Shënime në Blog

Psikologjia e sharjes, ose pse nuk është aq keq ta lëshosh gojën ndonjëherë

Fjalët e pista na çlirojnë dhe madje mund të na lehtësojnë dhimbjet fizike. Ata që shajnë shihen si njerëz më të çiltër, por njëkohësisht edhe më pak profesionistë. Në vitin 1986 burrat mbanin përgjegjësi për 67% të sharjeve në publik, ndërsa në vitin 2006 përqindja ra në 55%, dhe kjo jo sepse burrat nisën të shanin më pak.
Psikologjia e sharjes, ose pse nuk është aq keq ta lëshosh

Nga Arthur C. Brooks/ Amerikanët e lëshojnë gojën aq sa s’i duroj dot. Sipas disa gjuhëtarëve, në çdo një mijë fjalë të shqiptuara, mesatarisht pesë janë sharje. Nëse mbahet parasysh se një numër i madh njerëzish nuk thonë vulgaritete kur flasin (një kërkim mbi një grup studentësh zbuloi se thuajse gjysma e tyre nuk thoshin fjalë të pista gjatë një bisede normale) i bie që kush i përdor thotë 9,43 fjalë të pista në një mijë fjalë. Megjithatë, në vitin 1986 burrat mbanin përgjegjësi për 67% të sharjeve në publik, ndërsa në vitin 2006 përqindja ra në 55%, dhe kjo jo sepse burrat nisën të shanin më pak.

Edhe nëse u ngjasoni shumë amerikanëve, në dy vitet e fundit jeni bërë paksa më skandalozë. Midis vitit 2019 dhe 2021, sharjet në Facebook u rritën me 41%, në Twitter me 27%. Me sa duket fëmijët thonë më shumë fjalë të ndyra. Të rriturit shajnë më shumë në punë.

Njerëzit që njoh e që nuk e kishin shthurur gojën kurrë përpara pandemisë, tani e bëjnë paksa më shpesh, ndërsa miqtë që ishin sharës të moderuar, tani janë bërë burim vulgariteti.

Fjalë dhe qëllime të ndryshme
Në pamje të parë, e gjitha kjo mund të duket një fakt negativ, provë që është rritur palumturia, një konfirmim i degradimit të përgjithshëm kulturor ose i gjithçkaje që na shtyn të themi fjalë të pista. Ose ndoshta këto fjalë janë thjesht një mënyrë për t’u lehtësuar paksa në momente të vështira. Në thelb, nuk janë një gjë e keqe. Në realitet, sharjet mund të jenë si negative ashtu edhe pozitive për ju dhe për shoqërinë. Sekreti është të kuptosh kur mund të shahet dhe kur është më mirë të evitohet.

Një sharje përfshin shumë fjalë dhe qëllime të ndryshme. Mund të ketë të bëjë me modifikimin e lehtë të një shprehjeje, “e hengërt dreqi sa i lodhur jam”, i ndonjë batute si “sipas gruas sime them shumë fjalë të pista, por për mua është trapllëk”, apo diçka vërtetë fyese që mund t’i japë fund karrierës apo martesës (nuk po jap shembuj këtu, sepse dua të mbaj si vendin e punës ashtu edhe të mbetem i martuar).

Ka një klasifikim të fjalëve të pista, sipas tekstit klasik të antropologut Montague Francis Ashley-Montagu “Anatomia e sharjes”, që ndahen në sharje të përgjithshme, “mallkime”, sharje ndaj dikujt, “mallkuar qofsh”, dhe blasfemi, “për atë Zot”.

Sharjet mund të jenë të vullnetshme ose të pavullnetshme. Në bazë të një studimi të publikuar në vitin 2006, më shumë se gjysma e sharjeve të vullnetshme lidhej me inatin dhe trysninë, 9% me ndonjë batutë dhe 6% me dhimbje. Ndërsa sharjet vërtetë të pavullnetshme – pra që nuk kontrollohen nga ai që i shqipton – janë shumë më të rralla dhe lidhen me çrregullime neurologjike si afazia (ku zakonisht dëmtohet qendra e të folurit e pozicionuar në hemisferën e majtë të trurit), Sindroma e Turetit (një mosfunksionim në qarkun nervor që lidh pjesët e trurit duke shkaktuar lëvizje të pavullnetshme dhe, në disa raste, shqiptime të paqëllimshme të fjalëve të pista) dhe disa shqetësime neurodegjenerative dhe autoimune.

Sipas psikologut Timothy B. Jay, sharja me qëllime armiqësore është një karakteristikë që dallon individët që kanë të ashtuquajturin personalitet të tipit A, të lidhur zakonisht me konkurrencën dhe agresionin. Sharjet shoqërohen me mungesë skrupujsh dhe mirësjelljeje. Studiuesit kanë zbuluar se mjekët që shajnë para pacientëve konsiderohen më pak të besueshëm dhe me më pak përvojë se ata që nuk shajnë.

Por që mos t’ju zërë tundimi i arritjes në përfundimin se fjalët e pista lidhen vetëm me tipare të pakëndshme të personalitetit, dua të theksoj se ato lidhen edhe me ndershmërinë. Autorët e tre studimeve të botuara në vitin 2017 në revistën “Social Psychological and Personality Science”, përfshirë njërin që ka analizuar thuajse 74 mijë reagime në rrjetet sociale, kanë zbuluar se “sharja lidhet me një numër më të vogël gënjeshtrash dhe mashtrimesh”.

Ndonjëherë fjalët e pista thjesht na bëjnë të ndihemi më mirë dhe mund të na japin lehtësim emocional. Sipas gjuhëtarit John McWhorter, autor i “Nine nasty words”, “ajo që ju nevojitet është një shpërthim i këndshëm dhe gjallërues që ju lejon të çlironi tensionin”. Edhe literatura akademike tregon se fjalët e pista lehtësojnë sëmundjet që lidhen me kontekstin social.

Madje mund të reduktojnë edhe dhimbjen fizike. Në vitin 2020, një grup psikologësh britanikë u kërkuan 92 personave të fusnin duart brenda ujit të akullt. Disave iu tha se mund të shanin, ndërsa të tjerëve iu kërkua që të mos thonin asgjë më shumë se sa ndonjë fjalë neutrale dhe jo vulgare, ose maksimumi ndonjë fjalë të shpikur aty për aty. Kush shau, e përballoi më mirë dhimbjen nga të ftohtin dhe e përjetoi me sportivitet eksperiencën krahasuar me ata që si sharje përdorën fjalën e shpikur. Por edhe vetë fjala e shpikur rezultoi se solli më shumë lehtësim emocional se sa fjala neutrale. Nuk është çudi, thonë disa studiues, që sharjet mund të ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes të pacientëve. Mos u habisni që ndonjë ditë doktori juaj t'ju kërkojë të thoni nja dy sharje dhe t'i telefononi të nesërmen në mëngjes.

Fjalët e pista mund t’i lëndojnë të tjerët, ose mund t’i bëjnë të qeshin. Mund të japin imazhin e një profesionalizmi më të ulët, por atij që i dëgjon mund t’i japë përshtypjen se gjendet përballë një njeriu më të çiltër. Pisllëqet që nxirren nga goja në mënyrë të pakontrolluar tregojnë një problem neurologjik; ato të kontrolluarat mund të çlirojnë vuajtje sociale dhe fizike. Në përgjithësi, sipas standardit të pjesës më të madhe të njerëzve nuk janë as një e keqe dhe as një e mirë absolute. Për të gjetur paqen e mendjes, unë propozoj tre rregulla për të përmirësuar teknikat e sharjes.

Përpjekje për vetëkontroll
Sharja mund të bëhet zakon, si një tik verbal që nuk ndalet edhe tek ata që nuk vuajnë nga afazia apo nga Sindroma e Turetit. Kjo tregon mungesën e metanjohjes, ose paaftësinë për të menaxhuar ndjenjat dhe reagimet, duke e lënë veten në kontrollin e tyre. Nga ana tjetër, lumturia lidhet me aftësinë për të menaxhuar veten, e cila nuk përputhet me shfryrjen e pamatur të një lukunie sharjesh kudo e kurdo. Nëse ndjehet nevoja për të ndaluar këtë zakon, mund të përdoret një nga metodat e shumta tashmë të testuara. Njëra është “arka e fjalëve të pista”, ku në një arkë apo në një enë vendosni para sa herë nxirrni nga goja ndonjë pisllëk. Është zakon i cili ekziston të paktën që nga shekulli i gjashtëmbëdhjetë, kur shprehjet mesjetare u bënë fjalë të pista.

Kufizimi i fjalëve të pista
Nëse merret vendimi për të sharë qëllimisht, më mirë të bëhet rrallë e për mall. Në shkencat sociale, ligji që me shumë mundësi mbizotëron ndaj gjithë të tjerëve është ai i “uljes së dobisë margjinale”, sipas së cilit dobia e një të mire ulet vazhdimisht kur disponueshmëria e saj rritet, për shkak se bëhet më pak e dëshirueshme. Nëse vendosni të lëshoni një bombë fyerjesh, mendojeni sikur të ishte një filxhan akullore: shijojeni një ose dy herë në javë, jo çdo ditë. Në këtë mënyrë sharjet do të ruajnë freskinë e tyre dhe secila do të sjellë përfitime për humorin tuaj.

Mos abuzoni ose mos i përdorni për të ngacmuar të tjerët
Disa studiues kanë zbuluar se sharjet janë më fyese kur përdoren për të sulmuar ose keqtrajtuar dikë. Kjo mund të ndihmojë për të shpjeguar pse rrjetet sociale, ku njerëzit shajnë më shumë sesa në të folurën e zakonshme, përfaqësojnë një përvojë kaq të pakëndshme. Edhe nëse nuk keni qëllime të këqija, ofendimi i ndjenjave dhe besimeve të të tjerëve me një sharje mund të çojë në situata të sikletshme që s’ju pret mendja, deri në humbjen e një pune. Para se të thoni një fjalë të pistë, thirrini mendjes dy herë.

Edhe një sugjerim të fundit: nëse tundimi për të sharë është shumë i fortë, mund të merret në konsideratë krijimi i një “hapësire të mbrojtur” për fjalët e pista. Vite më parë, kur djali im ishte ende i vogël, u kthye nga një festë në shtëpinë e një shoku, plot me admirim për babin e tij. Në familje kishin vendosur rregullin e hekurt të ndalimit të fjalëve të pista, përveçse në makinë, ku mund të lëshohej goja aq sa fuqi kishe. Ishte si një version i Las Vegasit për fëmijët: ajo që thua në makinë, mbetet në makinë.

Më dukej qesharake, derisa e mendova pak dhe kuptova se ishte një ide e shkëlqyer. Familja fitoi përfitimet çliruese të sharjes duke kufizuar disavantazhet e saj sociale. Pikërisht për këtë e kishte fjalën Mark Twain kur thoshte: “Në çdo shtëpi duhet të ketë një dhomë ku shahet lirisht. Shtypja e një emocioni të tillë është e rrezikshme.” Nuk e kam një makinë, por nisa ta bëj këtë në studion e papërshkueshme nga zëri që krijova në bodrum për video-konferenca. Kur jam me nerva, shaj fort, dhe ndihem më mirë.

*Arthur C. Brooks është sociolog amerikan, muzikan dhe kontribues i rregullt me shkrimet e tij në revistën “The Atlantic”. Ka qenë president i “Amerikan Enterprise Institute” dhe është autor i 11 librave të suksesshëm. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.