Shënime në Blog

“Squid Game” lindi nga një histori familjare, Hwang flet për serialin dhe diagnozën e shoqërisë sot

“Squid Game” lindi nga një histori familjare, Hwang flet

Nga Stuart Jeffries/ Në zyrën e tij në Seul, Hwang Dong-hyuk ia plas të qeshurit. Sapo pyeta skenaristin dhe regjisorin e “Squid Game”, serinë më të ndjekur në Netflix, nëse suksesi i tij i menjëhershëm e ka bërë të pasur. Në këtë dramë distopike, një organizatë e mistershme sfidon 456 lojtarë të çdo rangu shoqëror – me të përbashkëtën që secili prej tyre është i zhytur në borxhe – në një sërë lojërash fëminore. Kush fiton, merr në shtëpi çmimin e madh 28 milionësh. Kush humb, merr një plumb në kokë.

A mos Hwang e zotëron sot pasurinë e njëjtë me sfidantin fatlum të lojës? “Nuk jam aq i pasur”, rrëfen, “por kam mjaftueshëm para për të jetuar. Mjaftueshëm për ta mbushur tavolinën me ushqime. Nuk është se Netflix më pagoi ndonjë bonus, më dha vetëm aq para sa parashikonte kontrata fillestare”.

Më duket e padrejtë. Pas së gjithash, regjisori koreanojugor pesëdhjetëvjeçar i bëri financuesit e tij të fitonin qindra miliona. Në fillim të shtatorit, “Squid Game” tejkaloi “Bridgerton” si seria televizive më e suksesshme. Sipas të dhënave, seria me nëntë episode i kushtoi produksionit 15,5 milionë sterlina, e barabartë me 1,75 milionë për seri. Fitimet e marra ishin stratosferike. Seria u ndoq nga 142 milionë familje dhe shërbeu për të bindur 4,4 milionë përdorues të tjerë për t’u abonuar dhe deri tani ka arritur një vlerë prej 765 milionë euro.

Ndoshta Hwang do të duhej të negocionte një klauzolë që lidhej me performancën, qoftë edhe për faktin se krijimi dhe realizimi i skenarit i shkaktoi nivele shumë të larta stresi, aq sa humbi gjashtë dhëmbë. “Jam lodhur shumë qoftë fizikisht, mendërisht dhe emocionalisht. Gjatë xhirimeve më vinin ndër mend ide të tjera dhe i shihja sërish episodet dhe kjo nuk bëri gjë tjetër veçse më zgjati orët e punës”.

Ideja e “Squid Game” buron nga një histori familjare e Hwang në vitin 2009, kur vendi i tij u godit rëndë nga kriza financiare globale. “U gjenda në telashe të mëdha sepse nëna ime doli në pension në atë kohë. Po punoja për një film dhe nuk gjeja asnjë financues. Dhe kështu për një vit të tërë isha joaktiv. U detyruam të merrnim kredi: nëna ime, gjyshja dhe unë”.

Hwang kërkoi pak shpërqendrim në kafenetë e librave komikë të Seulit. “Kam lexuar “Battle Royal” and “Liar Game” dhe libra komikë të tjera që trajtonin lojërat e mbijetesës. Gjeta veten te të gjithë personazhet e tyre, të shtyrë në dëshpërim, të uritur për para dhe sukses. Preka fundin e jetës sime në atë moment. Pyesja veten, nëse vërtet do të kishte një lojë të tillë mbijetese, a do të kisha marrë pjesë për të shpëtuar familjen time? Kuptova se, si regjisor, mund t'i shtoja asaj lloj historie gjendjen time personale dhe pikërisht atëherë fillova të punoja për skenarin.”

Hwang u frymëzua nga një version i lojës me të kapur, lojë që ai luante si fëmijë, e quajtur “loja e kallamarëve”, sepse vizatoheshin në fushë pjesët e ndryshme të anatomisë së kallamarit. “Isha shumë i mirë në luftimin për të arritur te koka e kallamarit”, thotë Hwang. “Për të fituar duhej të luftoje.”

Në episodin e parë të serialit, 456 sfidantët mund të lëvizin vetëm kur largohet fytyra e zymtë e një kukulle të mekanizuar. Lojtarët që kapen në lëvizje, kositen nga një breshëri automatiku. Pse vallë Hwang krijoi një konkurrencë kaq brutale dhe të neveritshme që asgjëson vlerën e jetës njerëzore? “Sepse idea e serialit është shumë e thjeshtë”, shpjegon ai. “Ne të gjithë po luftojmë për jetën tonë në një realitet që bazohet në pabarazi.”

A është një gjykim i ashpër për kapitalizmin? “Nuk ka asgjë metafizike. Gjithçka është shumë e thjeshtë. Jam i bindur se rregullat ekonomikë globalë bazohen në pabarazi dhe që në 90% të rasteve qeniet njerëzore janë të bindura për thellësinë e padrejtësisë që përjetojnë. Gjatë pandemisë, vendet e varfra nuk arritën ta vaksinojnë popullsinë. Njerëzit sëmureshin dhe vdisnin në rrugë. Nëse flasim në këtë kuptim, po, jam përpjekur të jap një mesazh mbi kapitalizmin modern. Por siç thashë nuk ka asgjë të fshehtë.”

Por a nuk sheh ndonjë kontradiktë në faktin e thjeshtë se pa paratë e një kompanie shumëkombëshe si “Netflix”, kritika e tij ndaj kapitalizmit global nuk ta shihte kurrë dritën e publikimit? Hwang ia plas sërish te qeshurës. “Epo mirë, “Netflix” është një kompani shumëkombëshe, por nuk besoj se kontribuon në përkeqësimin e pabarazive në këtë botë. Jo, sipas meje nuk ka asnjë kundërshti në këtë mes. Teksa punoja për këtë projekt, objektivi im ishte të ngjitesha në majën e klasifikimit të “Netflix” në Shtetet e Bashkuara të paktën për një ditë. Pastaj na doli që “Squid Game” korri një sukses më të gjerë, deri sa u kthye në serialin më të ndjekur në platformë. Mbeta i çuditur. Kjo do të thotë se publiku global ndan të njëjtin mesazh me atë që unë doja të përcillja.”

A mos vallë e ka ndjekur edhe “Bridgerton” për të studiuar konkurrencën? “E kam të vështirë të shikoj ndonjë serial në tërësi. Deri tani vetëm dy kam ndjekur deri në fund: “Breaking Bad” dhe “Mindhunter”. Dëgjova që “Bridgerton” ishte i mrekullueshëm dhe pashë një episod, por arrita vetëm në gjysmë të rrugës. Nuk më intereson romanca, kanë kaluar gjashtë apo shtatë vjet nga lidhja ime e fundit.”

Ndoshta kjo është arsyeja pse skenat e seksit në “Squid Game” janë kaq dëshpëruese. Kam ndër mend episodin e katërt, në të cilin dy lojtarë, njëri prej të cilëve është një gangster mashkull shovinist, bëjnë seks në banjë. Nuk ka dashuri në lojën Squid, apo jo? “Në fakt po!”, këmbëngul Hwang. “Është një dashuri ndryshe, në një situatë të pazakontë, jonormale dhe të dëshpëruar. Gruaja mbështetet te mashkulli më i fortë i grupit. Duhet të gjejë diçka ku të kapet. Ajo është e bindur se bëhet fjalë për dashuri, përndryshe do të ishte shumë e trishtueshme t'i ofronte atij burri seks vetëm për të siguruar mbijetesën. Gruaja dëshiron që ajo që ndjen të jetë dashuri, por nuk është dashuria romantike e Bridgerton-it”.

Hwang tregon se këtë skenë e shkroi pasi pa një spektakël televiziv në të cilin konkurrentët u braktisën në një ishull të shkretë. “Bëhet fjalë për vëzhgimin e psikologjisë së personazheve në situata ekstreme. Shumë prej tyre tërhiqen seksualisht prej tjerëve që duken më të fortë ose më të aftë për të siguruar ushqimin, edhe pse deri atëherë nuk kishin pasur asfare pak interes ndaj tyre.” Pra i bie që gratë janë objekte seksuale? Për herë të parë buzëqeshja zhduket nga fytyra e Hwang. “Pse më bëni pyetje për seksualitetin e tepruar të grave?”. Më shpjegon se qëllimi i tij i vetëm ishte të tregonte “që përtej gjinisë, burrat dhe gratë janë gati të ndërmarrin veprime të dëshpëruara kur bëhet fjalë për përballimin e situatave ekstreme. Kisha për qëllim të krijoja diçka që mund të kuptohej globalisht. Sot të gjithë jetojmë në një botë alla Squid Game”.

Mes lojtarëve të “Squid Game” gjejmë edhe një të larguar nga Koreja e Veriut. “Sot, koreano-veriorët janë pakica më e madhe në Korenë e Jugut,” thotë Hwang, "dhe numri i tyre do të vijojë të rritet. Për mendimin tim, shkëmbimet mes dy Koreve do të forcohen dhe në një moment do të ketë ribashkim. Të paktën kështu shpresoj”.

Korea e Veriut nuk është se ka pasur mendim të mirë mbi serialin. Sipas një portali të propagandës koreano veriore, “Arirang Meari”, drama e Hwang ilustron në mënyrë efikase se si Korea e Jugut “është e dëmtuar nga ligji i mbijetesës së më të fortit, nga korrupsioni dhe imporaliteti”. Të gjitha përkufuzime që natyrisht nuk gjejnë vend në Korenë e Veriut, një vend vërtet egalitar.

Por “Squid Game” nuk është thjesht një ilustrim i vendlindjes së tij. “Synova të krijoja diçka që mund të lindte një rezonancë të gjerë jo vetëm mes koreanëve, por në mbarë botën. Kjo ishte aspirata ime”. Në këtë luftë për jetë a vdekje, normat shoqërore zhduken sepse konkurrentët e zhyten në luftën e të gjithëve kundër të gjithëve, në të cilën jeta njerëzore është tragjike, brutale dhe kalimtare. “Ne po jetojmë në një botë të lojës Squid”, këmbëngul Hwang, ndërsa pohon se jo të gjithë protagonistët e dramës së tij janë të mbyllur në egoizmin e tyre, jo të gjithë janë të gatshëm të kapërcejnë kufomat e humbësve për të arritur te paratë.

Disa ndjekësve përfundimi u është dukur zhgënjyes: fituesi në mënyrë të papritur merr dy vendime, që kanë të bëjnë me familjen e tij dhe me çmimin. Legjenda e basketbollit amerikan LeBron James, i cili e ka vlerësuar shumë serialin, ka thënë: “Fundi nuk më pëlqeu. Ç’kuptim ka?”. Po Gabohet LeBron James?

Nga Seuli, Hwang qesh sërish, përpara se të lërë të kuptojë diçka për një nga filmat e suksesshëm të James. “A e ke parë Space Jam 2?” më pyet. Jo të gjithë, i përgjigjem. “LeBron James është fantastik dhe mund të thotë çfarë të dojë. Unë i respektoj pikëpamjet e tij. Dhe jam i nderuar që ai e ka parë të gjithë serialin. Por unë nuk do ta ndryshoja fundin tim. Fundi është i imi. Nëse James ka një fund më të mirë në mendje, le ta shkruajë vetë vazhdimin e tij. Do ta shoh dhe ndoshta do t’i dërgoj një mesazh për t'i thënë: “Më pëlqeu shumë seriali juaj, përveç fundit””.

Me siguri ka një arsye tjetër pas fundit të qëllimshëm të Hwang, i cili shkel syrin me mprehtësi për një vazhdim, në të cilin mund ta shohim fituesin gati për t'u përballur me organizatën sekrete djallëzore që drejton “Squid Game”. Megjithatë, nuk ka ende njoftime dhe Hwang nuk është i sigurt se do të ketë një sezon të dytë, as se cili do të jetë komploti. “Ka thashetheme. Është e pashmangshme, duke pasur parasysh suksesin e serialit. Jam duke menduar për të. Kam në mendje një film të nivelit të lartë, por nuk do të shkoj menjëherë në punë. Ka një punë tjetër që dua të bëj. Tani për tani, po përpiqem të vendos se cilës t'i jap përparësi. Më duhet të flas me Netflix për këtë "

Hwang nuk dëshiron të hyjë në histori vetëm si krijuesi i “Squid Game” dhe po lobon në “Netflix” për të transmetuar tre filma që ai ka realizuar dekadën e kaluar. Por nuk e përjashton mundësinë e një vazhdimi – qoftë edhe për një arsye shumë materiale. “Ndoshta”, pranon ai me një buzëqeshje të fundit, “do të duhet të fillojë një sezon të dytë për t'u bërë po aq i pasur sa fituesi i Squid Game”.

*Stuart Jeffries është shkrimtar dhe gazetar që bashkëpunon me “The Guardian”. Hwang Dong-hyuk është skenarist dhe regjisor koreanojugor. Ka realizuar trembëdhjetë filma dhe seriale të tjerë prej vitit 2000, deri në realizimin e “Squid Game” në vitin 2021 transmetuar në “Netflix”. Ky artikull u përkthye në shqip nga Erjon Uka.