Mesazhi që la Vilma Dule në podcast për urdhëruesit dhe ekzekutorin e sulmit ndaj saj me acid
Pakkush mund të mbajë mend datën, periudhën, por historinë me siguri e kujtojnë të gjithë, sesi një vajzë e re, me ëndrra plot, energji dhe plane të mëdha u sulmua me acid teksa zbriste shkallët e pallatit në Tiranë, për të shkuar në punë. Mediat shkruajtën shumë në atë kohë. Jo gjithçka ishte e vërtetë.
11 vite më vonë, Vilma Dule rrëfehen në ZëmeMirën historinë e saj, përjetimet, sfidat e mëdha dhe luftën që arriti ta fitonte. A e di ajo se kush ia donte të keqen dhe çfarë do t`i thoshte sot nëse do e dëgjonin ata podcastin?
“Mua nuk më pëlqejnë titujt kriminelë apo viktimë, më pëlqejnë njerëzit, personat. Unë kam krijuar një shoqatë sot me të cilën ndihmoj, sensibilizoj kundër dhunës ndaj grave dhe sensibilizoj për një kulturë empatie që ne duhet të kemi me njëri-tjetrin, se empatia është një fill i kuq që na lidh. Empatia është unë të vendosem në vendin tënd, të kuptoj historinë tënde, të kem dhembshuri për ty. Unë nuk e shikoj atë djalë, që ishte jo më shumë se 25 vjeç, nuk e shikoj si kriminel. Ai ishte një viktimë, por aq sa unë isha viktimë në ato momente. Viktimë e një kulture dhune, ku ne i mësojmë të tjerëve që dhuna është zgjidhja. Ku ne e normalizojmë dhunën. Ku ne e fshehim dhunën poshtë tapetit. Më vjen keq. Unë dua thjesht t`i them që më vjen keq për ty. Se duhet të jetë shumë e dhimbshme nëqoftëse ai ka një shpirt, të dëgjosh ato ulërima që kam hedhur unë atë ditë. Ato janë si ato jehonat e sirenave që kush ka një ndërgjegje, të shurdhurojnë. Dua thjesht t`i them që unë jam mirë dhe mos të ketë merakun tim. Lutem thjesht që mos t`ia bëjë më askujt tjetër. Gjithmonë e kam pyetur veten. Po sa mund të ketë qenë i paguar? Për shembull, 500 euro, 600 euro. Sa vlen jeta ime? Sado që ta kenë paguar, nuk vlen ajo. Nuk të vlen mundimi, kur i thonë”, tha Vilma Dule.
Bisedën e plotë me të, rrëfimin frymëzues, e gjeni në YouTube