Sociale

Braktisja e shkollës nga vajzat bëhet shqetësuese, 10% e tyre nuk ndjekin arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm

Braktisja e shkollës nga vajzat bëhet shqetësuese, 10% e tyre nuk

Braktisja e arsimit pas pandemisë është përkeqësuar ndjeshëm në vendin tonë, por ky fenomen po bëhet shqetësues te femrat.

Gjatë vitit 2022, rreth 10% e vajzave në moshë shkollore nuk e ndjekin arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar. Në vitin 2014, ky tregues ishte më pak se 2%.

INSTAT raportoi se, niveli i pjesëmarrjes bruto në arsimin e detyrueshëm është 96,9% për djemtë dhe 90,4% për vajzat. Edhe pjesëmarrja në nivelin e mesëm të studimeve është më e lartë për djemtë se për vajzat, përkatësisht 95,7% dhe 90,2%, ndërsa në nivelin universitar, raporti përmbyset, ku pjesëmarrja është më e lartë për vajzat, me 74,7% krahasimisht me djemtë me 51,5%.

Pjesëmarrja sipas gjinisë në ciklet arsimore tregon për ekzistencën e diferencave gjinore në nivelet e ndryshme të arsimit. Ka një raport më të lartë të djemve krahasuar me vajzat në arsimin parauniversitar, ndërkohë që në arsimin e lartë 58,7 % e studentëve të këtij cikli janë vajza.

Një kthim pas i treguesit që përfaqëson braktisjen e shkollës lajmëron një perspektivë jo të mirë për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

UNICEF vlerëson se braktisja e shkollës në Shqipëri ka si shkak varfërinë e skajshme, nivelin e ulët të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me komunitetin, dukuritë negative brenda shoqërisë, lëvizjet e popullatës, migrimet etj.

Ndikim në braktisjen e shkollës ka niveli arsimor i prindërve të fëmijëve, lëvizjet demografike gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, emigracioni individual e familjar, prindërit e shkurorëzuar, dhuna në familje (dhuna në çift dhe ajo ndaj fëmijëve nga një prind apo nga të dy prindërit), humbja e njërit prej prindërve apo e të dyve, mentaliteti i prindërve për arsimimin e vajzave, ngujimi për shkak të gjakmarrjes apo hakmarrjes etj.

Artikull i Monitor