Zgjedhja e modeles Bianca Balti për të hequr gjinjtë dhe vezoret që të parandalojë prekjen nga kanceri
Pas diagnostikimit të predispozicionit gjenetik ndaj kancerit ovarian, modelja Bianca Balti mori vendimin të heqë vezoret dhe gjinjtë.
Një histori që nuk është e padëgjuar më parë. Edhe Angelina Jolie bëri të njëjtën gjë. Nëna e saj vdiq nga kanceri dhe pas të njëjtës analizë ku rezultoi me predispozicion të lartë për t`u prekur nga e njëjta sëmundje, Jolie hoqi gjoksin.
Modelja Bianca Balti e tregoi historinë e saj në Instagram.
“Ideja për të kaluar në menopauzë në moshën 38-vjeçare nuk është joshëse. Kështu që doja ta bëja duke u siguruar që të mos pendohesha në të ardhmen”, tha Balti.
Balti tregon se i ka ngrirë vezët e saj në mënyrë që të sjellë në jetë fëmijë, nëse do të dëshirojë, në të ardhmen.
Edhe pse ideja e një shtatzënie, për momentin, duket se nuk është në planet e saj, Bianca Balti nuk dëshiron të përjashtojë mundësinë që të bëhet nënë.
“Ajo që ka rëndësi është të mbash derën hapur. Është terapeutike dhe po më ndihmon në këtë tranzicion. E di që jo të gjithë mund ta përballojnë ekonomikisht dhe se jam e privilegjuar”, tha Balti.
Modelja nuk e fshehu se ishte trembur nga operacioni, por tha se gjeti guximin ta përballojë atë. Vjeshta që po vjen është periudha kur do të bëjë ndërhyrjet.
“Nënshtrimi i një operacioni të madh si mastektomia e dyfishtë ose histerektomia kur gjinjtë dhe vezoret janë të shëndetshme është një zgjedhje e komplikuar dhe personale. Nuk mund dhe nuk duhet të gjykohet askush. Unë e admiroj guximin e grave që e kanë bërë atë para meje dhe falë dëshmive të atyre që më kanë shkruar javën e fundit, edhe unë kam gjetur forcën që nuk e mendoja se e kisha”, thotë Bianca.