Shënime në Blog

Prestigji i së keqes

Prestigji i së keqes

Asnjë magjepsje trilluese. Javier Marías - i cili për më shumë se njëzet vjet ka ndërthurur punën e jashtëzakonshme si shkrimtar me përkushtimin qytetar, shpesh kundër rrymës përmes artikujve të së dielës që zakonisht i kushtohen politikës - e ka dënuar gjithmonë Vladimir Putinin pa fjalë të ndërmjetme dhe pa indulgjenca, duke treguar për bëmat e tij të liga në timonin e Rusisë në "kolumnat" e përmbledhura tani në këtë vëllim që kam përballë me titull “¿Será buena persona el cocinero?”, të botuar pak ditë më parë në Spanjë. "E keqja është diçka shumë e thjeshtë," më thotë kur i përgjigjet telefonatës sime prej shtëpisë së heshtur me pamje nga qyteti i vjetër e i zhurmshëm i Madridit.

Fabula e romanit të tij të fundit “Tomás Nevinson” udhëhiqet nga një “dilemë morale”: a është legjitime të vrasësh kur ke për qëllim të shmangësh një të keqe më të madhe? Për këtë arsye kujtohen dy burra - në një film dhe në realitet - të cilët do të kishin pasur mundësinë të vrisnin Hitlerin: njëri nga të dy, shkrimtari gjerman Friedrich Reck-Malleczewen, katolik dhe konservator, u takua me Fyhrerin e ardhshëm në vitin 1932, pa truprojat e tij, në një restorant në Mynih. Më pas shkroi se nëse do ta dinte ferrin që do të mbërrinte në Europën tonë, me siguri do ta kishte qëlluar Hitlerin. Duke vazhduar paradoksin, unë e pyes autorin e "Një zemër kaq e bardhë" nëse edhe vrasja e liderit të Kremlinit mund të konsiderohet - nga ky këndvështrim - një akt legjitim. "Mendoj se po të ndodhte, shumica nuk do të trishtohej", thotë ai.

Putini ndodhet në vendin e tij. Nga sa ka ndodhur, çfarë ideje keni për njeriun që vendosi të pushtojë Ukrainën?
Ndër vite e kam vëzhguar shumë. Duket sheshit se është një mburravec. Një dhunues do të thoja. Problemi më i madh është se kur një mburravec vendos të ndërmarrë një hap të rëndë si ky, është e pamundur që ai të bëjë prapa-kthehu. Do të ishte shumë e rëndë nëse planet nuk i shkojnë siç duhet. Do ta vazhdojë këtë gjë me të gjitha kostot. Herët a vonë do të fitojë, sepse diferenca mes forcave në fushëbetejë është tepër e madhe, por nuk do të arrijë asgjë tjetër veçse një sukses ushtarak. Në këtë kuptim, nuk besoj se nga ana e Rusisë mund të bëhen lëshime apo kompromise.

A është ai një personazh, “i keqi klasik”, që nxit kureshtjen e një shkrimtari si ju?
Jo, jo shumë. Nuk ndaj aspak interesin e kohës sonë për personazhet e ligj. Ndoshta gjithmonë ka ekzistuar ky interes, por gjatë viteve të fundit është ekzagjeruar. Më duket sikur e keqja ka fituar një “prestigj” me të cilin unë nuk jam dakord. Nuk them se një personazh i keq s’mund të jetë edhe inteligjent. As nuk mendoj se Putini është budalla, madje duket qartë se është mendjemprehtë dhe dinak. Por fundja fundit ligësia është e thjeshtë. Goxha më e ndërlikuar është mirësia. Ose në mos mirësia, janë shumë të ndërlikuar njerëzit që kanë kontradikta. Në rastin e presidentit rus, ligësia është vetëm një dëshirë për kontroll dhe dominim. Kemi parë vitet e fundit mënyrën se si qeveriste ai: duke helmuar, duke burgosur dhe duke eliminuar të gjithë ata që e shqetësonin. Rusia është një vend pa liri: ai ndryshoi Kushtetutën për të qëndruar në pushtet përgjithmonë.

A e do ndokush?
Është interesante që në Perëndim Putini ka pasur mbrojtës që kanë qenë kundërshtarë në politikë. Nga njëra anë e djathta ekstreme - Salvini, Le Pen, Zemmour, Vox - dhe nga ana tjetër një lloj e majte si Podemos në Spanjë apo Mélenchon në Francë, që sot i shmangen dënimit të qartë të pushtimit.

Cili është mendimi juaj për atë pjesë të botës pacifiste që kundërshton armatosjen e Ukrainës?
E majta politike nën ombrellën e një pacifizmi hipokrit thotë se të ndihmosh Ukrainën ushtarakisht do të thotë përkeqësim i luftës. Pra, çfarë duhet të bëjmë: t’ia lejojmë vetes të na sulmojnë dhe të na pushtojnë? Shumë kritika ndaj Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe Europës.

Ka nga ata që thonë se lufta ka dobësuar frontin populist europian. Çfarë mendimi keni?
Mundet, por nuk besoj se është ky shqetësimi kryesor i presidentit rus. Vitet e fundit, Putini është përpjekur të destabilizojë Bashkimin Europian, të ushqejë lëvizjet separatiste, të ndikojë në zgjedhje. Kjo është ajo që ka ndodhur, kjo është ajo që mbetet.

A mund të rimarrë fuqi ideja e demokracisë falë shembullit të një vendi demokratik të pushtuar që po i reziston agresionit?
Ndoshta po. Por e sigurt është se Rusia megjithëse do të rrënohet e do të izolohet, gjithsesi do ta çojë në fund luftën. Bëhet fjalë për një ngushëllim të hidhur. Do të jetë një vend me ekonomi të shkatërruar që në të ardhmen do t’i ndjellë më pak frikë botës.

A e pranoni tezën sipas së cilës një tepricë autokritike e ka dobësuar botën perëndimore, duke e lënë të papërgatitur ndaj kërcënimeve?
Patjetër që ka mundësi. Unë kam folur shpesh për tendencën absurde të viteve të fundit për të kërkuar falje. Më duket një arrogancë shumë e rëndë: nuk mund të kërkojmë falje për diçka që ka bërë dikush tjetër ose ndonjë që ka vdekur prej shekujsh. Po, perëndimi ka përjetuar një ndjejë të ekzagjeruar faji.

Mendoni se reagimi i komunitetit ndërkombëtar ndaj "operacionit special ushtarak" të Rusisë ka qenë ai i duhuri?
Them se ajo që mund të bëhej është bërë. Ajo që nuk mund të bëhet është dërgimi i ushtarëve. Përgjithësisht ka pasur një ndjenjë indinjate dhe zemërimi. Për sa më takon mua, nuk isha fare i sigurt, pavarësisht zhvendosjes masive të trupave përgjatë javëve të mëparshme, se pushtimi do të ndodhte vërtetë. Dukej diçka e ekzagjeruar.

A mund të flitet për “angazhim” intelektual në një botë që duket se po kthehet në të shkuarën? Mund të bëhet diçka për të ndaluar të keqen?
Jo, mendoj se jo. Prej kohësh kam një rubrikë çdo të dielë në një gazetë. Në shumicën e rasteve ndjen se këto janë gjëra të kota. Por ka nga ata që më shkruajnë ose më falënderojnë sepse zbulojnë një këndvështrim tjetër, për shkak se i bëra të mendojnë. Rëndësia e intelektualëve ka rënë sepse shumë prej tyre kanë gabuar, kanë rrënuar prestigjin e tyre duke mbrojtur të pambrojtshmen. Të vjen lehtësisht ndër mend Sartre: që i ri flirtoi me nazizmin dhe pastaj përfundoi duke justifikuar Mao Zedong-in. Shumë prej tyre kanë mbështetur kauza të tmerrshme. Prandaj kemi humbur gjithmonë e më shumë aftësinë për të ndikuar. Nuk është se kemi shumë rëndësi, edhe nëse përpiqemi të bëjmë gjithë sa është e mundur për të ndihmuar njerëzit që t'i shohin gjërat ndryshe nga mendimet e përhapura të kohës sonë. Nuk jemi shumë larg aftësisë së rrjeteve sociale për të ndikuar te njerëzit sot. Imagjinoni çfarë mund të kishte bërë Goebbels këto ditë nëse mendojmë për tmerret që shkaktoi duke përdorur vetëm radion dhe gazetat. Dhe në krahasim me Trump dhe Putin, Goebbels është një nxënës.

Çfarë do të kishte menduar për këtë luftë babai juaj, filozofi Julián Marías, i cili jetoi në kohët e konflikteve të mëdha të shekullit të kaluar?
Nuk e di. Me siguri do të kishte menduar se Putini është një kriminel. Kjo është e qartë. Babai im ishte shumë optimist: Mendoj se ai do të ishte bindur për pamundësinë e krahasimit të pushtimit rus të Ukrainës me pushtimin nazist të Çekosllovakisë. Unë, që jam shumë më pak optimist se ai, në fakt mendoj të njëjtën gjë, sepse makina luftarake e Wehrmacht në atë kohë ishte jashtëzakonisht më e fortë se çdo tjetër, krahasuar edhe me atë ruse. Sigurisht, nëse do të përdornin armë bërthamore, gjithçka do të ishte ndryshe.

___

Dhe kështu ndahemi, pas këtyre fjalëve që mbartin frikë dhe keqardhjeje, duke iu rikthyer punës dhe librave. Në kërkim të një normaliteti të dukshëm. Me shpresën e përbashkët që katastrofa të mos kthehet në apokalips.

*Javier Marías është shkrimtar spanjoll i përkthyer në 42 gjuhë të botës. Në shqip, janë botuar romanet e tij “Një zemër kaq e bardhë”, “Nesër në betejë mendo për mua” dhe “Ashtu si dashuritë”. Kjo intervistë me Paolo Lepri u shqipërua nga Erjon Uka.