Shënime në Blog

Nuk ka dashuri të vërtetë pa trup

Nuk ka dashuri të vërtetë pa trup

Nga Slavoj ?i?ek/ Në Irlandë, “Health Service Executive”, pra shërbimi publik që ofron asistencë shendetësore në spitale dhe në komunitet, ka dhënë disa këshilla se si të përshtatet aktiviteti seksual në kohën e koronavirusit. Ja dy rekomandimet kryesore: “Vlerësoni mundësinë për të pezulluar ndërveprimet fizike ballë për ballë, dhe aq më tepër nëse zakonisht u drejtoheni faqeve të internetit të dedikuara për gjetje partnerësh, ose nëse jeni një punëtore ose punëtor seksi. Merrni në konsideratë mundësinë për të përdorur video-takimet, shkëmbimin e mesazheve erotike dhe bisedat në chat. Sigurohuni të dezifektoni tastierat dhe ekranet e celularit të ndarë me të tjerët. Masturbimi nuk e përhap koronavirusin, mbi të gjitha nëse keni largpamësinë për të larë duar (dhe çdo lodër seksi) me ujë dhe sapun për 20 sekonda, para dhe pas”.

Këshilla kuptimplotë. Ndër të tjera, çojnë në përfundim edhe një proces progresiv dixhitalizimi të jetës që kishte nisur me kohë. Sipas statistikave, adoleshentët sot kalojnë shumë më pak kohë në ekplorimin e seksualitetit se sa në socializim në internet ose në eksplorimin e drogave. Ndoshta bëjnë edhe seks, por ta bësh në një hapësirë virtuale (me pornografi) a nuk është më e thjeshtë, a nuk jep një shpërblim të menjëhershëm?

Ja pse “Euphoria”, një seri e re televizive amerikane (që siç thotë traileri, ndjek një grup nxënësish të shkollave të mesme në kontaktet e para me drogën, seksin, identitetin, traumat, rrjetet sociale dhe miqësinë), është thuajse e kundërta e përfaqësimit të jetës së vërtetë të adoleshentëve sot. Mbetet e jashtme për botën e të rinjve dhe për këtë arsye, përshkohet me anakronizëm. Duket më tepër një ushtrim nostalgjie për të rriturit mbi llojet e çoroditjeve për të cilat të rinjtë dikur ishin të aftë.

Por në këtë pikë duhet të bëjmë edhe një hap tjetër përpara: po sikur seksi “real” të mos ketë ekzistuar kurrë pa një suplement virtual ose fantastik? Zakonisht masturbimi përkufizohet si “ta bësh me vetveten teksa imagjinon sikur po e bën me një partner”. Po sikur seksi real në një farë mënyrë të ishte gjithmonë masturbim në prezencë të një partneri real? Çfarë dua të them?!

Në një artikull në “Guardian”, Eva Wiseman bën një reflektim për një monent preciz të “The butterfly effect”, podcast i Jon Ronson që përshkruan në ç’mënyrë pornografia ka shkundur botën e internetit. “Në skenën e një filmi pornografik, një aktor humbi ereksionin në mes të aktit. Për ta rifituar, u largua nga gruaja, e cila ishte krejt lakuriq poshtë tij, mori telefonin dhe nisi të kërkonte një video në Pornhub. Është një shenjë qartësisht apokaliptike. Ka diçka të kalbur në gjendjen ku ndodhet seksi”, shkruan Wiseman.

Jam dakord, por do të shtoja leksionin e psikoanalizës: ajo kalbësirë përbëhet nga esenca e seksit. Seksualiteti njerëzor është pervers, i ekzpozuar ndaj prirjeve sadomazokiste dhe mbi të gjitha ndaj një kombinimi mes realitetit dhe fantazisë. Edhe kur ndodhemi me një partner, ndërveprimi seksual ngatërrohet në mënyrë të koklavitur me fantazitë. Me fjalë të tjera, çdo ndërveprim seksual strukturohet potencialist si “masturbim në prezencë të një partneri real”.

Mishi dhe trupi i partnerit janë një objekt skenik që lejojnë realizimin e fantazive personale. Nuk mund ta zvogëlojmë këtë hendek mes realitetit të trupit të partnerit dhe universit të fantazive në një shtrëmbërim që vjen nga patriarkati apo nga shfrytëzimi: ai hendek ekziston qysh prej fillimit.

Ndaj e kuptoj mirë aktorin që për të arritur në ereksion, kërkoi ndihmën e Pornhub. I duhej një mbështetje fantazie. Është për të njëjtën arsye që gjatë seksit, një partner i kërkon tjetrit të vazhdojë të flasë, të thotë diçka të “ndyrë”. Edhe kur vetë “gjëja” mbahet në duar (trupi nudo i personit që duam), kjo prezencë duhet të jetë gjithmonë e integruar me fantazitë e shprehura përmes fjalëve.

Sigurisht që puna me aktorin arriti në atë pikë, sepse nuk kishte një marrëdhënie dashurie me aktoren. Nëse do të ishte i dashuruar, ai trup do të përfaqësonte diçka me rëndësi për të, sepse çdo prejkje do të ngacmonte thelbin e subjektivitetit të gruas. Kur bëhet dashuri me dikë, prekja e trupit është thelbësore. Klisheja se dëshira seksuale është fizike ndërsa dashuria është shpirtërore duhet të përmbyset: dashuria seksuale është shumë më fizike sesa seksi pa dashuri.

A do ta kufizojë pandemia seksualitetin dhe a do të përhapë dashurinë në distancë pa prekje? Sigurisht do të rrisë lojërat dixhitale erotike. Sidoqoftë, shpresoj që epidemia të na bëjë të rivlerësojmë kontaktin intim fizik, që të mund të mësojmë përsëri mësimin e Andrej Tarkovskij, për të cilin toka, lënda e lagësht, nuk është në kundërshtim me shpirtëroren, por është mjeti për te shpirtërorja. Në kryeveprën e Tarkovskijt, “Pasqyra”, babai i tij, Arsenij Tarkovskij, reciton vargjet autor i të cilave është vetë: "Pa trup, shpirti turpërohet / si një trup i zhveshur". Pervers është masturbimi përballë imazhesh pornografike, ndërsa kontakti fizik është rrugëtimi drejt shpirtit.

*Slavoj ?i?ek është filozof, sociolog dhe akademik slloven. Studiues i marksizmit, idealizmit gjerman dhe i psikanalizës lekaniane, është i njohur për përballjen me temat e aktualitetit duke bashkuar konceptet filozofike me kulturën popullore. Artikulli u shqipërua nga Erjon Uka.