Showbiz

Arbana Osmani në një rrëfim për televizionin, Edin dhe fëmijët

Arbana Osmani në një rrëfim për televizionin, Edin dhe

Arbana Osmani ishte e ftuara në ZëmeMirënPodcast. Dalja e parë e prezantueses së famshme të Top Channel, tërhoqi vëmendjen e mediave në Shqipëri e Kosovë për shkak se ajo foli në vetë të parë për shumë pikëpyetje të muajve të fundit që rrethuan largimin e saj nga Big Brother Vip Albania.

Në intervistën për më shumë se një orë me Mira Kazhanin, Arbana Osmani u shfaq si ndoshta asnjëherë në një rrëfim edhe për jetën profesionale dhe atë personale.

Për Edin, shpirtin e saj binjak me të cilin ndan një ditëlindje…

Arbana Osmani në një rrëfim për televizionin, Edin dhe

“Edi është një njeri shumë i veçantë. Është një njeri që ka një lloj intuite, jo vetëm për mua, po ndaj të gjithë njerëzve që nuk e ka askush për të kuptuar personalitetin, karakterin e njerëzve. Në fillim më bënte shumë përshtypje. Thoja, po ky si më njeh mua ky. Tregonte gjëra për mua që unë nuk i dija për veten time. Mërzitesha. Si më njeh ky mua kaq mirë?

Ndodh edhe që ne të ndajmë të njëjtën ditëlindje. Jo të shenjë, të njëjtën ditëlindje. 7 maj jemi të dy. Imagjino çfarë tmerri është që ti paraprakisht jeton me një alterego tënden. Jemi të dy shumë të ngjashëm në karaktere, jashtëzakonisht shumë. I bëjmë shumë gjëra njësoj. Mendojmë shumë gjëra njësoj dhe as ka nevojë ndonjëherë t`i tregojmë njëri-tjetrit se çfarë po mendojmë, sepse ne e dimë se çfarë po mendojmë. Nuk e kam fjalën tani që kemi disa vite bashkë. Që në fillim ka qenë kështu. Edi në jetën time ka sjellë një lloj guximi dhe shprese që unë mund të bëj më shumë. Është motivuesi im më i madh. Është njeriu që më mbështet më tepër dhe që më jep forca sa herë që unë jam në dyshim për gjëra nëse mund t`i bëj apo jo. Për Edin duket sikur unë mund të bëj gjithçka. Ti ia del. Ti e bën. Po është edhe ai që të frenon në kohën e duhur, kur ndoshta nuk janë vendimet edhe zgjedhjet e duhura. Është një mik shumë i mirë. Ne jemi “best friends”, thotë Dielli. Jemi miq shumë të mirë. Na pëlqen shumë të rrimë me njëri-tjetrin”.

Si është Joni në karakter, po Dielli dhe kujt i ngjan Zoi, imazhin e të cilës ende nuk e ka zbuluar në rrjete sociale? Po mëmësia çfarë ka ndryshuar tek Arbana?

Për mëmësinë…

“Të qenit mami është dhurata më e madhe që mua më ka bërë ndonjëherë Zoti (preket). Ka pasur një moment në jetën time që unë mendoja se ndoshta nuk do të kisha fëmijë. Zoti më dha tre. Jam shumë, shumë e lumtur dhe falenderuese për këtë gjë. Është një nga falenderimet që unë i bëj Zotit çdo mëngjes dhe çdo darkë, fëmijët e mi. Më pëlqen shumë të rri me ta. Më japin shumë kënaqësi. A janë të lodhshëm? Patjetër. Shumë, ndonjëherë. Ja mbrëmë për shembull, Zoi është çuar rreth 20 herë gjatë natës. Thashë: Shumë bukur. Mami nuk del në televizor prej një viti. Nesër më në fund ka një intervistë që duhet të duket mirë dhe le të rrimë gjithë natën pa gjumë. Dhe isha shumë me nerva rreth orës 5 të mëngjesit. Pastaj këto kalojnë.

Mëmësia është një gjë që e kam dashur gjithmonë. Kur e do një gjë shumë dhe ajo realizohet, nuk mund të mos jesh falenderuese, mirënjohëse dhe e lumtur”.

Për Jonin, Diellin dhe Zoin…

Arbana Osmani në një rrëfim për televizionin, Edin dhe

“Joni është mirë (me mësimet). Nuk është shumë i përqëndruar dhe nuk e di nëse është një çështje brezi, telefonash, iPad, por është shumë smart. Është shumë i zgjuar, shumë i kapshëm. Ndoshta është brezi i tillë. Se nuk dua të jem si ato mamatë që flasin për fëmijët e tyre sikur kanë Elon Musk në shtëpi, po…”

“Dielli është i vogël po Dielli është një njeri për të cilin unë kam më pak frikë për të ardhmen, sesa Jonin. Se Joni është shumë emotiv dhe shumë i ndjeshëm. Ndërsa Diell është shumë racional dhe ka një virtyt që shpresoj ta ruajë dhe vetëm ta përmirësojë, që nuk e gënjen dot. Nuk e manipulon dot. Mua më shkatërron bashkë me të atin. Se është e vështirë mos të gënjesh dot një fëmijë, që hajde tani të shkojmë të hamë, sepse do vijë dikush. Qoftë ky gogoli. Jo, nuk e mashtron dot”.

“Zoi më duket që i ngjan mamasë së Edit, gjyshes, fizikisht. Ajo që uroj për të është që të rritet në një botë ku gratë i kanë shanset të barabarta me burrat dhe nuk e shikojnë asnjëherë veten inferiore, më të dobëta, më të pasigurta edhe më të pamundura se burrat”.

Arbana theu heshtjen për të gjithë dritëhijet që kishin mbuluar largimin e saj nga Big Brother Vip 3.

“Vija nga një periudhë shumë e ngjeshur dhe vendimi im për të vazhduar projekte, dëshira, qoftë edhe qëndrimi më shumë me fëmijët, ndjekja e pasioneve të mia, hapja e një sipërmarrje të re, bërja e gjërave ndryshe. Unë e kam bërë Big Brother për shumë shumë vite. Kam bërë programe të tjera për shumë vite. E kuptoj që publiku është i lidhur me mua shumë në figurën e Big Brother, aq më tepër gjatë këtyre dy viteve të fundit, ku Big Brother ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm. Po ashtu unë e di që publiku mësohet edhe me një figurë tjetër. Iki unë, vjen dikush tjetër. Asnjëherë s`e kam menduar që është një herezi e madhe të lësh një projekt, sepse po lë të tjerët në baltë”.

“Një program si Big Brother të kërkon 24 orë në 24. Unë do kisha qenë më rehat po të isha mbyllur tek shtëpia e Big Brother sesa duke qenë “head of content” nga jashtë. Ke shumë përgjegjësi. Përgjegjësi ndaj konkurrentëve, përgjegjësi ndaj familjarëve, ke përgjegjësi ndaj drejtuesve të televizionit dhe shifrave të audiencës që duhet t`i mbash gjithë kohën lart. Ke përgjegjësi ndaj stafit që qëndron aty bashkë me ty dhe nuk bën absolutisht asgjë tjetër. Ato 5 muaj, flas të paktën për stafin e ngushtë, ne që punonim shumë, ti nuk jeton. Unë nuk kam jetuar 5 muaj Big Brother. Përveçse për Big Brother. Unë edhe kur isha me fëmijët e mi, nuk isha me fëmijët e mi. Telefoni im gjatë natës nuk ka qenë kurrë silent.”

Arbana foli edhe për planet që ka për të ardhmen. E theksoi disa herë gjatë intervistës me Mira Kazhanin se thjesht kishte pasur nevojë për një pushim. Dhe se ky është një pushim i përkohshëm. Ajo ka plan të kthehet në televizion. E bëri të qartë se televizioni është gjëja që do më shumë. Këtu madje rrëfeu një bisedë me Jonin duke e dëshmuar qartë dashurinë e saj për TV.

“Patjetër që do të më shikoni në shtator në televizion. Televizioni vazhdon të mbetet një nga kënaqësitë më të mëdha që unë kam në jetë dhe patjetër. Sapo të gjej këto ekuilibrat e mi për të cilat folëm, unë do të rikthehem në televizion për publikun, por edhe sepse është diçka që dua ta bëj”.

“Mua më ka thënë Joni në një moment: “Mami, të lutem mos e bëj më këtë Big Brother. Bëj ndonjë program tjetër…” Nuk ka qenë kjo arsyeja pse unë nuk bëra Big Brother-in, sepse nuk dua që të jem kurrsesi aq e nënshtruar qoftë edhe ndaj kërkesës së djalit tim për të mos ndjekur karrierën, ëndrrat dhe punën time. Mendoj se është shumë e rëndësishme për mua si grua që të jem shumë e lumtur. Po ka qenë një nga gjërat që më ka ardhur keq. Se ata kanë shumë nevojë për ne tani.”

Një nga mesazhet e fuqishme që Arbana dha në podcastin ZëmeMirën ishte rrëfimi i saj për ndihmën e madhe që psikologia i kishte dhënë për të menaxhuar momente të vështira të jetës.

“Jeta nuk është e lehtë. Ka shumë sfida. Ka shumë përballje. Ku ka më mirë se të kesh dikë me të cilin ti të mund të flasësh me veten. Se bashkëbisedimi me psikologun në fakt në thelb është një bashkëbisedim me veten. Ti flet me veten. Kur unë vendosa për herë të parë të shkoj tek psikologu, e mora këtë vendim pa pyetur askënd. Nuk e di se pse thjesht e ndava me time më dhe thjesht i thashë, unë do shkoj nesër tek psikologu. Dhe mamaja ime, e cila do më thotë pse me telendis gjithë kohës nëpër intervista, por këtë dua ta them për të treguar diçka tjetër. Jo se ajo nuk është një nënë e mirë, përkundrazi. Më tha: Tek psikologu? Pse do shkosh tek psikologu ti më mam? Ti ke mamin. Ne i flasim vetë. Ne jemi shoqe. Tregoja mamit gjithë gjërat. I thashë: Po jo se ndoshta mund të kem gjëra që nuk i diskutoj dot me ty. Po si, gjërat e tua do t`ia thuash një njeriu të huaj? Të dalin gjithandej tani, t`i marrë vesh gjithë Tirana gjërat e tua. Kjo ishte e dyta. I thashë: Për momentin, ajo sesi unë ndihem është shumë më e rëndësishme nëse i merr vesh Tirana apo jo. Unë kam nevojë. Pastaj natyrisht që bëri paqe me këtë gjë. Iu desh pak kohë. Akoma më tepër duke e parë pastaj sesi muaj pas muaji unë po ndihesha më mirë dhe po rekuperohesha. Stigma e shëndetit mendor që është në Shqipëri, duhet të ndryshojë patjetër. Vajtja tek psikologu, tek psikiatri, duhet të jetë normë, jo nevojë, në momente kyçe. Unë e di që kushton. Edhe nuk është e lehtë. Po nuk është se vështirësia është tek përballja me një njeri të huaj që do t`i thuash gjërat e tua. Vështirësia është tek përballja me veten tënde. Sa gati je ti për të folur me veten dhe për t`u shëruar. Se vajtja tek psikologu është dëshirë për t`u shëruar. Përgjithësisht njerëzit kur janë në momente të vështira nuk duan të shërohen.”