gabim të mendosh që çdo kujtim vendoset në një neuron të vetëm. Do të ishte padyshim e pafavorshme për qenien njerëzore gjatë evolucionit. Vdekja e atij neuroni do të shkaktonte zhdukjen e një kujtimi të tërë. Fytyra e nënës time e mbyllur në një neuron të vetëm? Jo, truri nuk punon kështu.

Është kombinimi i mijëra neuroneve dhe i ndërlidhjeve mes tyre, të aktivizuara nga substanca specifike kimike, që përmbajnë fytyrën e nënës sime. Nëse humbet ndonjë lidhje, fytyra e nënës sime zbehet, por nuk humbet. Vetëm kur këto mijëra neurone zhduken krejtësisht të gjitha, atëherë edhe fytyra e nënës sime do të zhduket. Ja një strategji evolutive për të parandaluar që kujtimet të humbasin lehtësisht.

Në trurin tonë ka pra popullata të tëra neuronesh, të afërta dhe të largëta, që komunikojnë me njëri-tjetrin. Madje është e mundur të matet se si grupe të ndryshme të neuroneve apo të moduleve arrijnë të aktivizohen njëkohësisht. Komunikimi është kompleks dhe bazohet në sinkronizim dhe metodat për ta zbuluar atë janë shumë të komplikuara dhe shprehen me formula matematikore. Njëra nga këto është e ashtuquajtura informacion i ndërsjellë. Ja cila është:

Për hir të Perëndisë, mos e lexoni, sepse ka pak rëndësi për qëllimin e kësaj që po mundohem të shpreh. Shërben vetëm për të kuptuar se sa i ndërlikuar është komunikimi midis grupeve të neuroneve.

Për të kuptuar më mirë funksionimin e neuroneve në marrëdhënie me kujtimet, le të kthehemi tek imazhi i pishës. Përmes limfës dhe kanaleve të holla të degëve dhe të trungut, gjithë ato hala qëndrojnë në lidhje me njëra-tjetrën. Për shembull, ato të degës së sipërme që shikojnë nga lindja mund të jenë në lidhje me ato të degës së poshtme që shikojnë nga perëndimi. Janë fizikisht goxha të largët, por funksionalisht shumë të afërt, sepse janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe nëse do të zbatonim formulën e informacionit të ndërsjelltë do të na e vërtetonte. Kështu veprojnë edhe neuronet: funksionojnë si një e tërë dhe lidhja mes tyre përmban një kujtim prej nesh. Është mbresëlënëse të kuptosh sa kujtime kemi ne të rriturit, por është po aq mbresëlënëse të kuptosh sa kombinime të lidhjeve neuronale ekzistojnë në trurin tonë.

Numri i neuroneve është pafundësisht më i madh se ai i gjetheve halore të një pishe të madhe e të vjetër, duke kompozuar një simfoni të mrekullueshme në kohë dhe në hapësirë, ku kujtimet e largëta dhe të afërta janë vendosur mjeshtërisht, në një sekuencë që na jep kuptimin e kohës së shkuar.

Në gjendjen e çmendurisë, këto lidhje humbasin pjesërisht ose komplet, e atëherë kujtimet zbehen, mbivendosen, ngatërrohen ose zhduken fare. Ajo simfoni e mrekullueshme, ai sinkronizim, ajo sekuencë e mrekullueshme hapësirë-kohë zhduket dhe kujtimet bëhen të rrëmujshme duke përcaktuar lindjen e një “uni” të ri, një personaliteti tjetër, një marrëdhënieje të re me botën e jashtme. Në një farë kuptimi, ne jemi kujtimet tona.

Mund të duket e çuditshme, por simfonia e mrekullueshme e neuroneve humbet edhe në disa momente të jetës sonë të përditshme: kur flemë dhe kur ëndërrojmë. Në këto raste, ngatërresa është totale. Dje ëndërrova që një qen po më afrohej, por në fakt ishte një mik i imi të cilin nuk e kam parë prej më shumë se njëzet vitesh. Pastaj, qeni ose shoku - nuk di ta përkufizoj saktë – më hipi mbi supe, por në fakt ai hipi në aeroplan, domethënë tek unë që isha bërë aeroplan, të paktën kështu sikur më kujtohet. Në një moment e gjetëm veten nën ujë, pa bombola ajri dhe pa mbajtur frymën. Merrnim frymë në mënyrë perfekte, edhe pse unë dhe qeni (apo shoku?) ndodheshim në fund të detit. Morëm një tortë të madhe me mollë dhe iu turrëm me kokë për ta ngrënë. Ndërkohë nuk ndodheshim më nën ujë, por në një restorant të këndshëm në një mal të lartë, ku ata bënin tortë të shkëlqyer me mollë. Me pak fjalë, me të vërtetë një konfuzion i madh!

Në gjumë, kujtimet janë konfuze, ato mbivendosen për të krijuar skenarë fantastikë dhe paradoksalë. Teksa ëndërroja, një pjesë e neuroneve në të cilat ishte vendosur kujtimi për mikun tim të vjetër u përzie me atë në të cilën qëndron imazhi i qenit. Një pjesë e vogël e neuroneve në të cilat qëndron kujtesa e ujit, e detit dhe mungesa e oksigjenit mbivendoset me atë në të cilën ndodhet kujtimi im për tortën me mollë, për shijen e tyre dhe sa të veçantë i bëjnë ato në restorantet malore. Është një ndërthurje që aktivizohet rastësisht, pa një renditje të saktë në kohë dhe hapësirë.

Këtu jepet ideja se çfarë mund të ndodhë në rastin e një demence, ku vdesin grumbuj neuronesh, lidhjet e tyre mbivendosen dhe kështu gjenerohen kujtime paradoksale. Në demencë, koha humbet. Si në ëndrra. Le të marrim një shembull.

Ca ditë më parë ëndërrova sikur po bëja një ngjitje të lodhshme drejt qiellit. Një ngjitje disa orëshe, që m’u duk sikur zgjati gjithë natën. Doja të arrija pikën më të largët, sipër, ku kishte objekte të ngjashme me tenxheret. Pastaj, krejt papritur, një prej atyre objekteve filloi të bjerë nga qielli dhe të afrohej gjithnjë e më shumë, derisa arrita ta shquaj tamam: ishte një tenxhere gjigante që udhëtonte me shpejtësi supersonike. U rrëzua në tokë duke bërë një zhurmë shurdhuese.

U zgjova papritur. Gruas sime iu rrëzua një tenxhere në kuzhinë. Si është e mundur që, pasi ta keni ëndërruar tenxheren tërë natën, rënia e tenxheres në ëndërr përkon në mënyrë të përkryer me atë në kuzhinë? Është e thjeshtë: Në të vërtetë nuk e kam ëndërruar gjithë natën tenxheren. E gjitha ndodhi në një sekondë. Tenxhereja i shpëtoi nga duart e gruas sime, bëri një zhurmë bubullitëse që më zgjoi dhe shkaktoi një sërë kujtimesh që duket se zgjasin gjithë natnë.

Në ëndrra, koha humbet, nuk ekziston, ashtu si nuk ekziston në çmenduri. Konfuzioni kohor krijon pasiguri se kur kanë ndodhur ngjarjet. Gjërat bëhen edhe më të komplikuara nëse mendojmë se ekzistojnë lloje të ndryshme të kujtesës dhe se, në një çmenduri, jo domosdoshmërisht të gjitha do të humbin. Kujtesa "deklarative" ose eksplicite kërkon ndërhyrjen e ndërgjegjes tonë. Kur shikoj një film ose lexoj një roman, për shembull, për të kujtuar skenat, unë me vetëdije ripërshkruaj sekuencën e ngjarjeve që kam vëzhguar ose lexuar.

Por nëse shkoj të bëj ski, nuk kam nevojë të kujtoj me vetëdije lëvizjet që duhen bërë për të kryer një ski të mirë. Gjithçka ndodh automatikisht: sekuenca e lëvizjeve të nevojshme është e shkruar në tru dhe në muskujt e mi. Kjo është një kujtesë "jo-deklarative" ose e nënkuptuar, në të cilën gjithçka ndodh plotësisht pa vetëdije. Pastaj ekziston një kujtesë "semantike", e cila përbëhet nga ato koncepte dhe njohuri që kemi marrë gjatë jetës, për shembull si fakti "macet janë gjitarë". Kujtesa "autobiografike" përkundrazi shoqërohet me ngjarje në jetën tonë personale dhe varion nga data dhe vendi i lindjes tek diploma e prezantuar tridhjetë vite më parë.

Thellësitë e kujtesës së pacientëve me demencë janë të pakufishme dhe është e vështirë, në mos e pamundur, të kuptohet e vërteta prapa tyre. Siç na kujton Piergiorgio Strata, mentori im për të paktën dhjetë vjet studime në mjekësi dhe neuroshkencë në Universitetin e Torinos, në librin “Kujtimet e rreme”: “Njeriu shënon kujtimet në fletët e thella të kujtesës, në zgavrat e tij të pallogaritshme dhe të rregullta dhe ua beson pasardhësve siç bënë indianët me librat Veda dhe hebrenjtë me Shkrimin e Shenjtë. Njeriu jeton me kujtimet e tij deri në vdekje (Homeri).”

*Fabrizio Benedetti është studiues i fiziologjisë dhe neuroshkencës në Shkollën Mjekësore të Universtetit të Torinos, një prej ekspertëve më të njohur botërore në këtë fushë. Është pjesë e Akademisë së Europës, ndërsa libri i tij “Placebo effects” fitoi çmimin nga “British Medical Association”. Kjo pjesë nga libri i tij i ri “Gjuetari i kujtimeve” u përkthye në shqip nga Erjon Uka.