Showbiz

Gent Hazizi: Nuk mund ta quaj Ermalin kineast se ka montuar ca video

Gent Hazizi: Nuk mund ta quaj Ermalin kineast se ka montuar ca video

Aktori Gent Hazizi në një intervistë për “Ditë e Re” foli rreth prodhimeve të fundit kinematografike shqiptare përfshirë edhe ato të Ermal Mamaqit.

“Në qoftë se Ermali është i suksesshëm, bravo i qoftë Ermalit. Kjo nuk do të thotë që filmat e tjerë janë më pak të suksesshëm. Pse Gjergji nuk bënte lekë me filmin dhe Ermali bën lekë, unë nuk mendoj që Ermali është i suksesshëm dhe Gjergji është i pasuksesshëm, kështu që nuk i vë dot në kandar këto gjëra. Unë ia them publikisht, mund t’ia them edhe personalisht. E mira është të mos fillojë të quhet kineast. Unë s’mund ta quaj kineast, unë quaj kineast Gjergj Xhuvanin, Fatmir Koçin, Bujar Alimanin. Të thuash që jam kineast është njëçik shumë ose është guxim i madh të thuash kam bërë film. Kur monton disa gjëra nuk do të thotë se ke bërë film, se edhe unë mund të dal të filmoj disa gjëra dhe të them kam bërë edhe unë film”, u shpreh Gent Hazizi.

Disa muaj më parë, edhe Alfred Trebicka ndau opinionin e tij mbi filmat komedi të Ermal Mamaqit.

“Është një proces i cili kërkon formimin profesional të këtij profili. Nuk është aq e thjeshtë të bëhet skenar. Është një virus për të cilën duhet të vaksinohemi shumë shpejt. Kam parë statuse nga njerëz që kanë qenë pjesë e produksioneve të cilët kanë trumbetuar se kjo është e ardhmja e kinematografisë shqiptare. Të gjitha këto publiku i merr si të mirëqena. Reagimi im ka ardhur si rrjedhojë e këtij terreni. Kujt po i vendosim tagrin e kineastit”, tha Trebicka në shkurt në emisionin “Provokacia”.