Sociale

Berati, qyteti me zemrën më të dobët

Berati, qyteti me zemrën më të dobët

Në të gjithë vendin, në 2019-n kishte 4.1 vdekje për 1000 banorë, për sëmundjen e aparatit të qarkullimit të gjakut, me një rritje të lehtë në raport me 4, që ishte ky tregues një vit më parë.

Sipas qarqeve, qyteti me vdekjet më të larta nga zemra dhe tensioni, në raport me popullsinë është Berati, me 5.3 vdekje për 1000 banorë, me rritje në raport me vitin e mëparshëm (shih grafikun).

Në vend të dytë ka kaluar Shkodra, e cila ka shënuar një rritje të lartë të humbjeve të jetës nga zemra dhe tensioni në 2019-n (+8%), me 77 jetë të humbura më shumë, duke u ngjitur në 5.3 vdekje për 1000 banorë, nga 4.8% që ishte ky tregues vitin e mëparshëm.

Më pas renditen Korça e Gjirokastra (5.1 secili), Vlora (4.9), Dibra (4.4).

Zemrën më të fortë e kanë tiranasit (3.5 vdekje për 1000 banorë), durrsakët (po 3.5) dhe elbasanllinjtë (3.4).

Ka evidenca në rritje se shëndeti dhe mirëqenia nuk janë të lidhura vetëm me performancën e sistemit shëndetësor. Ka faktorë të tjerë socialë të lidhur me të ardhurat, arsimimin, strehimin dhe mjedisin që kanë ndikim të fortë në shëndet dhe mirëqenie që kërkojnë përqasje të integruar dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë sektorët e qeverisë, si dhe aktorëve të tjerë në shoqëri.

Arsimi është një tjetër përcaktor i rëndësishëm shoqëror për shëndetin. Korrelacioni midis arsimit dhe varfërisë është i zhdrejtë: sa më të arsimuar, aq më pak të varfër janë njerëzit dhe anasjelltas. Formimi, arsimimi e shprehitë profesionale, si dhe arsimimi universitar shërbejnë si nxitës për të hyrë në tregun e punës, për të dalë nga varfëria dhe për të rritur përfshirjen sociale, dhe në afatgjatë kontribuojnë në përmirësimin e shëndetit, veçanërisht duke ulur vdekshmërinë neonatale dhe atë amtare.

*Burimi Monitor