Lexo Enver Robellin

Shtëpi, shampanjë dhe shamatë

Meqë në viset tona shqiptare s’po hapen fabrika, së paku të gëzohemi që po ndërtohen shtëpi (politikanësh). Me para të kujt po ndërtohen? Mos u bëni smirëzi. Pyetje të tilla nuk shtrohen në parajsën shqiptare.
Shtëpi, shampanjë dhe shamatë

Nga Enver Robelli/ Qenka bërë me shtëpi edhe kryetari i Kosovës. Është mirë që viti llon me këtë lajm të gëzueshëm – për popullin dhe për presidentin. Kur presidenti është i lumtur, edhe popullit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të gëzohet, të duartrokit, të shastiset nga ky sihariq, nga kjo myzhde e madhe.

Me para të kujt është ndërtuar kjo shtëpi? Si është nancuar? A ka ndonjë dokument për transparencën nanciare të ndërtimit të kësaj ngrehine? Mos u bëni smirëzi. Pyetje të tilla në parajsën shqiptare nuk shtrohen. Shtëpi, shampanjë dhe shamatë. Kjo është motoja me të cilën po e nisim vitin 2019. Ndoshta është sall një vegim, një përhitje. Ndoshta shtëpia e presidentit as që ekziston.

Ndoshta «Zonja e Parë» sot nuk është parë në oborrin e shtëpisë në periferi të Prishtinës, mund të ketë qenë ndonjë dytëshore, një kipce, që i mashtroi gazetarët për të përgatitur një kronikë të cilën presidenti do ta diskualikojë me fjalët epokale: «Shpifje, shpifje, shpifje» ose «rrenë, rrenë, rrenë».

Shtëpi, shampanjë dhe shamatë. U bënë 20 vjet qëkur mediat e Kosovës raportojnë për shtëpitë gjigante të politikanëve, veturat e tyre të shtrenjta, pushtimet e tyre që nuk dihet kush ua paguan (nga St. Moritzi i Zvicrës deri te Baden-Baden të Gjermanisë), udhëtimet private të maskuara si zyrtare. I pastrehë nuk është as kryeministri i Kosovës. Me vite të tëra një shtëpi e tij në Dragodan qëndronte si objekt jashtëtokësor mbi Prishtinë. Ndërkohë e ka dhënë me qira. Mjekë turq janë futur aty dhe shërojnë miletin shqiptar në Republikën postosmane të Kosovës.

Tash kryeministri adresën e re e ka në një lagje në periferi të Prishtinës, atje ku ajri është më i mirë. Transparencë nanciare mos kërkoni as në këtë rast. Çlirimtarëve nuk u kërkohet llogari për asgjë. Kurrë. Por, llogari nuk duhet t’i kërkohet as politikanëve të Tiranës për vilat e tyre të mëdha. Kryeministri i Shqipërisë ka ndërtuar diku në periferi të Tiranës një vilë – hajde të themi – futuriste.

Një bunker modern. Kjo nuk është fare problem, sepse shijet arkitektonike janë të ndryshme. Problem është kur politikanët sapo të marrin pushtetin gjënë e parë që ndërtojnë janë shtëpitë e tyre. Por, vërtet nuk duhet të bëhemi smirëzi. Meqë në viset tona shqiptare s’po hapen fabrika, së paku të gëzohemi që po ndërtohen shtëpi (politikanësh).

Mijëra shqiptarë ndërkohë kanë gjetur strehë e shtëpi në botën perëndimore – si refugjatë ekonomikë. Në kulmin e krizës së refugjatëve nga Siria, në verën e vitit 2015, vendin e dytë të azilkërkuesve në Gjermani e zinin – shqiptarët nga Shqipëria. Më parë mbi 100 mijë shqiptarë ikën në Gjermani – të shtyrë nga trakantët e njerëzve në Kosovë e Serbi. Dikush u pasurua nga ky eksod. E dikush ndërton shtëpi. Vend i lumtur. Shoqëri të lumtura. Një komb i lumtur. Jemi një!