Brenda vitit, procedura e riprodhimit invitro do të bëhet falas në shtet
Për herë të parë, Shqipëria do të mundësojë realizimin e procedurës së riprodhimit invitro falas. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, teksa inspektoi punimet që po kryhen në Maternitetin “Koço Gliozheni”, tha se kjo do të realizohet brenda këtij viti në Maternitetin “Koço Gliozheni”.
“Puna nuk po ndalet dhe për Qendrën e Riprodhimit të Asistuar, ku brenda këtij viti, ashtu sikurse kishim premtuar, do të fillojmë këtë procedurë të re. Ne jemi duke punuar për investimin sa i përket infrastrukturës, e më tej, pajisjet bio-mjekësore dhe të gjithë paketën e barnave të cilat janë të nevojshme, për të filluar riprodhimin e asistuar për herë të parë në spitalet publike. Jemi duke punuar për përgatitjen e stafit dhe për fuqizimin e kapaciteteve në këtë drejtim, në mënyrë që të kemi dhe një ekip të mirë-trajnuar, i cili do të vazhdojë edhe edukimin në vazhdim përsa i përket këtyre procedurave, të cilat, për herë të pare, do të realizohen në spitalin publik, pikërisht në Maternitetin ‘Koço Gliozheni’,”- tha Ministrja Manastirliu.