Shënime në Blog

Sa të lirë jemi për të marrë vendime

Nga Platoni te Dekarti supozohet se qenia njerëzore është e përbërë nga lëndë dhe shpirt. Teksa i dyti, pra shpirti, merret me funksionet më fisnike siç janë të mësuarit, të dashuruarit dhe vendimmarrja, e para, lënda, e bën këtë me detyra më burokratike si ngrënia dhe ecja.
Sa të lirë jemi për të marrë vendime

Nga Jose Maria Delgado Garcia/ Imagjinoni sikur këtë fundjavë do të duhej të shkonit në teatër me një grup miqsh, apo të shkonit për darkë me një grup tjetër. Vendimi që do të merrni do të varet nga interesi ndaj veprës teatrale apo nga cilësia e ushqimit në restorant, si edhe prej interesit që ndjeni për njërin apo për tjetrin. Sigurisht, nëse nuk ju pëlqen drama dhe nuk jeni adhurues të ushqimit të mirë, në fund të fundit, do ta lini vendimin pezull derisa të zbuloni se në cilin grup hyn ai person që është kaq i rëndësishëm për ju. A bëhet fjalë për një vendim të lirë apo është një vendim i ndërmjetësuar?

Duket se ka shumë kushte, pro dhe kundra. Në të vërtetë, vendimi juaj do të ishte krejtësisht i lirë sikur një ditë të ishit i fokusuar te një aktivitet dhe ditën pasardhëse te tjetri. Po kur ndodhin këto rrethana identike? Praktikisht kurrë. Ky është një nga problemet e atij që konsiderohet, në mënyrë rigoroze, vullnet i lirë: aftësia për të marrë vendime të ndryshme pikërisht në të njëjtat kushte mjedisore, sociale, individuale dhe emocionale.

Këtij problemi i shtohet ajo që tashmë është theksuar nga filozofë si Spinoza dhe Schopenhauer: një person mund të bëjë atë që dëshiron, por jo të zgjedhë atë që dëshiron. E dini pse ju pëlqejnë komeditë dhe jo dramat, apo makaronat dhe jo pica? A jemi të paracaktuar për atë që vendosim? Për këta filozofë duket kështu, por padyshim jo për të gjithë. Beteja mbi determinizmin gjithashtu ka një sfond fetar. Për shembull, Jezuitët kohë më parë mbrojtën idenë se vullneti i lirë ishte i nevojshëm për të arritur shpëtimin. Jansenistët dhe protestantët besonin te paracaktimi, kështu që në këto raste mbetej pak për t’u bërë.

Kjo betejë mbi lirinë e zgjedhjes është shtrirë deri në ditët e sotme dhe ka zgjuar interesin e neuroshkencëtarëve. Nga Platoni te Dekarti supozohet se qenia njerëzore është e përbërë nga lëndë dhe shpirt. Teksa i dyti, pra shpirti, merret me funksionet më fisnike siç janë të mësuarit, të dashuruarit dhe vendimmarrja, e para, lënda, e bën këtë me detyra më burokratike si ngrënia dhe ecja.

Sot, për shumicën dërrmuese të neuroshkencëtarëve, është pikërisht truri ynë ai që rregullon veprimet dhe mendimet tona. Pra sjelljet, dëshirat, kujtimet, emocionet dhe mendimet varen nga aktiviteti i pjesëve specifike të trurit tonë. Nëse shikimi ka nevojë për retinën dhe për pjesën e pasme të trurit të quajtur lëvore vizuale ose okcipitale, luajtja në piano kërkon aktivitet të koordinuar të pjesëve specifike të lobit parietal, frontal dhe të përkohshëm, dhe kështu me radhë për të gjitha aktivitetet e tjera që ne bëjmë, ndjejmë ose mendojmë.

Si ndodh aktiviteti i vetëdijshëm, domethënë ai që na lejon të perceptojmë botën e jashtme, të marrim njohuri dhe të marrim vendime? Në fund të fundit, e gjithë kjo është në bazë të procesit të vendimmarrjes, të zgjedhjes së asaj çfarë duam të bëjmë. Para së gjithash, shumica e aktivitetit të trurit ndodh në mënyrë të pavetëdijshme.

Po ju jap si shembull një eksperiment të kryer nga grupi ynë i kërkimit. Kur shohim një film në stil hollivudian, imazhet lëvizin ngadalë me sekuenca të ndara disa sekonda me njëra-tjetrën. Kështu ne mund të ndjekim skenat duke perceptuar gjithçka që ndodh. Me montazhet tipike të MTV-së, koha midis një skene dhe një tjetre është shumë e shkurtër (jo më shumë se dy sekonda) dhe, megjithëse besojmë se shohim gjithçka, realiteti është që ne nuk e bëjmë diçka të tillë. Ndodh që, në mënyrë që informacioni vizual të bëhet i vetëdijshëm, aktiviteti i trurit duhet të arrijë pjesën më rostrale të trurit, lobin paraballor.

Kur imazhet zëvendësohen shpejt, aktivizimi i trurit nuk arrin në lobin paraballor dhe ne nuk jemi plotësisht të vetëdijshëm për atë që shfaqet. Edhe në këtë rast, kemi ndjesinë subjektive se po shohim përmbajtjen e përgjithshme të filmit, por kjo vjen falë një perceptimi të pavetëdijshëm. Ky përpunim i pavetëdijshëm gjithashtu ndodh pjesërisht kur përpiqemi të vendosim se çfarë të bëjmë: nga zgjedhja e një teatri ose një darke, te studimi i inxhinierisë ose ekonomisë.

Një rast elegant ku aktiviteti i trurit paraprin aktivitetin e vetëdijshëm mendor është një eksperiment që studion momentin "ah!", pra një moment disi të ngjashëm me atë kur Arkimedi tha "eureka!"

Ne themi "ah!" si sinonim për të thënë "E gjeta!" kur kemi kërkuar zgjidhjen e një problemi matematikor, ose të një dileme të një lloji tjetër dhe, krejt papritur, mendjet tona sikur ndriçohen dhe ne gjejmë zgjidhjen. Ndodh që, në rastin e një pyetjeje gjuhësore, më shumë se një sekondë para se të thuash "ah!" aktivizohen pjesë specifike të zonës parieto-okcipitale dhe korteksit anterior-superior të përkohshëm. Sigurisht, gjendja jonë e vetëdijes ndryshon gjatë gjithë ditës kur jemi aktiv, duke pushuar ose duke fjetur. Secila prej këtyre situatave korrespondon me një aktivitet specifik të trurit.

Për shkak të kufizimeve të mësipërme konceptuale mbi vullnetin e lirë, neuroshkencëtarët preferojnë të trajtojnë konceptin më fleksibël të vendimmarrjes. Pavarësisht nëse janë të lirë apo të paravendosur, ajo që është e rëndësishme të dimë është se çfarë ndodh në tru kur marrim një vendim të caktuar.

Jo vetëm njerëzit marrin vendime. Në varësi të situatës, një mace mund të preferojë të kërkojë ushqim, të gjejë një mik apo thjesht të dremisë. Përzgjedhja e ndonjë prej këtyre aktiviteteve ndodh për arsye të brendshme me përmbajtje emocionale (uria, impulsi seksual, gjumi) dhe rregullohen kryesisht, por jo vetëm, nga lobi paraballor, i cili menaxhon aktivitetin e nevojshëm për të përmbushur këto nevoja dhe për ta përfunduar atë kur arrihet shpërblimi i dëshiruar.

Por mos u shqetësoni: ne nuk jemi makineri. Jemi qenie të gjalla me motive të brendshme që na bëjnë të zbulojmë dhe të kuptojmë botën përreth nesh, si edhe veten tonë. Le të shpresojmë për më të mirën.

*Jose Maria Delgado Garcia është Profesor Emeritus në fushën e neuroshkencës, Universiteti Pablo de Olavide. Ky artikull është botuar në “The Conversation” dhe përkthyer në shqip nga Erjon Uka.