Shënime në Blog

Nobeli për Paqen në luftë kundër propagandës ruse: E vështirë t’i qëndrosh pranë dhe të mos ndotesh prej saj

Intervistë me kryeredaktorin e gazetës opozitare ruse Dmitry Muratov, fituesin e çmimit Nobel për Paqen në tetor të vitit 2021. Pa iluzione, ai flet për frikën mes popullit rus si arsye për mosorganizimin e protestave masive, ndërsa thotë se elita politike është më e bashkuar se kurrë dhe nuk beson tek një grusht shtetit. “Novaya Gazeta” nuk shitet më në kioska dhe njerëzit mbajnë radhë për ta blerë pranë redaksisë. Muratov flet për një luftë civile mes brezash në Rusi, duke çmontuar edhe propagandën ruse që besohet nga vetë autoritetet.

Nobeli për Paqen në luftë kundër propagandës ruse: E

"Novaya Gazeta" ka raportuar shumë luftëra dhe konflikte. Tashmë autoritetet ia hoqën këtë mundësi redaksisë suaj.
Pavarësisht kësaj botojmë rregullisht reportazhe të shkëlqyera nga Ukraina, të shkruar nga Lena Kostiucenko dhe nga gazetarë të tjerë që janë atje, emrat e të cilëve nuk mund t’i them për arsye sigurie. Pra e tregojmë luftën duke iu përshtatur dispozitave të ligjit në fuqi. Në tekste theksojmë se po shkruajmë "për atë që autoritetet nuk na lejojnë të flasim", ose mund të theksojmë po ashtu se pjesa e reportazhit që ka të bëjë, për shembull me qytetet ukrainase nën zjarr, është prerë siç kërkohet nga autoritetet. Në versionin e printuar të "Novaya Gazeta" lëmë edhe një faqe bosh, faqen ku normalisht duhej të publikonim lajmet. Sepse ne nuk mund të botojmë lajme. As në letër, as në internet. Autoritetet na detyrojnë ta përshkruajmë luftën vetëm me sytë e ministrisë ruse të mbrojtjes. Megjithatë ne planifikojmë të publikojmë lajmet, edhe pse tani për tani, jo online.

Por për këtë gjë rrezikohen 15 vite burg.
Kemi gjetur një mënyrë të thjeshtë, por të shohim nëse mund ta përdorim me mençuri. Duam t’i drejtohemi gjithmonë Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, duke i kërkuar të mbajë qëndrim lidhur me informacionet që kemi gjetur ose që na kanë raportuar. Do të kërkojmë konfirmime ose përgënjeshtrime, por duke e arsyetuar vendimin e tyre. I shihni flluskat që kam në duar? Sapo kam mbaruar së shkruari grupin e parë të pyetjeve. Ne do t'u prezantojmë lexuesve këndvështrimin e tyre dhe tonin, bazuar në reportazhet e reporterëve tanë ose të burimeve tona.

Po e përdorni këtë metodë thuajse dy javë pas hyrjes në fuqi të ligjit mbi të ashtuquajturat lajme të rreme.
Ky ligj i lejon autoriteteve të fusin në burg çdonjërin prej bashkëpunëtorëve tanë. Në një vend ku nuk ekzistojnë gjykata të lira, kjo normativë i vret mediat e pavarura. Autoritetet mund të pretendojnë se asnjë lajm prej atyre që nuk duan të zbulojnë, nuk është i vërtetë. Nuk ka rëndësi që ne e kemi marrë lajmin nga burime të shumta, nëse e kemi verifikuar apo që kemi edhe fakte për të. Nëse sipas autoriteteve diçka përbën lajm të rremë, si për shembull viktimat civile të të ashtuquajturit "operacion special ushtarak " ose ushtarët rusë që janë vrarë, është e pamundur të vërtetohet se nuk është kështu.

Cili këndvështrim është më i afërt me atë që mendojnë rusët? Ai i autoriteteve apo i medias së pavarur?
Ka qendra shtetërore që studiojnë opinionin publik. Një prej këtyre është WCIOM, qendra për kërkimet e opinionit publik e kontrolluar nga autoritetet, që thotë se thuajse 70% e popullsisë mbështet politikën e Vladimir Putinit dhe për pasojë, mbështet edhe të ashtuquajturin operacion special ushtarak. Por ju lutem vini re se edhe shtetërorja WCIOM – që praktikisht është sikur shteti të pyesë vetveten – thotë se 30% e popullsisë, që në Rusi janë thuajse 50 milionë njerëz, nuk e mbështet. Në të njëjtën kohë, Qendra Levada, institucioni më profesional sociologjik në Rusi që është futur nga autoritetet në regjistrin e agjentëve të huaj, thotë se 70% e rusëve nuk e mbështet këtë operacion special ushtarak. Kjo është diçka shumë e rëndësishme.

Megjithatë në Poloni tani flitet më shumë për rusët që me sa duket qëndrojnë njëzëri në anën e Putinit.
Ndoshta në Poloni jo të gjithë e dinë se në Rusi kur bëhen këto sondazhe telefonike, pyetet: “Ju zonjë/zotëri, e mbështesni vendimin e Vladimir Putinit për të kryer një operacion special ushtarak në Ukrainë”. Pak njerëz vendosin të përgjigjen me “jo”. Gjithkush e di se duke qenë se dihet numri i telefonit, me siguri dihet edhe adresa. Njerëzit kanë frikë. Ekziston edhe një grup tjetër që përbëhet prej atyre që i besojnë propagandës. Propaganda është si rrezatimi. Nuk mund të qëndrosh pranë bllokut numër 4 të Centralit Bërthamor të Çernobilit dhe të mos jesh i kontaminuar nga rrezatimi. Nuk mund të jetosh në Rusi dhe t'i shpëtosh propagandës. Tani po bëhet edhe më e vështirë, autoritetet kanë bllokuar të paktën tridhjetë redaksi të pavarura.

Nobeli për Paqen në luftë kundër propagandës ruse: E
Faqja e pare e "Novaya Gazeta" më 9 mars.

Deri në ç’pikë e vërteta është e rëndësishme për rusët?
Sapo kam mbërritur në redaksi. Përpara hyrjes pashë një radhë shumë të gjatë, mendova se ndoshta McDonald’s ka vendosur të hapë sërish dyqanet e tij por zbulova se radha ishte për të blerë gazetën tonë. Hera e fundit që kam parë diçka të ngjashme, ka qenë fundi i viteve ’80. Njerëzit po blinin tani 100 deri në 200 kopje për kokë, që më pas i shpërndajnë gjithkund sepse më duhet të them që kioskat nuk e shesin më “Novaya Gazeta”. Shitësit e gazetave kërkonin të ndikonin tek ne mbi atë që vendosnim në faqe të parë, sepse kishin frikë nga hakmarrja. Ne nuk e pranuam këtë gjë. Kështu që refuzuan ta merrnin gazetën për shkak të kopertinës ku vendosëm Marina Ovsyannikova, gazetaren që protestoi kundër luftës në transmetimin direkt në televizion.

A kanë frikë autoritetet?
Nuk i besojnë popullit të tyre.

Kush është përgjegjës për censurën dhe mbylljen e mediave? Jo Roskomnadzor, rregullatori shtetëror i medias dhe internetit, i cili bllokon portalet e pavarura të lajmeve.
Administrata e Presidentit Putin. Është ajo që ka aq mosbesim ndaj rusëve sa vendos për ta se çfarë mund të lexojnë. Çfarë është media në botën tonë? Në një vend si i yni ku parlamenti nuk përfaqëson interesat e popullit? Në Rusi, interesat e popullit, të lexuesve, përfaqësohen nga mediat e pavarura, prandaj edhe autoritetet po i mbyllin.

Pse nuk ka protesta masive që të përfshijnë jo mijëra, por qindra mijëra njerëz?
Kur njerëzit dolën në rrugë për të protestuar kundër ndalimit të Alexei Navalny, u arrestuan masivisht, u rrahën dhe u dënuan. Policia sekrete ose zyrtarë nga e ashtuquajtura “Qendra E”, e cila lufton ekstremizmin por në fakt i ngjan më shumë shërbimeve sekrete, ende po mbajnë nën monitorim shumë nga këta njerëz. Nëse ju ndalojnë apo edhe ju vënë re, është e vështirë të merrni kredi, të shkoni në universitet, të largoheni. Autoritetet e ndryshojnë fatin e këtyre njerëzve. Dhe shoqëria i kupton pasojat. Të rriturit kanë frikë për fëmijët e tyre, të cilëve pjesëmarrja në protestë mund t’u shkatërrojë jetën, fatin, biografinë dhe karrierën. Nuk e di nëse janë të mundura protestat masive sot në Rusi. Çdo autokraci e armatos fort ushtrinë dhe policinë e saj. Ne e kemi parë këtë në Bjellorusi, ku në të vërtetë qindra mijëra njerëz protestuan kundër zotit Lukashenko. Kjo solli arrestime jashtëzakonisht brutale, rrahje, gjymtime, përdhunime dhe tortura në Qendrën e Paraburgimit Akrescin në Minsk. Unë nuk mund dhe nuk pretendoj që civilë të paarmatosur, joluftëtarë, t’i kundërvihen Gardës Kombëtare Ruse.

Atëherë çfarë mund të bëjnë rusët për ta ndaluar luftën në Ukrainë?
Pikë së pari, të mos u besojnë autoriteteve. Të kërkojnë në çdo peticion armëpushimin, shkëmbimin e robërve të luftës, shkëmbimin e trupave të të rënëve dhe krijimin e korridoreve humanitare.

Nje prej aksionerëve të "Novaya Gazeta" është Mikhail Gorbaciov, ish presidenti i Bashkimit Sovjetik, fitues i çmimit Nobel për Paqen...
Bëni mirë që e kujtoni këtë fakt. Gorbaciov e bëri botën më të sigurt, por edhe e hapi botën përpara Rusisë dhe Rusinë përpara botës. Mund të besosh sërish në Zot, të mësosh gjuhë të huaja, të shkosh në Krakovë dhe jo vetëm të blesh sallamin e Krakovës. Bota u bë më e aksesueshme dhe kjo ka qenë shumë e rëndësishme për brezin e ri, për atë brez që u edukua në mënyrë të ndryshme, që nuk u rrah me litar bythëve. Për atë brez që po studion, që është i interesuar për letërsinë, teatrin dhe ekspozitat. Dhe që po ashtu ka një etikë komplet të ndryshme, që e trajton trupin si një shtet me kufinj që nuk mund të kalohen nëse nuk thua dy herë “po”. Dhe autoritetet tona tashmë i kanë dhunuar edhe këta kufinj privatë të popullit. I kanë tejkaluar me një brutalitet që nuk mund të krahasohet as me pushtimin e Pragës në 1945, por vetëm me atë të vitit 1968. Autoritetet ruse nuk kanë pushtuar vetëm Ukrainën, për të cilën kam simpati të madhe dhe jam i zemëruar sepse është e pamundur të shohësh me qetësi filmimet që dokumentojnë atë çfarë po ndodh atje; autoritetet ruse gjithashtu kanë pushtuar dhe kanë shkatërruar jetën e të rinjve rusë.

Janë pikërisht të rinjtë rusë që kritikojnë dhe e dënojnë me më shumë forcë vendimine autoriteteve ruse, teksa prej kohësh kanë pëlqim për Ukrainën.
Shoqëria jonë është përçarë. Të vjetrit nuk gëzojnë më autoritet në Rusi. Si mundet që të rinjtë t’i respektojmë më të moshuarit, që përsërisin propagandën duke thënë se në Ukrainë ushtria ruse po lufton kundër nazistëve? Të rinjtë nuk e besojnë këtë, nuk janë manipuluar nga televizioni shtetëror. Jemi në një gjendje lufte civile mes brezash. Për faj të kësaj që ka ndodhur, njerëzit e brezit tim nuk do të jenë në gjendje të flasin me ukrainasit pa u ndjerë në faj. Pa ndjerë urrejtjen e tyre. Diçka mund të ndryshojë vetëm tek të rinjtë. Njëzetë vjeçarët e sotëm kanë një ndjeshmëri tjetër dhe janë kategorikisht kundër luftës.

A mundet që ky konflikt mes brezash të sjellë edhe ndonjë ndryshim në nivel pushteti?
Jo, sepse nuk ka konflikt në nivel pushteti. Në Facebook qarkullojnë shumë teori që thonë se shumë shpejt do të kemi një ndryshim pushteti prej ndonjë grushti shteti. Nuk e besoj. Për më tepër që në Rusi nuk ka ndasi brenda elitës, madje këta njerëz janë më të bashkuar se kurrë. Kurrë nuk ka pasur një qeveri më besnike në Rusi. Këta njerëz janë aq të frikësuar për vetën, për familjet dhe fëmijët e tyre, saqë janë mbledhur rreth presidentit rus dhe qëndrojnë pranë tij në një rreth të ngushtë.

Çfarë mendimi ka Putini për botën?
Më kujton piramidat egjiptiane. As një brisk nuk mund të depërtojë brenda ideve të tij. Është i bindur në drejtësinë dhe në pagabueshmërinë e tij. Sipas tij, Rusia është një kështjellë e madhe e vetë-mjaftueshme me shumë armiq, kryesori prej të cilëve është Perëndimi.

Në një intervistë ju keni thënë se Putini është “pjesëmarrës në Luftën e Dytë Botërore”. Çfarë nënkuptoni?
Kam përshtypjen se Vladimir Putini jeton në të shkuarën. Ai vetë nuk ka marrë pjesë në Luftën e Dytë Botërore sepse në atë kohë s’kishte ardhur në këtë botë, por më duket sikur kërkon të korrë një fitore personale në këtë luftë. Shohim qartë se si për shkak të tij shoqëria është armatosur dhe thuhet se patriotizmi lidhet me marshimin dhe me veshjen e uniformës. Sot, Putini dëshiron të mbrojë dhe konfirmojë rezultatet që ai i konsideron të sakta. Dëshiron të fitojë.

Nobeli për Paqen në luftë kundër propagandës ruse: E
Dmitry Muratov në Akademinë Suedeze

Ju mendoni se elitat politike i besojnë vërtetë propagandës.
Është e vërtetë. Autoritetet udhëheqin procesin e krijimit të propagandës për popullin. Pastaj edhe përfaqësuesit e pushtetit shohin dhe gjykojnë se sa mirë e kanë kryer propagandistët detyrën që u është besuar. Problemi është se gradualisht autoritetet fillojnë ta besojnë vetë atë që kanë shpikur për të mashtruar rusët. Edhe në psikiatri ekziston fenomeni i të ashtuquajturit “vetëinduksion”, ku njeriu fillon të besojë në atë që shpik, duke pretenduar se bëhet fjalë për një realitet objektiv. Kjo është një nga shtyllat kryesore që i shërben bashkimit të pabesueshëm të elitave politike. Dhe vetë elitat duke besuar propagandistët, ishin të bindur se populli i Ukrainës do ta priste ushtrinë ruse me hedhje lulesh dhe se Vladimir Putini po çlironte Ukrainën. Janë tejngopur me propagandë aq sa tani po e vjellin në të gjithë Rusinë.

Vetëm se edhe propagandistët duket se e humbasin besimin në propagandën që përhapin.
Ovsyannikova nuk do ta ndryshojë këtë botë. Ajo nuk ishte prezantuese dhe as imazhi i televizionit federal, por thjesht një prej redakotreve të lëna jashtë fokusit. Ky nuk është një trend. Rrallë herë propagandistët dhe përfaqësuesit e elitave politike shfaqen duke qëndruar në këmbë nëpër televizionet tona dhe në prani të presidentit, që për më tepër dridhen prej frikës. E dini pse? Sepse veshin pelena.

*Dmitry Andreyevich Muratov është gazetar rus, bashkëthemelues dhe kryeredaktor i “Novaya Gazeta”. Në vitin 2021 së bashku me gazetarin Maria Ressa fitoi çmimin Nobel për Paqen me motivacionin “për kurajon e tyre për të luftuar për lirinë të shprehurit në Filipine dhe Rusi.” Në Rusi, aktualisht janë mbyllur të gjitha mediat e lira. Shumë gazetarë janë larguar dhe po punojnë nga jashtë vendit. Kjo intervistë me Dmitry Muratov nga Wiktoria Bieliaszyn për gazetën polake “GazetaWyborcza” u përkthye në shqip nga Erjon Uka.