Shënime në Blog

Pse ngrihesh nga shtrati për të shkuar në punë, përveçse për pagën?

Natyra e qenies njerëzore është kryesisht produkt i shoqërisë në të cilën ajo jeton. Ne projektojmë natyrën njerëzore duke formuar institucionet në të cilat njerëzit jetojnë dhe punojnë.

Pse ngrihesh nga shtrati për të shkuar në punë,

Nga Barry Schwartz/ Pse punojmë? Pse ngrihemi nga shtrati çdo mëngjes? Ne e dimë që padyshim duhet të sigurojmë jetesën; por askush nuk e çon nëpër mend se është kjo përgjigja e pyetjes "Pse punojmë?". Për ne njerëzit, puna që bëjmë është një sfidë. Është tërheqëse, është frymëzuese, është kuptimplotë. Dhe nëse jemi me fat, mund të jetë edhe e rëndësishme.

Pra, nuk do të punonim nëse nuk do të paguheshim, por kjo nuk është arsyeja pse ne bëjmë atë që bëjmë. Dhe në përgjithësi mendoj se shpërblimet materiale janë një arsye mjaft e dobët për të kryer punën që bëjmë. Kur themi se dikush “qëndron atje për para” nuk po bëjmë thjesht një përshkrim të situatës.

E gjitha kjo është e qartë, por qartësia e madhe nxit një pyetje që e konsideroj shumë të thellë. Përse, nëse është kaq e qartë, përse për pjesën më të madhe të njerëzve në botë puna që ata bëjnë nuk zotëron asnjë prej karakteristikave që i bëjnë të ngrihen nga shtrati dhe të shkojnë në zyrë çdo mëngjes? Si është e mundur që ne lejojmë shumicën e njerëzve në planet të bëjnë një punë që është monotone, e pakuptimtë dhe që të sjell përgjumje të shpirtit? Si ndodh që, teksa kapitalizmi është zhvilluar, ai ka krijuar një mënyrë për të prodhuar mallra dhe shërbime në të cilat janë të ndaluara kënaqësitë jomateriale që mund të vijnë nga puna?

Punonjësit që bëjnë këtë lloj pune, pavarësisht nëse punojnë në fabrika, në qendra telefonike ose depo për grumbullimin e mallrave, e bëjnë për pagesën. Sigurisht që nuk ka asnjë arsye tjetër në botë pse ta bëjnë nëse nuk paguhen. Prandaj pyetja është: "Pse?" Dhe ja përgjigjja: është teknologjia.

Po, po, teknologjia, automatizimi shkatërron jetët e njerëzve e të tjera e të tjera... Nuk nënkuptoj këtë. Nuk po flas për atë lloj teknologjie që ka vënë përfund jetët tona. Nuk po flas për teknologjinë e objekteve sado interesante të jetë. Po flas për një teknologji tjetër. Po flas për teknologjinë e ideve.

Përveç krijimit të objekteve, shkenca krijon ide. Shkenca krijon mënyra të të kuptuarit. Dhe në të gjitha shkencat shoqërore, mënyrat e të kuptuarit që krijohen janë mënyra të të kuptuarit të vetvetes. Dhe ato kanë një ndikim të madh në mënyrën se si ne mendojmë, për çfarë aspirojmë dhe si sillemi.

Nëse mendoni se varfëria juaj është vullneti i Zotit, atëherë ju luteni. Nëse mendoni se varfëria juaj është rezultat i pamjaftueshmërisë suaj, tërhiqeni në dëshpërim. Dhe nëse mendoni se varfëria është rezultat i shtypjes dhe dominimit të të tjerëve, atëherë revoltoheni. Nëse përgjigjja juaj ndaj varfërisë është dorëzimi apo revolucioni, kjo varet nga mënyra se si e konceptoni origjinën e varfërisë suaj. Ky është roli që luajnë idetë në formësimin tonë si qenie njerëzore dhe pse idea mund të jetë teknologjia më e rëndësishme që mund të na japë shkenca.

Dhe ka një anë të veçantë teknologjia e ideve, që e bën atë të ndryshme nga teknologjia e objekteve. Me objektet, nëse teknologjia ta shpif, thjesht e zhdukim, apo jo? Një teknologji e keqe zhduket. Por idetë ama, idetë e rreme rreth qenieve njerëzore nuk zhduken lehtë nëse njerëzit besojnë se ato janë të vërteta. Sepse nëse njerëzit besojnë se janë të vërteta, këto ide krijojnë mënyra jetese dhe institucione që përputhen me ato ide të rreme. Dhe është kjo mënyra se si revolucioni industrial krijoi një sistem fabrikash në të cilat në fund të ditës nuk mund të merrje asgjë tjetër, veçse pagën.

Për shkak se një nga baballarët e Revolucionit Industrial si Adam Smith ishte i bindur se qeniet njerëzore për nga natyra ishin qenie dembele dhe nuk bënin asgjë nëse nuk u jepej një motiv. Mënyra për t'i dhënë atyre një motiv ishte t’i nxisje, t'u jepje shpërblime. Kjo do të ishte e vetmja arsye për të cilën dikush do të bënte diçka. Pra, ne kemi krijuar një sistem fabrikash në përputhje me një përfytyrim të gabuar të natyrës njerëzore. Dhe sapo sistemi i prodhimit arriti të konsolidohej, nuk mbeti asnjë mënyrë tjetër e mundshme për njerëzit që të punonin, përveçse në përputhje me vizionin e Adam Smith.

Puna është vetëm një shembull se si idetë e gabuara mund të krijojnë një rrethanë që i bën ato të vërteta. Nuk është e vërtetë që "nuk gjendet dot personel i vlefshëm". Nga ana tjetër, është e vërtetë se "nuk gjeni më personel të vlefshëm" kur gjithë sa u ofroni njerëzve është një punë poshtëruese dhe pa shpirt.

Dhe është mjaft interesante se vetë Adam Smith - i njëjti njeri që na ofroi shpikjen e jashtëzakonshme të prodhimit masiv dhe të ndarjes së punës - e kuptoi këtë. Për punëtorin e linjës së prodhimit ai tha: "Përgjithësisht bëhet aq budalla sa është e mundur për një krijesë njerëzore". Tani, le të përqendrohemi te folja "bëhet". " Përgjithësisht bëhet aq budalla sa është e mundur për një krijesë njerëzore."

Pavarësisht nëse e kuptonte apo jo, ajo që Adam Smith na thotë këtu është se forma e institucionit ku njerëzit punojnë krijon njerëz që u përgjigjen kërkesave të këtij institucioni dhe u privon atyre mundësinë për të marrë nga puna kënaqësitë që ne i marrim për të mirëqena.

Çështja është se në shkencë, në shkencën natyrore, ne mund të përpunojmë teori fantastike rreth kozmosit dhe të kemi sigurinë e plotë se kozmosi do të jetë krejtësisht indiferent ndaj teorive tona. Do të vazhdojë të funksionojë në të njëjtën mënyrë të mallkuar pa marrë parasysh cilat janë teoritë tona në lidhje me të. Por ne duhet t'u kushtojmë vëmendje teorive që formulojmë për natyrën njerëzore, sepse natyra njerëzore ndryshon nga teoritë që ne përdorim për të shpjeguar dhe për të kuptuar qeniet njerëzore.

Antropologu i shquar Clifford Geertz tha vite më parë se njerëzit janë "kafshë të paplota". Dhe ajo që donte të thoshte ishte se vetëm qenia njerëzore ka një natyrë që është kryesisht produkt i shoqërisë në të cilën ajo jeton. Kjo natyrë njerëzore, pra natyra jonë njerëzore, më së shumti krijohet sesa zbulohet. Ne projektojmë natyrën njerëzore duke formuar institucionet në të cilat njerëzit jetojnë dhe punojnë. Kështu që ju duhet t'i bëni vetes një pyetje. Çfarë lloj natyre njerëzore dua të ndihmoj të krijohet?

*Barry Schwartz është psikolog amerikan, i cili është pedagog në disa universitete në SHBA. Vazhdimisht publikon editoriale në “New York Times” dhe kryen kërkime në fushën e psikologjisë mbi ngjarjet aktuale. Ky artikull u përkthye nga Erjon Uka.