Kënga e Fifit postohet në profilin e Ramës, Flor Mumajesi u përgjigjet komenteve në profilin e tij

Disa pamje të Valbonës së mbuluar nga bora, shoqëruar në sfond me këngën “Diell” të Fifit, postuar në Instagramin e kryeministrit Rama, kanë nxitur disa komente në adresë të Flori Mumajesit.
Fiks kështu siç e lexuat. Lidhja shpjegohet më poshtë.
Kënga “Diell” u shkruajt nga Fifi gjatë kohës që ndodhej brenda “Big Brother”. Muzika u krijua brenda, vetëm me zhurmën e duarve, po nga ajo.
“Diellin e kom hup me to edhe veten
Fjalët s’mi pranon mo as kjo letër
Mos me ni mo ftohtë nga jashtë
Mos me ni mo ftohtë nga jashtë”, thuhet në refren.
E meqë kënga për dashurinë, përmend mungesën e diellit, mbase është parë si e përshtatshme për këtë post dëbore. Për më tepër që është kthyer në hit, që kur Fifi ishte ende brenda shtëpisë.
Mirëpo, disa komentues kanë shpërthyer në Instagramin e Flori Mumajesit, duke përzierë punët politike me ato të artit. Pse tek Flori? Sepse Fifi është pjesë e grupit Three Dots dhe produksioni i këngës mban emrin e Brunos.
Për këtë arsye, Flor Mumajesi e ka rishpërndarë në profilin e tij postimin e kryeministrit dhe shkruan: “Bllok e ka kush fillon e shpërthen në komente pa lidhje në profilin tim! Besoj do e kem mirëkuptimin tuaj. Këtu nuk jemi në forume politike të asnjë partie dhe të asnjë programi televiziv. Shijoni pamjen dhe sigurisht këngën”.