Mendimi që i shkoi ndër mend Belen Rodriguez-it kur hajdutët i hynë në shtëpi vite më parë, tregon sa vlen jeta

Belen Rodriguez është sot një nga figurat më të dashura në Itali, por rruga nuk ka qenë e shtruar për të.
Në një intervistë për “7”, Belen foli për fëmijërinë e saj të vështirë gjatë krizës ekonomike në Argjentinë dhe arsyet që e shtynë të emigronte për të ndryshuar jetën e saj.
Gjithçka nisi në vitin 1989…
“Me ardhjen e Menem (president) në pushtet, vendi ynë ra në një krizë të thellë ekonomike. Njerëzit nuk kishin më asnjë mundësi të paguanin kreditë e shtëpisë, makinës. Nuk kishte më ushqim. Edhe ne, nga një ditë në tjetrën, humbëm shtëpinë pa marrë dot asgjë: as divanet, as krevatët, madje as pjatat e peshqirët.
Në këto kushte, hajdutët hynë nëpër markete, nëpër shtëpi. Ata vodhën. Vranë”, tregoi Belen.
Një histori e trishtë i ndodhi edhe asaj dhe ishte ky episodi që e bindi të ndiqte ëndrrën e një jete të re, në Itali.
“Një ditë ata (hajdutët) erdhën tek ne. Tetë prej tyre ishin të armatosur dhe të droguar. Unë isha në oborr në ato momente. Ata më kapën për flokësh, më tërhoqën brenda. Na vunë armët në kokë. Na vodhën gjithçka: nga filxhanët e kafesë, te pirunët. Nga televizori, te çarçafët. Rrobat, këpucët, të brendshmet, edhe albumin tim të fotografive, si modele. Pastaj më thërritën në banjë. Vetëm mua. Mendova: Nëse nuk më vrasin, gjithçka tjetër do të jetë ok. Do mund t`i harroj të tjerat. Ata donin të dinin vetëm numrin e llogarisë bankare të babait tim. Asgjë tjetër. Pas tetë orësh u larguan me të gjitha gjërat tona, por na lanë të jetonim”, tregoi Belen.
Pikërisht pas këtij momenti ajo vendosi të lëvizte, të shpërngulej. Mbërriti në Riçione me një kontratë modelimi.
Megjithatë vështirësi e ndoqën. Nuk ishte e lehtë.
Kishin ardhur nga jashtë 8 vajza. Pa lejeqëndrimi. Pa ditur ç`të thoshin nëse i arrestonin. Dhe mbi të gjitha kur arritën në Itali zbuluan se nuk do të ishin modele, por balerina në klube nate.
“Ne që kishim imagjinuar pasarela, e gjetëm veten nëpër klube për të kërcyer në tub”, thotë Belen.
Iu deshën shumë kohë të depërtonte në TV dhe të jetë ajo që është sot.