Si ta fitoni luftën e varësisë prej telefonit, dhe kjo është vërtetë e arritshme
Nga Arthur C. Brooks/ Tashmë thuajse të gjithë e dinë se mund të krijohet varësi nga pajisjet dixhitale. Për ta thënë me fjalët e Anna Lembke, psikiatre dhe specialiste e varësive në Stanford, “gjithsecili prej nesh ka një drogë dixhitale të preferuar dhe me shumë gjasa kjo drogë parashikon përdorimin e një telefoni, ekuivalenti i gjilpërës hipodermike për një brez të ndërlidhur.”
Të dhënat tregojnë se teza e Lembke nuk është një hiperbolë. Për shembull, mesatarja e kohës maksimale që përdoruesit e celularit mund të kalojnë pa e përdorur atë është dy orë, e zhbllokojnë të paktën pesëdhjetë herë në ditë dhe e prekin ekranin deri në 2617 herë në ditë. Veçanërisht të rinjtë. Një raport i vitit 2018 nga “Pew Research Center” tregon se 44% e adoleshentëve pranojnë se i kontrollojnë celularët për të lexuar mesazhet apo për të parë njoftimet direkt pasi zgjohen. 54% thonë se i kushtojnë shumë kohë telefonit, ndërsa 42% tregojnë se përjetojnë ndjesi ankthi në çastet kur nuk mund të ndezin celularin. Me shumë mundësi edhe njerëzit që përdorin Facebook, Instagram ose WhatsApp kanë pasur të njëjtën ndjesi kur tre aplikacionet u zhdukën për disa orë nga interneti.
Varësia nga pajisjet dixhitale nuk është e padëmshme: ajo shoqërohet me depresion e ankth dhe prek në mënyrë disproporcionale njerëzit e vetmuar. Sipas kompanisë së kërkimeve teknologjike “CompareCamp”, 26% e aksidenteve automobilistike që ndodhin sot në Shtetet e Bashkuara kanë si shkak përdorimin e telefonit gjatë drejtimit.
Një përdorim i moderuar
Këto probleme janë të dukshme thuajse për të gjithë. Zgjidhjet ama janë shumë më pak të qarta. Disa ekspertë propozojnë vendosjen e një takse për të zvogëluar përdorimin e tepruar të pajisjeve dixhitale, një qasje e ngjashme me masat e miratuara për të zvogëluar konsumin e duhanit. Të tjerë argumentojnë se mënyra e vetme për ta kapërcyer një varësi është të ndalosh përdorimin e tyre dhe të heqësh qafe krejtësisht pajisjet dixhitale.
Por në një botë të dominuar nga pagesat elektronike, dokumentet dixhitale dhe puna në distancë, jetesa pa telefon po bëhet një mënyrë gjithnjë e më pak praktike. Një qasje më e mirë (dhe shumë më tepër e besueshme) është ta menaxhoni sjelljen e varësisë duke moderuar përdorimin. Nuk është vetëm çështje e vendosjes së një kufiri në kohën e kaluar para ekranit (e cila mund të tejkalohet lehtë), por krijimi i zakoneve të sakta dhe konkrete për të zëvendësuar të tjerat, pra zakonet jo të shëndetshme që na mbajnë të lidhur me telefonin.
Në disa raste mund të jetë e rrezikshme të kërkosh për sasitë e “duhura” të substancave që na krijojnë varësi, sepse niveli optimal mbetet gjithnjë zero. Kjo më ndodhi edhe mua me cigaret. Ta lija duhanin ishte një prej bëmave më të vështira të jetës sime. Për tre vjet me radhë, thuajse çdo natë ëndërroja të pija duhan. Edhe sot e kësaj dite më tërheq era e çdo gjëje që digjet, qoftë temjan apo një grumbull gomash.
Por ky nuk është gjithmonë rasti i substancave që krijojnë varësi, mbi të gjitha kur përdorimi i moderuar mund të sjellë avantazhe. Karbohidratet janë një shembull i përshtatshëm për të ilustruar këtë. Shumë kërkime tregojnë se disa persona përpiqen të krijojnë qëllimisht varësi ndaj këtyre makro ushqyesve thelbësorë sepse efektet e konsumit mund të imitojnë gjendjen neurokimike të drogave. Por ndryshe nga drogat, taktika e duhur me karbohidratet nuk është t’i heqësh qafe plotësisht, por t'i konsumosh ato më me përgjegjësi dhe në sasi më të vogla.
Çështja në këtë rast është të kuptosh nëse shërbimet dixhitale ngjasojnë më shumë me cigaret apo me karbohidratet. Unë besoj se përgjigja e saktë është e dyta. Të heqësh dorë përgjithmonë, do të thotë të vuash pasoja të dëmshme për këdo që ka nevojë të menaxhojë një llogari bankare, të komunikojë me të dashurit, të telefonojë një taksi, të punojë nga shtëpia ose të kryejë një pafundësi aktivitetesh të përditshme. Prandaj qasja e saktë është identifikimi i nivelit të duhur të përdorimit.
Koeficienti i varësisë
Një studim i kohëve të fundit i kryer mbi dy mijë të rritur amerikanë prej kërkuesve të Microsoft, Stanford, New York University dhe National Bureau of Economic Research na jep një plan veprimi. Studiuesit kanë vërtetuar se njerëzit i përdorin telefonat e tyre më shumë sesa duan ose nga ç’planifikojnë t’i përdorin. Kjo nuk është ndonjë habi e madhe. Por autorët shtojnë një fakt më interesant: duke analizuar sasinë e përdorimit që mund t'i atribuohet çështjeve të vetëkontrollit (pra koha që pjesëmarrësit kaluan duke përdorur pajisjet dhe që nuk do t'i kushtoheshin këtij aktiviteti nëse nuk do të ishin të varur) përcaktuan se kjo arrin në 31%.
Koeficienti i varësisë mund të ndryshojë bazuar në vlerat e gjithsecilit, bazuar në shkallën e nevojës për të përdorur telefonin dhe ndoshta këtu ndikon edhe kimia e trurit. Por rezultatet e hulumtimit ofrojnë një bazë të rëndësishme nga e cila mund të vendosni disa qëllime personale. Nëse i përdorim rrjetet sociale më shumë nga sa duam, qëllimi fillestar mund të jetë reduktimi i kohës me një të tretën.
Por të gjesh objektivin e saktë për të ulur përdorimin e tepërt natyrisht është shumë ndryshe nga realizimi konkret. Disa njerëz e provojnë përmes psikoterapisë dhe psikologët këshillojnë edhe disa barna për të përballuar varësitë që shkaktohen nga interneti. Por kush dëshiron “ta bëjë vetë” këtë gjë, ja tre këshilla që mund të rezultojnë efikase.
Kushtojini vëmendje lundrimit në celular
Mund të duket kundër logjikës, por kini durim. Pjesa më e madhe e përdorimit të tepruar të pajisjeve teknologjike bëhet pa e pasur mendjen. Një studim i vitit 2018 kryer mbi një kampion të rriturish australianë tregoi se 86% pranonin se e përdornin telefonin “automatikisht”. Të gjithë e dini se ku e kam fjalën: nëse kemi 15 sekonda kohë për të zbritur me ashensor ose duke pritur dritën jeshile në semafor, e marrim direkt telefonin në dorë. Shpesh as nuk e vëmë re. Është një mënyrë për të vrarë kohën.
Mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë përdorimit të pandërgjegjshëm, është t’i kushtojmë vëmendje. Planifikoni një sasi kohe çdo ditë ose çdo javë, gjatë së cilës ta shihni telefonin duke u përqëndruar. Mos bëni asgjë tjetër, përqëndrohuni në telefonin tuaj për minutat e parashikuara, a thua se është vërtetë një punë. Në thelb, do të thotë të përshtatësh udhëzimet e mjeshtrit budist Thích Nhất Hạnh që tregohen në “Mrekullia e gjendjes mendore”: “Teksa lani enët duhet të bëni pikërisht atë, të lani enët. Kur lani enët duhet të jeni plotësisht të vetëdijshëm për faktin se po lani enët”. Përveçse e bën më të lehtë tejkalimin e një varësie (studimet tregojnë se praktikat e vetëdijes janë shumë të dobishme në trajtimin e varësive), një rrugë e tillë mund të na bëjë të kuptojmë vërtetë se sa e mërzitshme është të shohësh një telefon.
Ç’aktivizoni njoftimet
Shumica e varësive shoqërohen me një neurotransmetues të quajtur dopaminë. Dopamina kontrollon dëshirën dhe rritet kur marrim ngacmime të jashtme të tilla si reklamat ose kur na ndërmendet të bëjmë diçka të këndshme si pirja e duhanit, vënia e basteve apo kontrollimi i telefonit. Telefonat manipulojnë dopaminën tonë, kryesisht përmes tingujve dhe sinjalizimeve që tregojnë praninë e një mesazhi. Në atë moment detyrimisht ne duhet ta shikojmë telefonin për të kënaqur kuriozitetin tonë.
Zgjidhja është e thjeshtë: fikni të gjitha njoftimet, përveç ndoshta atyre që ju nevojiten për punë. Por mbani zilen e aktivizuar në mënyrë që të mos humbisni telefonatën e mamasë suaj.
Ndahuni fizikisht
Nëse po përpiqeni të hani më shëndetshëm, shumë dietologë do t’ju këshillojnë që të mos mbani ushqime “të pista” në shtëpi. Idea është se në këtë mënyrë, ushqyerja e dëmshme, që po ta kishit para syve do ta bënit pa u menduar, do të kërkonte një përpjekje shtesë.
E njëjta gjë mund të aplikohet për telefonin. Caktoni zona të shtëpisë suaj, siç është tryeza e ngrënies ose dhoma e gjumit, ku celulari nuk duhet të jetë fizikisht afër. Personalisht, e vë në karikim celularin tim në kuzhinë një natë para se të shkoj në shtrat në dhomën që ndodhet në katin e dytë. Ashtë një zakon që më lejon të mos e dëshiroj telefonin kur shtrihem për gjumë. Gjithashtu, nëse zgjohem gjatë natës, kontrollimi i celularit kërkon shumë përpjekje, kështu që nuk e bëj.
Disa njerëz shkojnë edhe më tej. Studiuesi i teknologjisë dixhitale Cal Newport mbron metodën e "telefonit në hyrje", e cila thotë se duhet ta lini sapo hyni në shtëpi dhe ta vendosni sërish në xhep kur dilni. Nëse ka nevojë ta kontrollojë celularin, Newport e bën vetëm në hyrje të shtëpisë.
***
Varësia është një fenomen i dëmshëm që na privon nga liria jonë. Siç shkruan edhe filozofi grek Epitekti në “Ligjërimet” e tij, “asnjë nuk mund të jetë i lirë nëse nuk është zot i vetes”. Varësia është dyfish e dëmshme kur efektet e saj krijojnë fitim për të tjerët, qofshin kompanitë e duhanit, reklamuesit në rrjetet sociale ose prodhuesit e telefonave. Epikteti nuk ka folur për nënshtrimin dixhital, por zëre se e ka bërë. Ai na dha mësimin më të rëndësishëm në kërkimin e lirisë prej djallit të ekranit: jini të gjallë, këtu dhe tani. “Hiqni dorë, mos krijoni probleme të panevojshme” shkroi ai. “Ka ardhur koha për të jetuar, për ta futur veten aktivisht në gjendjen ku jeni tani.”
*Arthur C. Brooks është sociolog amerikan, muzikan dhe kontribues i rregullt me shkrimet e tij në revistën “The Atlantic”. Ka qenë president i “Amerikan Enterprise Institute” dhe është autor i 11 librave të suksesshëm. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.