170 maturanët ekselentë të Tiranës vlerësohen me Çertifikatën e Mirënjohjes
170 maturanët ekselentë të Tiranës, të cilët shkëlqyen edhe në provimet e Maturës Shtetërore, u nderuan sot në një ceremoni të vecantë të organizuar te Piramida me Çertifikatën e Mirënjohjes. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili së bashku me ministren e Arsimit Evis Kushi u shpërndanë këto çertifikata nxënësve ekselentë të Tiranës i falenderoi të rinjtë të cilëve u tha se janë sot kurora e krenarisë së kryeqytetit tonë.
“Sot më kujtohet një fjalë e famshme e Lincolnit që thoshte: “Unë bëj më të mirën që jam dhe bëj më të mirën që mundem dhe do vazhdoj ta bëj këtë sa të jetë jeta”. Dhe nëse secili bën më të mirën që është dhe më të mirën që mundet, edhe shoqëria do të bëhet me mirë. Ndaj dhe sot për 170 qytetarë të Tiranës që kanë bërë më të mirën që janë dhe më të mirët që munden dhe ajo që janë dhe ajo që munden i bëri të jenë me dhjeta meritojnë gjithë respektin dhe sot janë VIP-at e vërtetë të Tiranës,” tha Veliaj.
Kryebashiaku tha se nxënësit ekselentë do të vijojnë të mbështeten nga Bashkia me bursa studimi.
Ndërsa ministrja Kushi u kërkoi maturantëve të regjistrohen në degët e shpallura prioritet kombëtar nga qeveria shqiptare.
“Ju kërkoj që të vlerësoni programet prioritare, programe që ne i kemi shpallur prioritet kombëtar dhe që të gjithë ata të rinj dhe të reja që studiojnë në këto programe kanë të drejtën që të aplikojnë për bursa studimi sa paga minimale. Është një mbështetje edhe për ju, që të studioni me tarifa zero. Po dhe të merrni pagë minimale mbështetje për ju dhe për familjet tuaja,” tha Kushi.