Showbiz

Alanis Morissette rrëfen përdhunimin që i ndodhi kur ishte 15 vjeç: Ja pse e them tani

Alanis Morissette rrëfen përdhunimin që i ndodhi kur ishte 15

Këngëtarja kanadeze 47 vjeç flet për herë të parë për traumën më të madhe të një gruaje, siç është përdhunimi në moshën 15-vjeçare nga disa burra. Morissette e ka rrëfyer historinë e saj për dokumentarin “Jagged” në HBO nën regjinë e Alison Klayman.

“Në moshën 15 -vjeçare u përdhunova nga disa burra. E them tani, se më parë askush nuk do më dëgjonte. M’u deshën vite terapi për të pranuar se kisha qenë viktimë. Unë gjithmonë thosha se ishte dhe faji im, por pastaj i thashë vetes ‘hej, ti ishe vetëm 15 vjeç”, thotë këngëtarja në dokumentar.

Alanis u paraprin atyre që do thonë: Përse tani?

“Më parë ua kisha besuar disa njerëzve këtë sekret, por fjalët e mia ranë në vesh të shurdhër. Shumë thonë 'pse ato gra pritën 30 vjet për ta thënë?'. Kurse unë them: “Ato nuk kanë pritur 30 vjet. Askush nuk i dëgjoi ato, ose më keq akoma u kërcënuan për veten ose familjen e tyre. Gratë nuk presin, është kultura jonë për të mos dëgjuar, ajo që i pengon të flasin”.

Dokumentari që tregon historinë e Morissette do të prezantohet në Festivalin e Filmit në Toronto. Nuk është hera e parë që këngëtarja flet për abuzime dhe ngacmime seksuale. Në një intervistë vitin e kaluar me Sunday Times, ajo tha:

"Pothuajse të gjitha gratë në botën e muzikës janë sulmuar, ngacmuar ose përdhunuar. Është një fenomen i gjithëpranishëm, më shumë në muzikë sesa në kinema. Nëse nuk do të kisha një ekip të tërë terapistësh gjithë jetën time, nuk mendoj se do të isha këtu”.