Shënime në Blog

Sa siguri kemi për vaksinimin me detyrim?

Sa siguri kemi për vaksinimin me detyrim?

Erjon Uka/ Duke lexuar kujtimet e Barack Obama-s në “Tokë e Premtuar”, në kapitujt dedikuar kujdesit shëndetësor dhe punës për të parandaluar epidemite, shkruan në faqen 487 (botimi shqip) për përgjigjen e ish-Presidentit Gerald Ford ndaj një epidemie të mundshme nga gripi i derrit, në vitin 1976.

"... Presidenti Ford duke dashur që të vepronte me vendosmeri në mes të fushates për t'u rizgjedhur, kishte urdhëruar vaksinim të detyrueshëm të menjëhershëm, përpara se të përcaktohej se sa e rëndë ishte pandemia, vaksinim që rezultoi në më shumë amerikanë që patën çrregullime neurologjike, të lidhura me vaksinën, se sa vdiqën nga gripi."

Ky rrëfim i Obama-s vjen në kontekstin kur SHBA në fillim të presidencës së tij rrezikohej nga H1N1 dhe rezultonte se strukturat nuk ishin fare të përgatitura. Vaksina e përvitshmë kundër gripit nuk siguronte mbrojtje ndaj H1N1, ndërsa çështja shtrohej edhe në aspektin ekonomik të biznesit. Vaksinat nuk ishin shumë fitimprurëse për kompanitë farmaceutike dhe ata pak prodhues në SHBA kishin kapacitete shumë të kufizuara për prodhimin e një vaksine të re, ndërsa veteranët që kishin qenë pjesë e administratës së Gerald Ford thuajse tre dekada e gjysmë më parë e këshillonin Presidentin aktual që procesin e përballjes me një epidemi të mundshme t’ia linte ekspertëve.

Washington Post” në vazhdën e pasqyrimit të Covid-19, shkruante se herën e fundit që qeveria e SHBA tentoi vaksinimin e detyrueshëm masiv, rezultoi një flluskë e vërtetë. Në fillim të vitit 1976 një tip i mistershëm i gripit të derrit u shfaq në New Jersey, ndërsa vdekjet e para dhe rastet e rënda duke pasur në kujtesë gripin spanjoll të 1918 e panikosën qeverinë amerikane në ndërmarrjen e një fushate të pazakonte, si në shtrirje ashtu edhe në shpejtësi, ku në histori ka mbetur një fjali e presidentit Ford: “Çdo amerikan duhet të vaksinohet”. Pjesa tjetër, vazhdon siç Obama shkruan.

Sigurisht që dy rastet, i atëhershmi dhe i sotshmi, nuk janë krejt identike, por kanë mjaftueshëm pika takimi. Tani çështja është se patjeter që nëse ka një shpëtim për këtë situatë, ajo është vaksina. Grupet më të rrezikuara, si pasojë e moshës apo e sëmundjeve bashkëshoqëruese, kryesisht janë vaksinuar, por në një kohë kur nuk ka evidenca të qarta për efektet në afatgjatë të vaksinës, kur vetë komuniteti shkencor është haptazi i ndarë, kur vendimet merren vetëm nga imunulogët dhe mjekët pa perfshirë sociologë, filozofë, psikologë etj., është e guximshme të ndërmarrësh fushata të detyruara arrogante vaksinimi.

Një kupolë drejtuese kudo në botë përpiqet t’i bindë njerëzit se vaksinimi i detyrueshëm është zgjidhja. Madje në SHBA dhe në Izrael ka nisur edhe doza e tretë, si një bast qartësisht politik, ndërsa vende si Italia po hezitojne ende për këtë hap.

Ama pavarësisht kujtesës afatshkurtër që na karakaterizon, duhet mbajtur mend se ishin po këta njerëz që momenti historik i vuri në drejtim të institucioneve globale dhe shteteve përkatëse, që fillimisht mohuan rrezikshmerine e virusit, hezituan shpalljen e pandemisë, më pas refuzuan zgjidhjen që vinte nga karantina, pastaj mohuan efektet mbrojtëse të maskave në mjedise të hapura e më vonë i vunë me detyrim, u betuan se nuk do të vendoseshin kufizime për të pavaksinuarit ndërsa aktualisht kanë leshuar policët rrugëve të kontrollojnë certifikatat e vaksinimit.

Nëse një togfjalësh kyç do të përmblidhte dallgët e menaxhimit të pandemisë, mund të ishte fare mirë “komedia e kontradiktave”. Tani pse duhet t’i besojmë “sigurisë” së radhës se vaksina është zgjidhja afatgjatë? Sepse të dhëna unanime e të pakundërshtueshme ende nuk ka!

Dyshimi objektiv është legjitim, fatkeqësisht bëhet edhe më i madh kur merr përsipër të lexosh e të informohesh për ç’ka ndodhur në të shkuarën. Nuk ka si të ndodhë ndryshe. Nuk mendoj as për çipin në vaksinë dhe as besoj te komplotet e tjera, por e fundit gjë që do t’i bindë skeptikët te vaksinimi, (skeptikë jo për konspiracione globale, sepse ata janë tjetër kategori, por skeptikë për shëndetin e tyre në afatgjate dhe skeptikë për përsëritjen ciklike të këtij procesi në kushtet e mospasjes së të dhënave të besueshme) është komunikimi arrogant. Pavarësisht se nervat po rraskapiten e durimi po sos nga të gjitha palët e anët.

Edhe Gerald Ford e bëri vaksinën përpara aparateve fotografikë në vitin 1976, por vite më vonë të dhënat treguan të tjera rezultate!