Çfarë parashikon marrëveshja e re për emigrantët që arritën vendet e Bashkimit Europian

Vendet e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje të rëndësishme për emigracionin dhe azilin.
Në bazë të marrëveshjes, vendet që nuk dëshirojnë të pranojnë emigrantë të parregullt që mbërrijnë në BE do të duhet të paguajnë 20 mijë euro për secilin aplikant të refuzuar.
Me një procedurë të përshpejtuar, maksimumi brenda 12 javësh ata që kërkojnë azil duhet të verifikohen dhe nëse nuk kanë argumenta bindëse për aplikimin e tyre, sepse vijnë nga një vend i sigurt, ata do të kthehen menjëherë.
Kjo prek ata që vijnë nga vende ndaj të cilave kuota e pranimit në nivel të BE-së është nën 12 për qind, ku përfshihet edhe Shqipëria.
“Kjo është një arritje e madhe, e madhe, që tregon se është e mundur të punojmë së bashku për migracionin. Ne jemi shumë më të fortë kur punojmë së bashku,” tha komisionerja për Punët e Brendshme, Ylva Johansson.
Vitin e kaluar, BE mori më shumë se 962,000 kërkesa për azil, shifra më e lartë që nga viti 2016.
Rregullat e miratuara tani nga Këshilli i Ministrave do të miratohen në Parlamentin Europian deri në fund të këtij viti.
Nëse procedura e mëtejshme ligjore do të kalojë pa pengesa duke u miratuar nga parlamentarët përpara pranverës së zgjedhjeve të BE-së në Qershor, atëherë rregullat hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm.