Showbiz

Numrat nuk kanë rëndësi. Sot do të këndoja edhe për 15 veta

Numrat nuk kanë rëndësi. Sot do të këndoja edhe

Një nga momentet më prekëse, por edhe frymëzuese të natës së dytë të Sanremos ishte monologu i muzikantit Giovanni Allevi.

Pas betejës me një sëmundje të rëndë ai foli për koncertin e fundit, për mënyrën sesi e ka përballuar deri tani dhe për atë që do të vijë. Doli në skenë me jë kapuç të cilin më pas e hoqi për t`i lejuar thinjat që të dukeshin, për të mos i fshehur ato.

“Papritmas gjithçka m`u shemb. Kam gati dy vjet që nuk luaj në piano para publikut. Në koncertin tim të fundit, në Konzerthaus në Vjenë, dhimbja në shpinë ishte aq e madhe sa që gjatë duartrokitjes së fundit nuk munda as të ngrihesha nga stoli. Dhe ende nuk e dija se isha i sëmurë. Më vonë mora vesh diagnozën, shumë e rëndë.

Mbaja sytë në tavan dhe kisha gjatë gjithë kohës ndjesinë e temperaturës 39, për një vit radhazi. Humba shumë… punën, flokët, sigurinë, por jo shpresën dhe dëshirën për të ëndërruar. Më dukej sikur sëmundja më ofroi, bashkë me dhimbjen, dhurata të papritura. Çfarë? Po ju jap një shembull.…

Jo shumë kohë më parë, para se të ndodhte e gjithë kjo, gjatë një koncerti në një teatër të mbushur plot me njerëz, vura re një vend bosh. Si një karrige bosh?! M`u duk sikur më ra të fikët! Sot, pas sëmundjes nuk e di çfarë do kisha dhënë të mund të jepja koncert edhe para një publiku prej 15 vetash.

Numrat... ato nuk kanë rëndësi! Duket paradoksale thënë nga këtu. Se çdo individ, secili prej nesh, secili prej jush, është unik, i papërsëritshëm dhe i pafund në mënyrën e vet.

Një tjetër dhuratë! Mirënjohja ndaj bukurisë së Krijimit. Lindjet dhe perëndimet e diellit që admiroja nga ato dhoma spitali nuk mund të numërohen. Një dhuratë tjetër? Mirënjohja për talentin e mjekëve, infermierëve dhe gjithë stafit të spitalit. Për kërkimet shkencore, pa të cilat nuk do të isha këtu duke folur me ju. Mirënjohja për dashurinë, forcën, shembullin që marr nga pacientët e tjerë, luftëtarët, siç i quaj unë. Po kështu janë familjarët e tyre, po ashtu edhe prindërit e luftëtarëve të vegjël.

Kur gjithçka të shembet nën këmbë dhe vetëm thelbësorja qëndron në këmbë, gjykimi që marrim nga jashtë nuk ka më rëndësi. Unë jam ky që jam, ne jemi ajo që jemi. Dhe siç thotë Kanti në fund të “Critica della Ragion Pratica”, qielli me yje mund të vazhdojë të rrotullohet në orbitat e tij të përsosura, unë mund të zhytem në një gjendje ndryshimi të vazhdueshëm dhe megjithatë ndjej se ka diçka tek mua që ka mbetur! Dhe është e arsyeshme të mendosh se do të mbetet përgjithmonë aty. Unë jam ky që jam. Dua ta besoj nga fillimi në fund këtë. Nëse kjo është vërtet kështu, atëherë çfarë rëndësie ka një gjykim nga jashtë? Dua të pranoj Giovanni-n e ri. Siç thashë edhe në atë koncert të fundit në Vjenë, duke mos qenë në gjendje të mbështetesha më në trupin tim, do të luaj me gjithë shpirt. Kënga quhet “Nesër”, se nesër do të na presë përgjithmonë një ditë më e bukur!”, tha Giovanni që ngriti sallën në këmbë.