Showbiz

A nisi me Chiara Ferragni-n fundi i epokës së influencereve?

A nisi me Chiara Ferragni-n fundi i epokës së influencereve?

Blogerja, ndër më të famshmet në botë, milanezja Chiara Ferragni, deri para një jave të kujtonte se sa me fat ishte një vajzë me sy të shkruar, që e nisi me foto në Instagram dhe përfundoi me një perandori si influencere. Një javë më vonë i është shembur para syve, burimi kryesor i të ardhurave të saj: imazhi.

Ferragni, thuhet se do të duhet të rindërtojë veten dhe çdo gjë nga e para. Aktualisht ajo është pronare e një vile në Lago di Como, një perlë shumëmilionëshe. Një apartamenti të madh, me kinema brenda, në Milano. Një linje të sajën veshjesh me xixa dhe make up dhe kontrata me markat më të shtrenjta si Dior, Louis Vuitton, etj. Chiara Ferragni, vitin që shkoi prezantoi Sanremon, një nga skenat më të vështira për t'u ngjitur. Por ajo prezantonte suksesin e kohës dhe kishte ndjekësit që Sanremo nuk i kishte. Një postim i blogeres me Amadeus, bëri shikime më shumë se monologu i Benigni-t.

Në një kohë normale kjo do dukej e pamundur, por në kohërat (a)normale të internetit dhe influencereve, kjo është gjëja më normale.

Nuk dihet çfarë do të bëjë Ferragni për të ringritur veten, por me siguri një rrugë do ta gjejë. Por e sigurt është që do të jetë një rrugë tjetër.

Në kushtet kur ajo ka shitur kekun e famshëm të Krishtlindjeve me një skemë mashtrimi, në emër të bamirësisë dhe duke përfituar nga miliona ndjekës të blogeres, të cilët siç ndodh me të gjithë, blejnë çdo gjë që ajo iu thotë, shanset që “followersat” të zgjohen nga mpirja janë shtuar.

Reagimi në rrjet duket i ashpër. Mediat shkruajnë dhe kanë nisur analizat sidomos për pyetjen: si ka mundësi që vajza anonime, ndikojnë në shoqëri të tillë? Si ka mundësi që dikush që paguhet për të të thënë 'ha këtë salçiçe, bli këtë kek', dikush që nuk e njeh fare, por të del në murin e Instagramit, i cili jo rastësisht në anglisht, ka termin 'Feed', ushqehu, - ka aftësinë magjike të të bëjë të blesh, konsumosh diçka nga dikush që nuk është as ekspert, as njeri i afërt që ti i beson, thjesht dikush që ti e adhuron dhe adhurimi yt është mjeti që ushqen një njeri, që kurrë nuk do të të thotë as faleminderit.

Influenceret kudo në botë, kanë goditur në shenjë dhe kanë bërë biznes e miliona me vetminë e konsumatorëve. Gabimet e njërës prej tyre, s'janë dëshmi që të tjerat ju gënjejnë apo mashtrojnë, por vlen të reflektosh, të paktën për të mos ndjekur e besuar verbërisht askënd.

A do të jetë rasti i Chiara Ferragni-t një moment për të reflektuar?

Ndoshta!