Sociale

Kryeministri me maturantët e Sami Frashërit: Unë para jush jam me diplomë bojaxhiu

Kryeministri me maturantët e Sami Frashërit: Unë para jush jam me

Sot, në mjediset e gjimnazit të rikonstruktuar “Sami Frashëri” u organizua ceremonia e diplomimit të maturantëve të parë që patën fatin të zhvillojnë procesin përgatitor të provimeve të maturës në shkollën e re.

Ky gjimnaz i cili do të hapë dyert për nxënësit në muajin shtator, ka një kapacitet prej 1500 nxënësish, me 50 klasa, ku secila është e projektuar për 30 nxënës në klasë.

Kryeministri Rama, i cili mori pjesë në këtë ceremoni, përshëndeti maturantët në ditën e tyre më të lumtur, duke iu uruar suksese në rrugën e bukur dhe sfiduese të dijes.

“Më vjen keq që ju tani po ikni, ndërkohë që shkolla e re do hapet në shtator, por janë disa shkolla, pak shkolla, ndër të cilat është dhe Sami Frashëri, që nuk janë thjesht shkolla, por vëllazëri që vazhdon me vite dhe dekada. Kështu që, unë nuk e kam pasur fatin të jem as të Samiu, as të “Petro Nini”, as të “Ismail Qemali”. Unë i përkas kategorisë së dytë, kam qenë tek Liceu Artistik, por e përmbaj zilinë për ju. E përmbaj zilinë për ju sepse kështu është kjo jetë, nuk e kanë të gjithë fatin që kanë ata që të shkojnë tek Samiu dhe që shkojnë tek disa shkolla që janë kulte. Po ashtu, besoj që këtu në këtë sallë, unë, bashkë me ju maturantët, nga gjithë këta të rriturit, unë jam i vetmi që nuk kam as doktoraturë, as master. Kam një diplomë “bojaxhiu”, por ajo që është e rëndësishme është që ju kurrë të mos dorëzoheni për të realizuar cdo ëndërr që e shikoni me sy hapur. Nga ëndrrat me sy mbyllur bëni kujdes, por ëndrrat me sy hapur besojini dhe shkojini deri në fund. Kjo botë është e atyre që nuk dorëzohen. Kjo botë është e atyre që me guxim dhe durim shkojnë drejt realizimit të ëndrrave të tyre dhe unë i uroj ng zemra të gjithave dhe të gjithëve ju që të realizoni ëndrrat tuaja," tha Rama.