25 Rreshtat e Mirës

Si foli Kosova

Si foli Kosova

Kam ndjekur shumë palë zgjedhje, që nga viti 2005 e deri më sot, por gjithmonë, ku më shumë e ku më pak, kemi parë të njëjtin film: KZAZ peng, kuti peng, komisionerë peng, Shqipëri peng!

Në një palë zgjedhje numërimi zgjati aq ditë, sa natën e fundit kam raportuar për televizionin ku punoja, me një bluzë gjumi, që për dreq kish edhe tre qenushë. Tmerr! 10 ditë numërim në terren, për të mos harruar vijimin e numërimit në KQZ, që përveç shumë historish, ka nxjerrë edhe një kryetar bashkie.

Të dielën e 6 tetorit 2019, Kosova do mbahet mend jo vetëm për votën, e cila tregoi se kosovarët u ngritën kundër një klase të vjetër, jo vetëm për shuplakën e nxehtë ndaj figurave të luftës që gjyqin më të fortë e gjetën me qytetarët e lënduar nga zhgënjimet dhe pritja e gjatë, nga varfëria, nga boshimi i jetës, nga korrupsioni, nga fjalimet nacionaliste që nuk pinë më ujë!

Kosovarët nuk janë të prapambetur që i gënjen me rrahje kraharori për atdhe e për flamur dhe nga ana tjetër vendin e zhyt në vuajtje.

Kosova sot është një faqe që shndrrin, jo vetëm pse gati votuan për kryeministre një grua, as që më në fund zgjodhën Albinin e protestave dhe ëndrrës, por edhe sesi u garua dhe numërua. Shpejt, saktë, me pranim nga humbësi!

Kosova, pa u mohuar meritën dhe atyre që ndëshkoi me votë, tregoi reflektim në garën e këtyre zgjedhjeve: disa parti (jo vetëm dy), disa ide, disa orë vetëm për të numëruar dhe jo disa ditë, javë!

Kosova, me këto zgjedhje, tregoi inteligjencë, shpirt e gjallëri. Një Kosovë e rritur, e matur, që s’gënjehet e as rehatohet në luksin e oportunizmit apo pesimizmit: s’bëhet më ky vend!

As marrëveshjet, as paratë, as statuset kush je ti e kush jam unë, as diplomat, as dëftesat, as edhe kjo reforma në drejtësi nuk ka peshën e shpirtit të gjallë të shoqërisë. Qytetari inteligjent dhe jo dixhital është gjykatësi! Elitat kanë faj dhe jo populli. Zgjedhjet fitohen dhe numërohen pa nevojën e të fortëve. Pa oligarkët dhe pa televizione të sponsorizuar. Shqipëria, 100 vjet shtet, ka nevojë sot dëshpërimisht të shkojë në pikën zero. T’ia nisim nga e para, sepse sot lipset nevoja për ndryshimin e këtij sistemi. Duhet një ajër i ri, i freskët, një Vjosë, një Albin. Zgjedhjet në Kosovë na futën në mendime, por mbi të gjitha erdhën si pasqyrë ku po shohim vetveten, pse jo edhe dritën apo ditën që paralajmëron e nesërmja, në xhamin e së cilës nuk rezervohet asnjë vend për protagonistët e sotëm opozitarë, për fat të keq!/Tiranapost.al

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]