Shënime në Blog

Të burgosur nga lodhja

Të burgosur nga lodhja

Nga Marco Belpoliti/ Papritur, rreth muajit maj, ndjemë një lodhje të rëndë. Ishim të kufizuar në shtëpi, pa mundur të dilnim, përveçse kur duhet të bënim pazarin, për të nxjerrë qenin apo për të luajtur me fëmijët. Të ndarë njëri nga tjetri. E pastaj për të gatuar, për të pastruar shtëpinë, për të kërkuar maskat, telefonuar miqtë e të afërmit, për t’u lidhur në Skype, Teams, Zoom, për të parë rrjetet sociale, për të shfletuar gazetat duke i lexuar si asnjëherë më parë nga fillimi deri në fund.

Gjithmonë së bashku krah për krah: gratë, burrat, shokët, bashkëjetuesit, fëmijët, xhaxhallarët, gjyshërit. Para kësaj, para kovidit, gjithçka ishte përshpejtuar. Na u desh të bënim gjithnjë e më shumë gjëra në një kohë gjithnjë e më të shkurtër. Koha e performancës papritmas u pezullua; tendenca për të jetuar disa jetë brenda njërës ishte fikur, kishte avulluar, ishte zhdukur. Vetëm një jetë për të jetuar në shtëpi. Pra, kështu ndodhi nga marsi në maj. Ne ishim pre e mosveprimit, atij shoqëror, sepse shoqëria u pezullua. Pavarësisht se bëmë shumë, u ndjemë joaktiv.

Nuk bëhej fjalë për “dembelizmin e lavdishëm” për të cilin fliste Roland Barthes në një prej intervistave të tij, osë më saktë duke mos bërë asgjë, ajo që zakonisht quhet përtaci, për të cilën thuhet se është nëna e të gjitha veseve. Ishim shumë aktivë. Punë, studim, takime, blerje, gjithçka ishte bërë dixhitale: duke e bërë, por në distancë, duke përdorur kompjuterë, tableta, telefona. Në këtë moment, kur pranvera kishte ardhur tashmë, ne u ndjemë të lodhur, një lodhje që erdhi nga pasiviteti ynë. Bëmë shumë gjëra, ato të nevojshmet për të jetuar dhe për të mbështetur veten, por kishim ndjesinë se nuk po bënim asgjë. A kishim njohur ndoshta anën boshe të zellit? Në atë moment u krijua lodhja. Një lodhje që nuk ishte aq fizike, por sigurisht që ishte edhe ajo, por para së gjithash një lodhje mendore, ose më mirë të thuhet, shpirtërore.

Një libër i vogël i Peter Handke, “Ese mbi lodhjen”, që e nxorra nga biblioteka, më ndriçoi mbi këtë gjë. Është lodhja ndaj të jetuarit, e provuar në formën e saj më të elementare që na kaplon kur gjendemi në rrugën qorre të marrëdhënieve shoqërore që nuk na lejojnë të shohim përtej kufijve të ngushtë të së tashmes, shkruan Peter Handke. E si mund t’ia bënim ndryshe? Gjendeshim në një rrugë pa krye. Njerëzit rreth nesh sëmureshin, disa shtroheshin në spital e të tjerë vdisnin. Lodhja mori formën e përgjumjes së përsëritur që alternohej me gjendje tensioni dhe ankthi.

E ja ku ankthi u bë i pranishëm dhe i prekshëm. Një gjendje shpirtërore që askush para vitit 1893 nuk e kishte menduar se mund të ishte sëmundje. Psikiatrët vjenezë e quanin Angstneurose: mbindjeshmëri ndaj zhurmave, tmerreve të natës, rrahje zemre, djersitje.

Ankthi hyri në shtëpitë tona. Gjithsesi lodhja ishte forma më e përhapur, edhe për ata që nuk donin ta njihnin këtë gjendje. Një lodhje e lehtë dhe pikërisht për këtë fakt më shqetësuese, që na shoqëronte në banalitetin e jetës që kalonim në shtëpitë tona. Armiku i padukshëm ishte atje jashtë duke pritur, ishte tek të tjerët që mund të takonim gjatë radhës në supermarket, në postë, në dyqan ushqimesh. Jeta jonë ishte bërë e zakonshme në mënyrën e vet.

Një lodhje shumë e ndryshme nga ajo që filozofi Byung-Chul Han analizon në libërthin e tij “Shoqëria e lodhjes”, lodhje e krijuar nga shoqëria e performancës, e turravrapit, e frymëmarrjes së shpeshtë. Nuk bëhej fjalë as për lodhjen e Handke, atë lodhje soditëse që shkrimtari has për të kundërshtuar surrealitetin e një bote të dominuar nga nxitimi dhe shpejtësia.

Njohëm një lodhje të paklasifikueshme, që nuk e kishim hasur më parë, të pazakonte, me të cilën rreth muajit maj nisëm të bënim hesapet. Luteshim të mbaronte çdo gjë, shpresonim me gjithë forcën tonë të rimerrnim ritmet e jetës normale, edhe ato të tepërtat në aktivitetin profesional e social. Pas dozave të mëdha të narcizmit, Uni ynë po njihte një formë ndalese të sforcuar. Prandaj kryefjala gramatikore që përsërisnim më shumë ishte: Ne.

Kështu erdhi vera, drita, dielli dhe i ngrohti na bënë të ndiheshim më mirë: të dilnim, të rrinim në ajër të pastër, madje edhe të ulur në ndonjë stol për të marrë rreze. Lodhja nisi të zbehej. Më pak ankth, megjithëse ankth kishte ende. Pyesnim veten: Çdo të ndodhë në vjeshtë dhe në dimër?

U ndjemë mirë me iluzionin e kthimit në jetë si më parë, edhe nëse nuk do të ishte kështu. Gjithashtu u përshtatëm me atë që po ndodhte. U sëmurëm më pak dhe, rreth nesh, vdiqën më pak. Ditë pas dite humbëm zakonin e kqyrjes së buletinit ditor të pandemisë. Në mes të verës mësuam të jetonim më afër të tjerëve, megjithëse gjithmonë në distancë. Por lodhja nuk na braktisi.

Qoftë duke u kthyer në punë e qoftë duke punuar nga shtëpia, provuam kënaqësinë e të dalurit. Ishte dëshira tashmë e bërë realitet për t’u larë në det, për të notuar, për t’u ngjitur në shtigje duke ecur në pyje dhe në fusha të hapura, duke parë largësinë pas disa muajsh me horizonte të ngushta. Sidoqoftë, lodhja nuk u shua.

Kaluam nëpër pjesën e zellshme të jetës, jo plotësisht, por më shumë se më parë. U kthyem në shkollë, ndoqëm leksionet fizikisht. Lodhja qëndronte, si diçka që ishte aty, mbase e mbuluar nga diçka tjetër, nga gjendje kënaqësie ose dekurajimi në alternim gati ritmik.

Lodhja është shndërruar në një formë trishtimi, sepse kurrë nuk kemi qenë vërtet të qetë, përveç dikujt që ka gjetur një formë të shpirtërore të izoluar, diçka për të zhdukur Unin e tij të rëndë: një falje. Tani jemi më aktivë. Thuhet se po shohim dritën në fund të tunelit.

Vaksina është shpresa e kthimit në jetë si më parë, për të përqafuar lodhjen e mëparshme, atë që lind nga zellshmëria për të cilën Handke thotë: "Në një kohë unë dija të përballoja vetëm një lodhje ".

Ndoshta do të duhej një poet, dikush që shkruan si W. H. Auden për “epokën tonë të ankthit”. Poezia gjithnjë na ka ndihmuar të gjejmë fjalët për ta thënë, ato fjalë që duket se janë konsumuar në oqeanin e fjalimeve dhe frazave që kemi dëgjuar dhe thënë në këtë vit të pambarimtë.

*Marco Belpoliti është shkrimtar, kritik letrar dhe akademik italian. Artikulli u përkthye nga Erjon Uka/ tiranapost.al