Showbiz

Noizy i së dielës së Tiranës

Noizy i së dielës së Tiranës

Ndërsa një kanter i madh ndërtimi është ngritur prej ditësh në sheshin “Nënë Tereza”, ku po merr formë pak e nga pak një skenë gjigande, më e madhja që ka parë Tirana ndonjëherë, ai po shkon çdo ditë në studio, për të bërë prova të gjata me bandën live, e cila do ta shoqërojë në koncertin e tij të 14 Gushtit. Mesa duket do të këndojë live dhe do të shfaqet si kurrë ndonjëherë më parë para fansave të tij. Kështu e kishte paralajmëruar që në ditët e para kur nisi të flasë për këtë koncert: “Do të jetë koncerti im i jetës, do të jetë sikur po ndodhë vetëm një herë në jetë, do të ketë shumë surpriza e artistë, do të ketë përmasat e një koncerti gjigand sepse fansat e mi “old schools” e “new schools” që më kanë ndjekur me besnikëri në 16 vitet e karrierës sime artistike e meritojnë këtë eksperiencë fantastike që s’kanë mundur ta provojnë dot kurrë më parë në Shqipëri”.


E kemi fjalën për Noizyn, apo Rigelsin, djalin që është kthyer tashmë në fenomenin e muzikës hip- hop e rap, djalin që duket i vëngërt, por që di të shkruajë poezi edhe nga ato më të ndjerat, për dashurinë e çështjet delikate sociale që prekin shoqërinë shqiptare e kryesisht të rinjtë. E kemi fjalën për artistin që ka marrë përsipër të organizojë bashkë me studion Kuadr.com, “Alpha Show”-n në Tiranë, për të sjellë në Tiranë atë që ka mungur deri me sot, një festival të vërtetë të muzikës hip- hop, për të sjellë jo vetëm krijimtarinë e tij të 16 viteve por dhe artistët më të mirë të trojeve shqiptare e europës. Emrat kanë ditë që janë shpallur publikisht, ndaj s’është më nevoja t’i rendisim këtu.


Në këto ditë të gjithë po flasin për koncertin e Noizyt, për koncertin e 14 Gushtit. Në këto dy ditët e fundit, të para koncertit të gjithë pyesin për biletat që mesa duket në një pjesë të mirë të platformës janë sold out (shitur). Gjithçka që po përflitet në rrugë e media, po krijojnë zhurmën më interesante të këtij kryeqyteti, derisa Noizy vetë të shfaqet në skenën e madhe e të shenjojë kështu Noizy-n e së dielës së madhe të Tiranës.