SPORT

Skënderbeu humbet në sekondën e fundit kundër Young Boys

Në sekondat e fundit është mundur ekipi i vetëm shqiptar në Europa League, Skënderbeu pasi zviceranët e Young Boys e kanë ndëshkuar në minutën e 95’, ndërkohë që arbitri kishte akorduar vetëm 4 minuta shtesë.

Megjithatë, të besuarit e Ilir Dajës po ashtu si dhe në përballjen në “Elbasan Arena” e kanë parë në sy kundërshtarin dhe kanë arritur të krijojnë shumë mundësi në portën kundërshtare që mund t’i kishin dhënë dhe avantazhin. Ka qenë kosovari Enis Gavazaj ai që ka hapur tiparin e golave në minutën e 51’, por avantazhi ka zgjatur shumë pak minuta pasi në të 55’ Horau barazoi shifrat. Minutat në vazhdim janë karakterizuar nga një këmbëngulje e Skënderbeut për të dalë në avantazh me pasime të gjata dhe sforco të mëdha drejt sulmit.

Pikërisht kur dukej sikur gjithçka do të mbyllej me barazim, Young Boys me anë të një goditjeje të Assales prej topit të ardhur nga goditje këndi ka gjuajtur në cepin e poshtëm të portës atje ku gardiani veteran Orges Shehi e kishte të pamundur që ta arrinte.

Ndonëse ekipi i Skënderbeut nuk ka arritur të kualifikohet për në fazën tjetër të kompeticionit ka bërë një performancë tejet të admirueshme duke marrë 2 barazime, 1 fitore dhe 2 humbje duke shënuar plot 6 gola kundër kundështarëve me traditë shumë më të madhe në Europë dhe financa shumëfish më të mëdha. Skënderbeu është padyshim krenaria e futbollit shqiptar dhe lakmia e çdo ekipi tjetër për të arritur në standardet e tij. K.H/ tiranapost.al