Xhaxhai im Ceni, këpucari që ia ka dalë pa harruar të buzëqeshë
Arbana Osmani bën reklama e mbështet biznese prej vitesh në Instagramin e saj, por ky postim është personal për xhaxhain e saj Cenin, që prej 30 vjetësh me këpucarinë e tij ka ndërtuar jo vetëm një vilë 4 katëshe, por ka bërë edhe investime të tjera.
“Ky është Ceni. Xhaxhai im. Ka mbi 30 vjet në këtë ambient të vogël pranë ‘Komunës së Parisit’ dhe shumë prej njerëzve që më takojnë nga afër më njohin edhe si ‘mbesa e këpucarit’. Vetëm me këtë punë që e ka zhvilluar me përkushtim ka arritur të rrisë e të shkollojë 3 fëmijë të shkëlqyer, të ndërtojë një vilë 4 katëshe dhe të bëjë edhe ndërtime të tjera për t’i lëshuar me qera. Tek këpucaria e Cenit e sheh që riparon njësoj edhe këpucën e një klienti që kushton 15 euro edhe këpucën e dikujt që kushton 1000 euro. Dhe ka gjithmonë buzëqeshje, humor të mirë dhe energjinë e një njeriu mirënjohës ndaj jetës”, shkruan Arbana.