Akuzat për tradhti dhe çfarë ka pranuar deri tani Adam Levine

Adam Levine i Maroon 5 e pranoi dje se i kishte kaluar kufijtë teksa kishte folur me një modele në Instagram. Megjithatë ai e mohon të ketë tradhtuar gruan e tij shtatzënë.
“Jam treguar i dobët që fola dhe flirtova me dikë që s`është gruaja ime. Nuk kam pasur aferë seksuale, megjithatë e kalova kufirin në një periudhë të dhimbshme të jetës sime. Në disa raste u bë e papërshtatshme situata”, ka thënë Levine.

Mirëpo modelja Summer Stroh, 23 vjeç, që e ka zbuluar rastin në TikTok, pretendon se ka një lidhje 1-vjeçare me këngëtarin.
Levine thotë nga ana tjetër se do të përballojë skandalin bashkë me gruan Behati Prinsloo, ish-modele e Victoria's Secret. Ata janë martuar që prej 2014-ës dhe kanë dy vajza, 5 dhe 4 vjeç. Në fillim të këtij muaji konfirmuan se janë në pritje të fëmijës së tyre të tretë.

“Gruaja ime dhe familja janë gjithçka që më intereson në këtë botë. Të isha kaq naiv dhe budalla për të rrezikuar të vetmen gjë që ka vërtet rëndësi për mua, ishte gabimi më i madh që mund të bëja ndonjëherë. Nuk do ta bëj më kurrë. Unë marr përgjegjësinë e plotë. Ne do ta kalojmë këtë dhe do ta kalojmë së bashku”, tha Levine.
Stroh ka marrë më shumë se 15 milionë shikime në videon e saj ku tregon për lidhjen. Madje sipas saj, Levine i ka thënë se gruaja pret një djalë dhe se do ta quajnë Summer.

Ndërkohë, dy gra të tjera kanë postuar disa mesazhe flirtuese dhe pretendojnë se ia ka dërguar Adam Levine në Instagram. Në një prej tyre, Maryka i thotë: Po a nuk je i martuar dhe ai i përgjigjet: Është e komplikuar.