Në një rrëfim për Tiranapost foli për herë të parë Bora, vajza e Xhevdet Ferit. Ajo tregoi se pengu i tij më i madh ishte tërheqja nga politika.
“Gjëja që kishte më shumë pishman ishte tërheqja nga politika. Ajo ishte, nëqoftëse mund ta quaj pishman. Ngaqë ai ishte burrë me kuptimin e plotë të fjalës, kishte një përgjegjësi shumë të theksuar. I dilte gjithmonë për zot vendimeve që kishte marrë. Po këtë e di që e kishte pishman”, tha Bora.
Po pse u tërhoq?
“Ka qenë periudha e tillë. Ka qenë ’97-ta. Xhoda kishte edhe këtë aftësi që i polarizonte shumë njerëzit. Ata që e donin, e donin shumë, pa kushte. Ndërsa ata që e kishin zili e luftonin maksimalisht. Xhoda ka pasur disa linçime publike. E kanë hequr nga puna me ceremoni shumë të madhe, në periudhën e reformës për teatrin. Prandaj thashë që kur hyj në sallën e teatrit kam një stepje, sepse unë kam parë shumë. Nuk kam parë vetëm shfaqje teatrore në sallat edhe në skenat e teatrit. Janë bërë debate publike. E kishte gjithë komunitetin e aktorëve kundër. I thoshin Xetës: “Pse e ke sjellë Borën këtu se këtë do ta nxjerrin me pranga. Se ky është i kapur nga mafia e ndërtimit që do të na prishë neve teatrin”, rrëfen Bora për Tiranapost.
Bora shton se edhe sot, pas 20 vitesh gjërat kanë ecur ngadalë në lidhje me reformën për teatrin, siç ajo thotë: “Ndoshta tani do shohë dritën”.
“Gjërat avancojnë shumë avash prandaj mërzitej Xhoda. Kështu që e kanë linçuar shumë herë publikisht. Janë përpjekur që ta vrasin, ta dërrmojnë, t`ia demistifikojnë figurën, por që ai është ngritur. E kishte këtë forcë brenda vetes. Ka qenë edhe shumë i ri. Ka qenë pa bërë 40 vjeç atëherë”.