Shënime në Blog

Seritë televizive si shija e romaneve të vjetër

Seritë televizive si shija e romaneve të vjetër

Nga Javier Cercas/ Është thënë aq shpesh, sa gati është një klishe: jetojmë ose sapo kemi jetuar periudhën e artë të serive televizive. Kinemaja më e mirë sot është realizuar në seri televizive. Nëse John Ford do të ishte gjallë, nuk do të xhironte filma, por seri televizive.

Por gjithsesi nuk kam qenë kurrë dakord me atë ide, dhe jo thjesht për kënaqësinë e kundërshtimit: mbi të gjitha, edhe pse kam lindur në kohën e televizionit dhe jam i bindur se me të mund të bëhen gjëra të mrekullueshme, gjithmonë më ka pëlqyer shumë kinemaja. Për sa i përket të tjerave, është e qartë që të mendosh për hesapin tënd do të thotë të mendosh kundër klisheve, por me kushtin që mos të harrohet se një ide kthehet në klishe vetëm nëse përmban një pjesë të së vërtetës. Nuk besoj se ajo që paraqita në fillim të këtij artikulli përbën përjashtim nga një rregull i tillë.

E vërteta është se edhe unë përfundova duke rënë në vesin universal të serive televizive. E gjitha nisi kur kuptova se seritë ofrojnë një kënaqësi që nuk mund të ta dhurojnë filmat, pikërisht sikundër romanet të japin kënaqësi të cilat nuk mund t’i përftosh nga tregimet. Përballja nuk është e rastësishme. Në fakt, mund të argumentohet se filmat qëndrojnë ndaj serive si tregimet ndaj romaneve (mbi të gjitha, romaneve klasikë të shekullit XIX).

Një tregim lexohet me një të ulur, duhet të ketë bashkimin e efektit – e ka thënë Edgar Allan Poe – dhe duhet ta mundë lexuesin me knockout – e ka thënë Julio Cortázar. Një gjë e tillë ndodh me filmat. Ndërkohë romanet, ashtu si seritë, marrin kohën e tyre me lexuesin, punojnë avash duke i diversifikuar efektet e tyre dhe preferojnë të fitojnë me pikë në vend të knockout. Përfundimi është që në romanet e mëdha klasike bëhesh familjar me personazhet, përfundon duke pasur një marrëdhënie personale me ta, duke i konsideruar miq apo armiq, madje shumë prej këtyre personazheve mund t’i njohim më mirë se persona të tjerë prej mishi dhe kockash, pikërisht siç mund të na ndodhë le të themi me Carrie Mathison në “Homeland” apo Walter White në “Breaking Bad”.

Nëse nuk gabohem, është kjo ajo që seritë televizive po na rikthejnë: shijen e vjetër të romaneve të vjetër, të atyre romaneve që sasinë e kishin kusht të cilësisë. Dhe supozoj se duhet të jetë më e lehtë të përshtasësh romanet në seri televizive dhe tregimet në film pa humbje thelbësore: do të ishte shumë e vështirë të përfshish në mënyrë besnike në një seri televizive magnitudat e episodeve oqeanikë të romaneve të mëdhenj të shekullit të kaluar: “Lufta dhe Paqja” ose “Të mjerët”. Por do të ishte akoma edhe më shumë e vështirë t’i përfshish në gulçimin e një filmi. Sido që të jetë, ngjashmëritë mes serive televizive dhe romaneve nuk mbarojnë këtu, ose të paktën mes serive aktuale dhe romaneve të shekullit XIX.

Këto, për shembull, publikoheshin periodikisht me pjesë, siç sot seritë transmetohen me episode dhe autorët e tyre ishin të vetëdijshëm për reagimin e publikut ashtu si aktori në skenën e teatrit, kështu që shpesh herë kanë ndryshuar trillin e historisë së tyre për t’iu përshtatur shijeve të publikut, siç sot bëjnë regjisorët e serialeve.

Sepse ky është një tipar tjetër që serialet televizive ndonjëherë ndajnë me romanet e shekullit XIX: një mungesë e pretendimeve të shëndetshme. Shpesh harrohet se, veçanërisht në gjysmën e parë të shekullit XIX, romani nuk ishte ende një zhanër serioz, nuk ishte as intelektualisht i respektueshëm, kështu që romancierët vepronin thuajse gjithmonë me një freski, vetëbesim dhe liri nga e cila autorët aktualë të serive televizive – të cilët shpesh konsiderohen më pak artistë e ofruesit e thjeshtë të argëtimit – ende mund të përfitojnë.

E bëjnë? E kanë bërë tashmë? Ka seri televizive në lartësinë e romaneve apo të filmave të mëdhenj të historisë? Vërtetë më kanë pëlqyer disa seri, dy prej tyre i kam përmendur tashmë dhe janë “Homeland” dhe “Breaking Bad”. Do të doja të përmendja edhe “The Wire” apo “Le Bureau des Légendes” por do të tregohesha jo i sinqertë nëse nuk do t’ju thosha se nuk jam i sigurt nëse më kanë dhënë aq shumë sa fjala bie “The Man Who Shot Liberty Valance”, “The Godfather”, “Eight and a Half” apo “Wild Strawberries”. Më shumë nuk di. Ose më mirë të them, askush nuk e di. Në fund të fundit, kritiku i pagabueshëm është vetëm koha.

/ Javier Cercas është ndër shkrimtarët më të lexuar bashkëkohorë spanjollë, gjithashtu edhe profesor i letërsisë në Universitetin e Gironës. Autor i 12 romaneve, në shqip është përkthyer “Mashtruesi”. Artikulli i botuar në “El Pais” u përkthyer në shqip nga Erjon Uka.