Sociale

A duhet të ndalohet aborti? SHBA ndez debatin e madh që mund të kthejë botën 50 vite pas

A duhet të ndalohet aborti? SHBA ndez debatin e madh që mund të

Projektvendimi që rikthen Amerikën 50 vite prapa, për ndalimin e abortit ka ngjallur një valë të gjerë reagimesh e protestash në Shtetet e Bashkuara dhe jo vetëm, pasi vendimi nëse do të merrej mund të ketë efekt zinxhir edhe në shumë vende të tjera të botës.

Presidenti amerikan Joe Biden kritikoi sërish opinion paraprak të Gjykatës së Lartë që lë të kuptohet se shumica e gjyqatarëve konservatorë do të votojnë për të ndaluar abortin, duke shfuqizuar kështu vendimin historik të vitit 1973 që e legalizonte atë.

Presidenti Joe Biden i cili është zotuar të mbrojë të drejtën për abort e quajti radikal atë duke paralajmëruar se një vendim i mundshëm i Gjykatës së Lartë do të dëmtonte edhe liritë e tjera që gëzojnë amerikanët.

“Më shqetëson shumë që ne do të vendosim pas 50 vitesh që një grua nuk ka të drejtë të zgjedhë. Kjo do të thoshte se çdo vendim tjetër që lidhet me idenë e privatësisë, mund të vihet në pikëpyetje”, tha Biden.

Sipas dokumentit që u publikua fillimisht nga portali “Politico” dhe që është konfirmuar nga kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts, shumica e anëtarëve të gjykatës janë gati ta rrëzojnë vendimin historik të marrë në vitin 1973 për çështjen “Roe kundër Wade”, që legalizoi abortin në mbarë Shtetet e Bashkuara.

Opinioni publik në Amerikë është i ndarë nëse duhet të rrëzohet ligji apo të mbetet në fuqi si një e drejtë universale e gruas. Avokatët thonë se qasja në kujdesin shëndetësor riprodhues, përfshirë abortin, është çelësi për pjesëmarrjen e plotë të grave në shoqëri. Nëse vendimi i marrë 50 vite më parë për të lejuar abortin rrëzohet, më shumë se 36 milionë gra mund të preken.

“Ky vendim do të prekë më shumë gratë e varfra. Gratë që kanë burime financiare do të gjejnë një mënyrë për të hipur në një avion për të shkuar diku tjetër për të bërë abortin. Por gratë e varfra do të mbajnë peshën kryesore të kësaj mizorie”, thotë Laura Meyers nga organizata “Prindërimi i Planifikuar”, në kryeqytetin amerikan.

“Nëse do të mund të abortosh apo jo, do të varet tërësisht nga vendi ku jetoni. Ne vlerësojmë se në kohën kur ky vendim të hyjë në fuqi, afërsisht 26 deri në 28 shtete do të përgatiten për të ndaluar abortin pothuajse menjëherë”, thotë Jessica Waters, profesore në Universitetin Amerikan.

“Nuk duhet të ketë asgjë në Kushtetutë që duhet të lejojë vrasjen e fëmijëve të palindur ose të lindur”, thotë Caroline Smith, e cila mbështet ndalimin e abortit.

“Nëse e drejta për abort përmbyset, unë mendoj se shumë gra do të vdesin”, thotë Sophia Ëolf, e cila mbështet të drejtën e abortit.

Megjithatë, anketat e opinionit publik tregojnë se shumica e amerikanëve mbështesin faktin që abortet të jenë të ligjshme.

Aborti ka qenë një pikë e nxehtë mes demokratëve dhe republikanëve në Shtetet e Bashkuara për dekada. Demokratët kanë prirjen të mbështesin të drejtat e abortit. Republikanët kanë prirjen të jenë në kundërshtim.

Ish-Presidenti Donald Trump shtoi tre anëtarë të gjykatës që rritën shumicën konservatore të kësaj gjykate në shifrat 6-3.

Ndërsa tani debati është më i fortë, edhe sa i përket rrjedhjes së informacionit nga Gjykata e Lartë amerikane, që njihet për ruajtjen e konfidencialitetit. Kjo derisa portali “Politiko” publikoi materialet e një opinioni të shkruar për një prej çështjeve më të rëndësishme, abortin, vendimi për të cilin pritet të dalë pas disa muajsh.

Megjithëse ka patur raste të rralla kur ka rrjedhur informacion për vendimet, publikimi i një projektvendimi prej gati 100 faqesh është i paprecedentë. Me të dalë lajmi, gjatë orëve të natës, pati protesta përpara godinës së Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara.

Kryetari i Gjykatës së Lartë John Roberts e konfirmoi ekzistencën e dokumentit, duke e quajtur rrjedhjen e tij një akt të shëmtuar të shkeljes së besimit. Në dokument thuhet se opinioni i gjykatës u paraqit nga Gjykatësi Samuel Alito dhe se iu shpërnda anëtarëve të tjerë të Gjykatës së Lartë në muajin shkurt. Gjykatësi Alito është pjesë e shumicës prej gjashtë gjykatësish konservatorë.