Shënime në Blog

PISA na tregoi se nuk kemi nxënës të shkëlqyer

PISA na tregoi se nuk kemi nxënës të shkëlqyer
Erjon Uka

Praktikisht PISA na thotë se Shqipëria nuk përgatit “nxënës të shkëlqyer”, ose për t’iu referuar termave të raportit, “top performers”. Nxënësit shqiptarë, pavarësisht notave të mira, kanë njohuri bazike në lexim, matematikë dhe në shkencë. Vetëm një numër jashtëzakonisht i vogël nxënësish, që në raport konsiderohet “i papërfillshëm”, arrin të ketë të njëjtat rezultate me bashkëmoshatarët në Finlandë, Kore, Singapor, Suedi, Kinë apo Kanada. Pra, edhe ata të shkëlqyer që përgatiten në Shqipëri vijnë si rezultat i punës së tyre personale, jo prej nxitjes së sistemit.

Suksesi në shkollë është “detyrë” për çdo nxënës, që i imponohet nga familja, shkolla dhe ndoshta edhe shoqëria. E nëse arrihet ky sukses, merret thuajse i mirëqenë edhe suksesi në jetë. Kjo mund të duket e logjikshme, por nuk është tërësisht e vërtetë. Një prej arsyeve për të cilat është krijuar PISA është pikërisht kjo, si një testim për të vlerësuar performancën e nxënësve në shumë vende të botës, me një frekuencë 3-vjeçare. Pra për të parë se sa nxënësit mund t’i aplikojnë në situata reale dijet e marra në shkollë, sa u shërbejnë realisht orët e gjata të studimit dhe cila është cilësia e arsimit që marrin.

PISA për herë të parë është implementuar në vitin 2000. Prej atëherë, Shqipëria nuk ka marrë pjesë vetëm në dy testime: në atë të vitit 2003 dhe të vitit 2006. Në rezultatet e sapopublikuara për vitin 2018, 15-vjeçarët shqiptarë janë në mënyrë të ndjeshme poshtë mesatares së vendeve të OECD. Krahasuar me vitin 2015, rezultatet janë të njëjtat në lexim, janë më të mira në matematikë dhe më të dobëta në shkencë. Nga viti 2000, duhet thënë se rezultatet janë lehtësisht të përmirësuara, megjithëse mbetemi sërish në grupin e vendeve poshtë-mesatares. Dhe kjo ndodh për shumicën e vendeve, të cilat “lëkunden” thuajse gjithmonë në habitatin e vet. Në testin e PISA-s kryesojnë vendet aziatike si Kina, Singapori e Korea e Jugut, të ndjekura nga vende të Europës Veriore si Estonia, Finlanda, Suedia e më tej vende si Kanadaja, Irlanda, Polonia etj.

Rezultatet e PISA-s treguan se një numër thuajse i papërfillshëm nxënësish shqiptarë mund të dallojnë qartësisht opinionet nga faktet gjatë leximit të një teksti. Një numër po kaq i vogël mund të trajtojë koncepte abstrakte dhe të lexojë tekste të gjatë e të ndërlikuar. Nga ana tjetër, në matematikë vetëm 2% e nxënësve e kaluan Nivelin 5 të provimit të PISA-s, ku mesatarja e OECD është 11%. Edhe në shkencë, në raportin e PISA-s thuhet se “një numër i papërfillshëm nxënësish mund të quhen të shkëlqyer në shkencë, pra të tejkalojnë Nivelin 5 ose 6. Mesatarja e OECD është 7%”. Këta nxënës mund të zbatojnë në mënyrë kreative dhe të pavarur dijet e tyre shkencore në situata të ndryshme të jetës së përditshme, por edhe në situata të panjohura.

Praktikisht raporti i PISA-s na thotë se Shqipëria nuk përgatit “nxënës të shkëlqyer”, ose për t’iu referuar termave të raportit, “top performers”. Nxënësit shqiptare kanë njohuri bazike në lexim, matematikë dhe në shkencë. Vetëm një numër jashtëzakonisht i vogël nxënësish, që në raport konsiderohet “i papërfillshëm”, arrin të ketë të njëjtat rezultate me bashkëmoshatarët në Finlandë, Kore, Singapor, Kinë apo Kanada. Raporti i PISA-s merr më shumë vlerë se kurrë pikërisht sot e në vazhdim, kur tregu global është realitet i pashmangshëm dhe konkurrenca nuk po i njeh më kufijtë.

PISA na tregoi se nuk kemi nxënës të shkëlqyer

Sikundër kam argumentuar edhe në një shkrim të mëparshëm, për të qenë të shkëlqyer nuk mjaftojnë notat e mira në shkollë, por duhet nxitur imagjinata, aplikimi i dijeve në realitet dhe tashmë PISA tregon se nuk duhet të harrojmë të krahasohemi edhe me të tjerët. Kolegët e sotëm në bankat e shkollës do të jenë konkurrentët e nesërm në një intervistë në “Skype”.

Ky raport gjithmonë ngjall debate në vendet që duan të jenë pjesë e më të mirave, në vendet që duan të tejkalojnë mesataren e vendeve të OECD-së e sigurisht edhe në vendet që tradicionalisht qëndrojnë në fund të klasifikimit. Por PISA me rezultatet e saj tregon se arsimi është një proces i vazhdueshëm afatgjatë dhe ndryshimet nuk mund të priten nga një vit në tjetrin. E njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë, ku trendi pozitiv është inkurajues, megjithëse aspak i mjaftueshëm. Nëse do të bënim diskutime idealiste, natyrisht do të kërkonim që nxënësit tanë të ishin shumë më lart në renditje, e nëse do të bënim diskutime miope, do të thoshim se filan ministër paska arritur rezultate më të mira se fistek ministre.

PISA me rezultatet e saj tregon se arsimi është një proces i vazhdueshëm afatgjatë dhe ndryshimet nuk mund të priten nga një vit në tjetrin.

Por a është kjo reale? Natyrisht që jo. Shkolla jonë ka pësuar shumë ndryshime përgjatë këtyre viteve, janë bërë eksperimente sipas praktikave “më të mira” europiane e botërore, por që jo rrallë herë kanë përfunduar në kaos të plotë pasi janë zbatuar. Në vazhdimësi ministritë nuk kanë sjellë inovacion, por kanë kopjuar. E s’do mend se mes inovatorëve dhe kopjacëve, suksesi do të jetë gjithmonë për inovatorët. Në një vend ku shumë gjëra nuk shkojnë siç duhet, nuk mund të pretendosh se arsimi mund të shkojë fjollë, sepse nëse ka një sektor që preket njëkohësisht nga ekonomia dhe kultura, nga siguria dhe politikat sociale, nga politika dhe shëndeti, është pikërisht arsimi.

Në një shkrim për aftësitë e shkëlqyera shkollore të fëmijëve finlandezë, Jukka Sarjala thoshte se vetëm faktet që lidhen me sistemin shkollor nuk mund t’i shpjegojnë rezultatet e mira të finlandezëve. “Duhen marrë parasysh edhe kushtet e shoqërisë në përgjithësi. Dy nga faktorët më të rëndësishëm që mbështesin aftësinë për shkrim e lexim në Finlandë janë kultura që nxit të lexuarin si dhe tradita e gjatë me të… Finlandezët janë lexues e dashamirës të librave dhe revistave dhe shtëpitë e finlandezëve kanë mesatarisht më shumë libra se shtëpitë e europianëve të tjerë”, shkruante Sarjala, ish-Drejtor i Bordit Kombëtar të Arsimit në Finlandë.

Prandaj do të ishte gabim që ky raport të përdoret sot për sot për beteja ditore politike. Si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovën e cila renditet e treta nga fundi, duhet të kihet vullneti dhe serioziteti që ai raport të printohet, të vendoset mbi tryezat e duhura dhe mbi të, të nisë një punë që rezultatet nuk do t’i tregojë sot, por pas disa dekadash. Çdo pretendim për rezultate të menjëhershme është utopi, ndërsa çdo premtim që garanton suksesin me tre-katër urdhra brenda një mandati është gënjeshtër./ Tiranapost.al.