Sociale

Dobia e papërsosmërisë

Dobia e papërsosmërisë

Nga Oliver Burkeman/ Ka njerëz që zhyten me kokë në projekte të reja për të përmirësuar jetën e vet – duke hequr qafe gjëra të panevojshme, duke lyer sërish muret e shtëpisë, duke u regjistruar në palestër – të vendosur të mos i bëjnë gjërat përgjysmë. Unë jam një nga këta.

Kur javën që kaloi zbulova “Notion”, programin e ri tejet interesantpër të rritur produktivitetin, instinkti im i parë ishte të transferoja në brendësi të gjithë jetën time dixhitale, dhe kur instalova një sistem vendosje mbeturinash në shtëpi muajin e kaluar, mu desh t’i rezistoja tundimit për të shpenzuar një pasuri për diçka që, në fund të fundit, është vetëm një grumbull mbeturinash në një cep të kopshtit.

Eshtë e thjeshtë të racionalizohet ky qëndrim duke e përkufizuar si “dëshira për t’i bërë gjërat siç duhet”. Por në realitet ajo që duam është t’i bëjmë në mënyrë të përsosur, dhe rezultati është që nuk i fillojmë kurrë, ose i fillojmë por pastaj ndjehemi në faj, sepse nuk arrijmë kurrë përsosmërinë që do të donim.

Standarte të paarritshme

Kohët e fundit, më ndodh shpesh të shoh njerëz që bien në grackën e “gjithçka ose asgjë”, edhe sa u përket kauzave soviale. Ndoshta me izolimin, ata filluan të kuptojnë rëndësinë e komunitetit, prandaj betohen se kurrë më nuk do ta lejojnë punën që t’i largojë nga detyrimi për të qenë fqinjë të mirë. Ose dhuna e policisë i shtyn ata të shkruajnë në Tuiter se janë anti-racistë, dhe betohen se tash e tutje do të përqendrohen në luftimin e padrejtësive racore.

Këto janë ndjenja të admirueshme, por edhe në këtë rast hyn në lojë perfeksionizmi: është e vështirë të vazhdojmë angazhimin tonë për të bërë me të vërtetë ndryshim, nëse standardi ynë i suksesit, është modifikimi total i mënyrës se si e harxhojmë kohën dhe energjinë tonë .

Për të përshtatur një analogji të filozofit austriak Otto Neurath, ne jemi si marinarë në një anije që është larguar nga porti kohë më parë, dhe tani ka nevojë për riparime urgjente. Ne do të donim të ishim në gjendje të ktheheshim në port dhe ta rregullonim në mënyrë të përsosur – në rastin tonë, të organizojmë jetën ashtu siç dëshirojmë – dhe pastaj të niseshim përsëri.

T’i rezistosh tundimit

Në vend të kësaj, jemi të detyruar ta rregullojmë me aq sa mundemi, në gjysmë të rrugës ku ndodhemi. Domethënë, të afrohemi gradualisht për t’u bërë njerëzit që duam të jemi. Kam shumë punë për të kaluar një muaj duke rikrijuar sistemin ideal të produktivitetit. Dhe imagjinoj që, edhe ju, keni shumë përgjegjësi që nuk mund t’i shmangni, për t’iu dedikuar tërësisht luftës kundër padrejtësive.

Një ndryshim i dobishëm i perspektivës, është që të mësojmë të durojmë t’i bëjmë gjërat në mënyrë të papërsosur, duke e konsideruar këtë një projekt përmirësimi në vetvete. Nga ky këndvështrim, cilësia që dallon aktivistin e suksesshëm, është pikërisht aftësia e tij për t’i rezistuar tundimit për të kërkuar nga vetja perfeksionin, dhe për ta konsideruar çdo rezultat të vogël të preferueshëm, ndaj të vetmes alternativë, që është të mos bësh asgjë.

Në realitet, analogjia me anijen e Neurath është e vlefshme për të reflektuar mbi të gjithë çështjen, se si ta bëjmë këtë botën tonë një vend më të mirë. Siç thotë filozofi Christopher J. Lebron në librin e tij mbi problemet racore në SHBA, “Ngjyra e turpit tonë”: “Anija ka arritur të lundrojë, por nuk është në lartësinë e udhëtimit. Kemi material dhe kemi mësuar diçka mbi mënyrën si funksionon një anije. Nuk mund ta braktisim, sepse do të fundosemi të gjithë. Prandaj ta riparojmë përgjatë rrugës, ndonjëherë duke ia dalë më mirë dhe ndonjëherë më keq. Në fund të fundit, pak a shumë është pikërisht kjo që funksionon në një demokraci”. / The Guardian

*Marrë nga Bota.al