Shënime në Blog

Të mbështesësh më shumë shkrimtarët sesa sipërmarrësit, për një shoqëri që shpëton planetin

Është në filozofinë e “Libération” që të mos mbështesë asnjë qeveri. Duhet të qëndrojmë syçelët dhe analitikë. Slogani i “Libération” përmblidhet në fjalinë: gjithkush që ka keqpërdorur pushtetin, duhet të kalojë një natë të keqe për shkakun tonë.
Të mbështesësh më shumë shkrimtarët sesa

Nga Alain Elkann/ Denis Olivennes është sipërmarrës dhe publicist francez. Ka drejtuar “Canal+”, “Nouvel Observateur”, “Europe 1 Radio”, “Elle” dhe “Paris Match”. Prej qershorit 2020 është aksioner dhe administrator i deleguar i gazetës “Libération”.

Pse duhej të blinit shumicën e aksioneve të një gazete, në një moment si ky në të cilin gazetat nuk po ecin edhe aq mirë?
Periudha e gjatë e rënies së shtypit po përfundon. Abonimet dixhitale kanë ofruar një model të ri. Është një revolucion i filluar në SHBA, nga “Washington Post” dhe “New York Times”. Në maksimumin e shpërndarjes, “Libération” kishte 250 mijë lexues. Kur erdha unë, shtypnim 80 mijë kopje. Sot, falë abonimeve dixhitale jemi rreth 90 mijë: 10 mijë lexues më shumë në një vit, jo keq. Të abonuarit dixhitalë sot janë 56 mijë, nga 30 mijë vitin e kaluar.

Cila është historia e “Libération”?
“Libération” përfaqëson një aventurë të pabesueshme gazetarie. Në vitin 1971 disa maoistë themeluan një gazetë që të mbronte popullin. Pas dhjetë vitesh kuptuan se u pëlqente të ishin gazetarë. Sapo kishin ardhur socialistët e Mitterrand-it, po lindte një shoqëri komplet e re. Dëshironin të bëheshin gazeta e asaj epoke dhe ia arritën.

Në konkurrencë me “Le Monde” dhe gazeta të tjera të afirmuara.
Po, në një farë pike, sepse ishte shumë e ndryshme, për shembull u jepte një hapësirë të paprecedentë imazheve. Fliste për tema të cilat gazetat serioze refuzonin t’i mbulonin si moda, lokalet e natës apo edhe garat me kuajt, e gjitha kjo me një qasje krejt origjinale, letrare. Ishte një gazetë e majtë, intelektuale, me një stil të veçantë. Kishe qejf t’i lexoje çdo faqe. Nuk punësonin gazetarë, por njerëz që kishin eksperienca të veçanta: një marinar, një punëtor, njerëz që e dashuronin të shkruarin. Për 20-30 vite “Libération” mbeti gazeta më në zë, të gjithë donin të punonin aty.

Pastaj erdhi rënia?
Po, sepse revolucioni dixhital solli rënien e kopjeve të gazetave. “Libération” kishte humbur edhe shpirtin, të paktën pjesërisht. Tani duam ta ribëjmë pikën e referimit kulturor, siç ishte një herë e një kohë, por në një kontekst të ri. Do të jetë më shumë dixhitale sesa e printuar, por duhet të jetë sërish gazeta e gjithë së majtës.

Çfarë është e majta sot? Ka ndryshuar shumë që nga koha e Maos!
Pikërisht për këtë “Libération” duhet të hapë mendjen e t’i flasë njerëzve me vlera të ndryshme. Janë ambientalistët, të gjelbrit; anti-kapitalistët; socialdemokratët dhe liberalët. Nuk ka vetëm një të majtë.

Si do t’i përballoni zgjedhjet që do të mbahen pas tetë muajsh?
Është në filozofinë e “Libération” që të mos mbështesë asnjë qeveri. Duhet të qëndrojmë syçelët dhe analitikë. Slogani i “Libération” përmblidhet në fjalinë: gjithkush që ka keqpërdorur pushtetin, duhet të kalojë një natë të keqe për shkakun tonë.

Si e kaluat pandeminë?
Për gazetat në përgjithësi dhe për “Libération” në veçanti, pandemia ishte një moment i mirë në fatkeqësi: njerëzit qëndronin në shtëpi dhe kishin nevojë të informoheshin, kërkonin formatin dixhital dhe baza jonë e të abonuarve u rrit drastikisht.

A merrni pjesë në punën editoriale?
Jo, është e ndaluar. Salla jonë e lajmeve është totalisht e pavarur. Drejtori zgjidhet nga gazetarët, edhe pse unë kam të drejtën të propozoj kandidaturën.

Kush është drejtori?
Dov Alfon, i lindur në Francë dhe i rritur në Izrael, ka drejtuar “Haaretz” dhe shkruan libra policorë. Me pak fjalë, di të bëjë krijime brilante, por e njeh mirë edhe teknologjinë.

A i japin ende rëndësi gazetave francezët?
Unë e shpresoj. Në Francë, ashtu si në Itali, investohet shumë në sektorin intelektual. I japim më shumë rëndësi shkrimtarëve sesa sipërmarrësve. Një gazetë është vendi ku studiuesit dhe shkrimtarët mund të shprehen dhe liderëve tanë i pëlqen t’i lexojnë. Kur drejtoja “Le Journal de Dimanche”, që printonte vetëm 150 mijë kopje, çdo të dielë merrja një telefonatë nga Presidenti ose Kryeministri që më thoshin: “Si mund të shkruani këto gjëra?!”.

Për çfarë flet libri juaj i ri “Un Étrange Renoncement”, një dorëheqje e çuditshme?
Pyes se përse Franca po pranon një bjerrje që po zgjat prej dyzetë vitesh. Është më e pasur, por norma e rritjes bie vazhdimisht. Kemi krizën e periferive, çështjen e emigrantëve, revoltën e “Gilets Jaunes”, atë të klasës së mesme: të gjitha këto lidhen me një problem, nuk arrijmë të rritemi mjaftueshëm.

Pse?
Ka ndikuar shumë e majta me idenë e shtetndërtimit dhe ka gabuar në analizën e papunësisë: ka vendosur që kjo gjë të përballohej duke ndarë punën, me daljen në pension në moshën 60-vjeçare dhe masa të tjera. Në Francë punohet më pak se në vendet e tjera të pasura. Si mund të krijohet pasuri duke punuar më pak? Është e pamundur.

Janë dembelë francezët?
Jo. Është strategjia e gabuar. Nëse duhet rishpërndarë nëpërmjet krijimit të punësimit, nuk duhet shkatërruar rritja, duhet krijuar një rritje e re përmes inovacionit. Edhe për sa i përket ndryshimeve klimatike, të gjelbrit propozojnë të ndalohet rritja. Është një çmenduri të shkatërrosh shoqërinë për të shpëtuar planetin. Është një fe pa zot. U ngjasojnë puritanëve të shekullit XVIII: na thonë se jemi të gjithë mëkatarë sepse konsumojmë, se shoqëria kapitaliste është e tmerrshme prandaj duhet të dënohemi për mëkatet tona duke u dënuar me varfëri. Pas apokalipsit të Shën Gjonit, tani vjen apokalipsi i Shën Gretës.

I pëlqen së majtës libri juaj?
Nuk e besoj. Madje do të kisha nevojë për një jelek antiplumb. Të ngjashmit e mi në Francë etiketohen si “social-liberalë”: na pëlqen ekonomia e tregut, duam të ulim pabarazitë dhe të ndalojmë ndryshimet klimatike, por pa shkatërruar shoqërinë. Dukemi shumë të majtë për të djathtën dhe shumë të djathtë për të majtën.

Çfarë vendi është Franca sot?
Një vend që nuk e pranon ripërmasimin e tij, që ndjen ende nostalgji për madhështinë e së kaluarës. Një vend me shumë ankthe – emigracionin, Islamin – që rriten sepse ne jemi në stanjacion. Sa më pak rritemi, aq më shumë ankth kemi. Mosfunksionimi i sistemit krijon një rreth vicioz. Mjafton të lexojmë Houellebecq.

A nuk mendoni se ankthi është e keqja e gjithë Perëndimit?
Po, depresioni i madh i shoqërisë perëndimore. Por në Francë kemi një infeksion akut, formën më të keqe.

*Alain Elkann është shkrimtar dhe gazetar, producent i programeve televizive. Denis Olivennes është sipërmarrës dhe publicist. Ka drejtuar “Canal+”, “Nouvel Observateur”, “Europe 1 Radio”, “Elle” dhe “Paris Match”. Prej qershorit 2020 është aksioner dhe administrator i deleguar i gazetës “Libération”. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.