Sa nje kafe nga Iva

Si të jashtmet

Si të jashtmet

Na ndodh shpesh të shohim dikë në rrugë dhe direkt të themi: “është i jashtëm”.

Se ç‘ka një gjë që i dallon të huajt në krahasim me ne. Dikur ishin si më të pastër dhe spikasnin që tej. Por tashmë edhe ne lahemi çdo ditë (jo të gjithë, por gjithsesi nuk lahemi të gjithë vetëm të shtunave), por prapë s’dukemi si të jashtëm. Ose dikur ata visheshin me rroba të jashtme. Tani ashtu vishemi edhe ne, sepse rroba vendi edhe të duam s’ka më. Por hiç: dallojmë që tej që jemi mall vendi.

Ndoshta mënyra sesi ecim. Sesi rrimë. Domethënë ajo gjendja e parehatit, e të shikuarit vërdallë sikur marrim miratimin e të tjerëve nëse dukemi bukur apo jo. Pastaj ajo krekosja kur e dimë që jemi bukur.

Sidomos kur jemi mbi taka. Aaaaa po. Takat. Ato na dallojnë. Në dimër e në verë. Të larta, të hekurta. Me majë. Shpeshherë platformë përpara. Shumicën e rasteve me taka që u dalin hekurat dhe kërcasin: krrap, krrap krrap. Ose njëra këmbë kërcet dhe tjetra jo, sepse do dhe ca ditë që goma të bjerë plotësisht. Ose dhe pak të shtrembëta nga ecja me këmbën nga brenda. Një palë taka të tilla nuk të bëjnë kurrsesi të dukesh si e jashtme. Sidomos nëse janë pjesa e poshtme e një palë çizmeve të bardha.

Pastaj janë xhinset: të puthitura pas këmbës. Që duken sikur janë pikturuar mbi këmbë. Shpeshherë shoqërojnë këpucët e mësipërme. Kurse sipër vishen me bluza po të ngjitura pas trupit. Me dekolte të thellë. Ose kanotiere.

Pastaj vijnë aksesorët. I kemi shumë merak këto të shkreta aksesorë. Të kombinuara deri në detaj: çantë, këpucë, varëse, shall, byrzylyk, vathë dhe rreth në kokë, të gjitha të kuqe përshembull. E ç‘rëndësi ka nëse janë të kuqe të ndryshme!? Ajo, që i kombinon, ka merak t’i ketë të gjitha të së njëjtës ngjyrë. Dhe nuk del kurrë nga shtëpia pa e vendosur gjithë këtë arsenal rraqesh në trup. Uuuu po, edhe orën. Harruam orën e dorës, është gjithmonë në njërën dorë, kurse byrzylyku në tjetrën. Shpesherë të së njëjtës ngjyrë, e që kombinojnë për bukuri me ngjyrën e xhelit të thonjve, që zakoni i kërkon të jenë të gjata, me majë dhe me gurë e xhixha sipër… Manjaket e kombinimit duan që ngjyra e xhelit të thonjve të jetë e njëjtë me të kuqin e buzëve. Dhe meqë jemi tek i kuqi i buzëve, edhe ky nuk na lë fare të dukemi si të jashtme. Jo se nuk është i jashtëm, por ja që në buzët e shqiptareve spikat, por në buzët e të jashtmeve nuk bie fare në sy… Po pse ndodh kjo? Ndoshta se ato nuk e vënë të kuq të errët ose kaf dhe me laps anash kur hipin në autobusin e unazës? (mos ja futa kot këtu, a ka jashtë shtetit autobus unaze?!). Ose ndoshta atyre nuk u bie në sy, sepse nuk e vendosin pasi kanë vënë një gisht krempudër paradite, pastaj të kuq faqesh, laps të zi tek sytë, dritëhije, rimel apo dhe qerpikë falsë... Ndoshta për një të jashtme ky është tualeti që bëhet kur shkon në dasëm (në një dasëm që isha në Itali kaq nuk ishte lyer as nusja, por nejse, rrezik në atë krahinë nuk para merrnin vesh nga këto punë), por për ne, kështu mund të shkosh edhe për ecje te liqeni. Sepse kur shkojmë në dasma apo në sebepe, në ndryshim nga të jashtmit, ne nuk mjaftohemi me kaq, ne transformohemi. Përshembull nëse gjithë jetën je bionde, kur bëhesh nuse flokët i lyen të kuqe karrotë. Kurse nuse apo dasmore qofsh, nëse je brune bëhesh bionde. Po të jesh kaçurrelse, kur shkon nëpër sebepe flokët i drejton, pastaj i kap në majë të kokës me një model të tipit Helena e Trojës. Kurse nëse je flokëdrejtë, ca kaçurrela janë ‘must’. Sepse qëllimi është vetëm një: të ndryshosh. Të mos njihesh. Të jesh tjetër. Se ku është qejfi i gjithë kësaj, askush nuk e di. Rëndësi ka që shoqet e të njohurit të të vlerësojnë sa ke ndryshuar. Se në fund të fundit edhe ato si puna jote janë, nuk janë të jashtme.