Shënime në Blog

Vrapim pa mendime

Nëse palestrat e masivizuara në qendrat urbane përfaqësojnë një përpjekje artificiale për t’i ofruar njeriut mundësinë e skalitjes së trupit në kohë të shpejtë dhe brenda perimetrit të tij të jetesës së përditshme, vrapimi është forma më e lartë e përgjegjshmërisë vetjake dhe përpjekja më intime që bëhet në ruajtjen e marrëdhënies me natyrën. Nga dyzimi i fillimit tek ai çlirim i madh që ndjejmë në fund të përshkrimit të disa kilometrave, kalojmë në katër faza të rëndësishme sipas mendimit të Spinozës, të Dekartit, të Hume dhe të Sartrit.

Vrapim pa mendime

Nga Erjon Uka/ Më pëlqen të vrapoj. Është diçka më shumë se thjesht stërvitje. Jo se të ushtruarit e llojeve të tjera kanë më pak rëndësi, qoftë angazhimet individuale qoftë ato të sporteve në ekip, madje përkundrazi.

Ka sporte që të mësojnë më shumë sakrificën, të tjera rezistencën, shumica e atyre që na pëlqejnë të ndjekim në TV shërbejnë si shkollat më të mira për të të mësuar punën në grup dhe frymën e të punuarit së bashku, ca aktivitete të kalisin durimin, të tjera thjesht të vënë në provë forcën fizike. Por vrapimi është diçka krejt e veçantë, një formë unike për të qenë njëkohësisht në kontakt me natyrën dhe për të sfiduar limitet e vetes. Një formë e lartë përgjegjshmërie vetjake, ku suksesi dhe dështimi kapitalizohen në të njëjtën formë.

Nuk jam nga ata që sakrifikoj në ditë me shi, të dal më mushama nën rrebesh, përmes baltës apo të zgjohem pa lindur dielli. Por sapo koha çel dhe temperaturat ngrihen ndopak pas ditëve të hirta të dimrit, më pëlqen që fundjavave apo pasditeve vonë, të lë ndonjë seancë nga palestra dhe ta zëvendësoj me pesë a gjashtë kilometra në natyrë. Aty kuptoj se nuk janë e njëjta gjë vrapi në pistë elektrike me vrapin në terren. Kilometrat mund të jenë njësoj, edhe kaloritë e djegura, ndoshta edhe sasia e çliruar e djersës, por harmonia e lëvizjes së gjymtyrëve dhe ndjesia aspak.

Ndodh ajo lloj përhumbjeje që Mark Rowlands, filozofi uellsian, duke e menduar si një aktivitet me vlerë të brendshme, e ndan në katër faza filozofike. E para nis me atë që quhet “spinoziane”, ku “uni” është një përzierje e padukshme e trupit me mendjen në veprim, pikërisht siç e konceptonte Spinoza. Mendon dhe lëviz, ana motorike ecën po aq fjollë sa ajo mendore, por ke dilema e dyshime. Sheh, percepton dhe mendon, teksa vrapon, madje edhe gati për të hequr dorë.

Prej këtu, kalohet në fazën “karteziane”, ku është mendja që komandon trupin, e të dyja përplasen fuqishëm në një konflikt intensiv: trup fizik, mendje jo fizike. Koha kalon, distanca e përshkruar po ashtu, duke kaluar te faza “hjumiane” që është e treta, sipas formulimit të David Hume, ku mendimet ngjajnë sikur vijnë nga askund e pastaj shpërbëhen në hiç gjë. Ato lënë pas thjesht atë që mund të ngjajnë si silueta mendimesh në vallëzim.

Në këtë pikë, egoja nis të davaritet, për t’i lënë vend fazës së katërt dhe të fundit, asaj “sartriane” në të cilën, siç mendonte Jean-Paul Sartre pavarësisht se nuk shquhej për ndonjë afërsi pasionale ndaj vetëbukurisë fizike, mendja bjerret dhe kthehet në hiç, me mendimet që janë krejtësisht diçka jashtë vrapuesit. Paradoksalisht, është kjo mungesë e autoritetit të mendimeve mbi vrapuesin që e bëjnë atë të përfundojë cirkuitin a maratonën, pasi arrin ndjesinë se asgjë nuk mund ta ndalojë më. Është ai dhe natyra. Ai dhe shtegu. Ai, ajri dhe toka. Pikërisht kjo i shkakton kënaqësi.

Është ky proces filozofik që shpjegon atë përhumbje që ndjen gjithkush kur vrapon. Atë shkëputje klasike nga realiteti, ato çaste kur mendimet duket se janë zhdukur dhe e rëndësishme është të arrihet në fund, duke konkurruar me kufijtë që ndoshta i kishe vënë vetes një natë a një javë më parë.

Nëse palestrat e masivizuara në qendrat urbane përfaqësojnë një përpjekje artificiale për t’i ofruar njeriut mundësinë e skalitjes së trupit në kohë të shpejtë dhe brenda perimetrit të tij të jetesës së përditshme (pranë vendit të punës apo në lagjen ku banon), të stërmbushura me pasqyra dhe pajisje nën ajrin e kondicionuar, ato janë njëkohësisht dëshmia më e mirë e dyzimit të nevojës së njeriut për distancim dhe pamundësisë për t’u shkëputur nga makineritë që vjen si fatalitet në jetën e post-moderne.

Diçka që vrapimi e sfidon. Distanca e gjatë fizike e përshkruar është gjurma më e kristaltë. Frymëmarrja që kthehet në dihatje, e pastaj të duhet që me një disiplinë të hekurt ta rikthesh në ritmin e nevojshëm estetik por njëkohësisht edhe funksional për kryerjen e plotë të lëvizjeve motorike. Njerëzit e tjerë që kalojnë, disa që po bëjnë të njëjtën rrugëtim si ty por nuk e di nëse mund të jenë në fazën e Spinozës, të Dekartit, të Hume apo të Sartrit, mesazhet e heshtura që shkëmben me ta. Shenjat e pazëvendësueshme si goma e atleteve të ndotura nga dheu i kuq, apo bluza e djerësitur e përzierë me pluhurin e ambientit. Vrapimi është forma më vetjake e rezistencës për ruajtjen e natyrores.

*Passhkrim: Këto mendime më erdhën përgjatë rikthimit në shtëpi pas një vrapimi darkën e vonë të së enjtes, e që të mos i harroj, siç jo rrallë më ndodh, vendosa t’i shkruaj menjëherë. Por do ta publikoj të premten, në një orar më të përshtatshëm ku shanset për më shumë lexues janë më të mëdha.