Shënime në Blog

Përgjegjësia e lirisë

Përgjegjësia e lirisë

Me rënien e Bashkimit Sovjetik, papritur Europa Lindore e pa veten të lirë. Por liria, reflekton gazetari dhe shkrimtari polak Witold Szablowski, nuk është diçka që mund t’i jepet pa udhëzim dikujt që s’e ka njohur kurrë: ajo mbart në vetvete shumë përgjegjësi. Dhe ekziston rreziku që kush e merr lirinë, s’di ç’të bëjë me të. Kjo është teza kryesore e librit të Szablowski mbi nostalgjikët e komunizmit, që vjen si një përmbledhje reportazhesh ndër vite nëpër vende e bllokut sovjetik duke përfshirë Kubën.

Pra liria mësohet, ashtu si “Arinjtë kërcimtarë” që i japin titullin librit. Janë kafshë që romët i stërvisnin me hekur dhe alkool, një lloj sporti popullor derisa Bashkimi Europian e bëri të paligjshëm. Këtyre kafshëve, të torturuara nga traumat dhe tumoret e robërisë, pasi shpëtohen, duhet t'u mësohet gjithçka. Praktikisht duhet t’u mësohet si të jenë arinj. Liria e tyre ka kufijtë e shenjtorit që i pret, sepse në natyrë do të vdisnin. Por pavarësisht kujdesit dhe përpjekjeve për ta bërë ariun të harrojë të kaluarën e tij si skllav, "pothuajse të gjithë arinjtë kërcejnë ende sot", shkruan Szablowski.

A mendoni se pushtimi rus ndaj Ukrainës do të heqë qafe çdo nostalgji sovjetike?
Gjithmonë do të ketë dinosaurë nostalgjikë. Bëhet fjalë për njerëz që s’kanë gjetur alternativa më të mira në demokraci dhe të cilëve u mungojnë kohët e shkuara. Por Rusia sigurisht nuk u kujtoi vetëm ukrainasve, por gjithë rajonit, që askush nuk donte të ishte pjesë e botës që po ndërtonin rusët. Të vjen ndër mend pushtimi sovjetik të Afganistanit, apo agresionet në Hungari dhe Çekosllovaki. Unë vuaj për Ukrainën, por edhe për rusët që jetojnë në atë vend të tmerrshëm imperialist. Njoh shumë prej tyre dhe mendoj se meritojnë më shumë.

A mund të përdoret nostalgjia si arma e radhës e propagandës ruse ndaj Perëndimit?
Sigurisht që Putini e provon, por besoj se e ka mbivlerësuar potencialin ashtu siç ka mbivlerësuar edhe forcën e ushtrisë së tij. Njerëzit që realishte mbajnë mend komunizmin, pra ata që e kanë jetuar duke punuar dhe duke pasur fëmijë në atë kohë, tashmë janë 60 vjeç. Shumë shpejt do të bëhen si stalinistët e vjetër që nuk linin sebep pa demonstruar me fotot e Stalinit. Diçka piktoreske, por mbetet e pavlerë.

Gjatë udhëtimeve tuaja, a i keni pyetur njerëzit vallë se çfarë mendonin për Putinin?
Kam shkruar një tjetër libër mbi mënyrën se si Rusia arrin me vulgaritet të përdorë diçka si ushqimi për ndërtimin e perandorisë së saj. Kam kaluar shumë kohë aty dhe në Ukrainë për të shkruar mbi Çernobilin, siç kam shkruar për luftën në Afganistan dhe nuk kam gjetur asnjë që ta pëlqejë Putinin. As rusë. Përkundrazi, më është krijuar përshtypja se do të ishin të lumtur nëse do të mund ta zëvendësonin me dikë tjetër. Rusët e zotë, si regjisori Andrei Konchalovsky, të cilin e kam njohur personalisht, e dinë se Rusia nuk përdor as 10% të potencialit që ka.

A keni mbetur në kontakt me ndonjë prej njerëzve që keni takuar gjatë reportazheve tuaja?
Po, me njerëzit e Estonisë. Dy vjet më parë shkova t’i takoj, teksa xhiroja një dokumentar për rusët që jetonin atje. U trondita nga ndryshimi i madh: estonezët ia kishin dalë t’i ndryshonin rusët e “tyre” dhe t’i integronin në shoqëri. T’i “estonizonin” nëse mund të thuhet.

Metafora e ariut: Si e kanë pritur në Poloni?
Le të themi se nuk ishin shumë të lumtur që po krahasoheshin me një kafshë të rritur në ligësi. Por pasi lexon librin, kuptohet lehtë se ku qëndron metafora. Ajo ka të bëjë me çmimin që duhet të paguajë secili prej nesh për lirinë e tij. Ajo që po ndodh në Ukrainë është një shembull i mirë i kësaj.

Çfarë ariu është Polonia?
Herë një ari i lirë, herë një ari kërcimtar. Jemi të lirë kur mbështesim fqinjët tanë ukrainas. Në këto raste unë ndihem krenar që jam polak. Ndërsa kërcimtarë jemi kur u japim pushtet politikanëve që dinë vetëm të premtojnë. Kam ndër mend të djathtën, e cila është në pushtet prej gjashtë vitesh.

A duhet vërtetë që ta mësojmë lirinë? Dhe duke folur metaforikisht, a do të reshtin ndonjëherë arinjtë së kërcyeri?
Para së gjithash duhet t’u mësojmë njerëzve se si funksionojnë shoqëritë dhe partitë. Kur mbaron shkollën e mesme në Poloni, mund të dish shumë mirë se çfarë ka brenda një bretkose, por nuk dihet se si duhet të jetë një debat politik. Në përgjithësi, duhet t’i kushtojmë më shumë rëndësi edukimit, sepse bëhet fjalë për diçka që e kemi humbur gjatë tranzicionit. Sa i takon arinjve, po, mundet të ndalojnë së kërcyeri. Ukrainasit shihen qartë në këtë moment. E vetmja gjë e qartë është se s’po kërcejnë. Lufta e tyre kundër Putinit duhet të jetë kapitulli i fundit i këtij libri. Ne jemi përgjegjës për një komb të tërë që ka besuar në vlerat tona dhe në fjalët tona të bukura. Nëse i braktisim tani, çfarë kuptimi kanë ato fjalë dhe ato vlera?

Witold Szablowski është gazetar dhe shkrimtar polak, i nderuar me mbi 10 çmime për hulumtimet e tij dhe librat e botuar. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.