Sociale

Flet psikologia Denata Toçe: Pse po vetëvriten burrat me Covid dhe arsyeja pse duhen lejuar takimet me familjarët

Flet psikologia Denata Toçe: Pse po vetëvriten burrat me Covid dhe

Është vetëflijuar mesnatën e kaluar një 60-vjeçar, i katërti rast tek Shefqet Ndroqi dhe i pesti duke përfshirë edhe rastin tek Spitali Infektiv. Të gjithë burra! A ka një lidhje mes gjinisë dhe përballimit të rëndë të Covid-it veçanti dhe sëmundjeve në përgjithësi? Çfarë ndikon në rëndesën psikologjike të pacientëve dhe ç`duhet bërë për të shmangur aktin fatal? Tiranapost kontaktoi me psikologen Denata Toçe.

5 pacientë me Covid të vetëvrarë, të gjithë burra. A ka ndonjë lidhje mes gjinisë dhe përballimit të sëmundjes?

Nuk mund të dalim në përfundime. Fakt është që burrat janë më të prekur në numër, janë më shumë të shtruar, si pasojë edhe e vuajtjes më së shumti nga sëmundje bashkëshoqëruese (sipas statistikave në Shqipëri). Mund të lidhet me faktin se gratë edhe kur shtrohen në spital e kanë mendjen për t`u kthyer tek fëmijët. E kanë mendjen tek shtëpia, tek burri. Po nuk mund të themi që ka një lidhje patjetër mes vetëvrasjes nga Covidi dhe gjinisë.

Pastaj po të analizojmë në përgjithësi, meshkujt historikisht kanë qenë më vulnerabël. Po të shikojmë, edhe fëmijëve që u preket sistemi nervor, ata për shembull me çrregullime të spektrit autik janë më shumë djem, raporti është 1 në 4, pra në katër të prekur, një është vajzë dhe tre janë djem.

Po telefoni do ndihmonte?

Nuk besoj. Duhet kontakti i afërt me familjarët. Siç italiani krijoi ato dhomat me qese për t`u takuar njerëzit. Unë mendoj që të paktën një familjar duhet të lejohet të hyjë brenda. Të vishet mirë me veshjen mbrojtëse, por të shkojë për disa orë në ditë. Prania e familjarëve ndikon gjithmonë për mirë, në çdolloj sëmundjeje. Sidomos në këtë që është edhe më e panjohur. Të paktën një familjar për disa orë në ditë, do ndihmonte edhe personelin.

Çfarë duhet bërë?

Protokolli ynë është marrë nga bota. Mirëpo do përshtatur. Ne kemi një kulturë të tillë që kemi shumë frikë nga spitalet, nga shëndetësia. Jemi të painformuar për sa i përket marrjes së trajtimit spitalor, medikamenteve. Disa njerëz mendojnë se ekzaminimi vret. Plus asosacioni që bëhet në media, vdiq ky, ai. “Ishte vetëm 33 vjeç, s`kishte sëmundje bashkëshoqëruese”... Vetë Covidi jep një vulnerabilitet në sistemin nervor qëndror, edhe virozat e japin, jo vetëm Covidi. Krijojnë atë sindromën fetus që quhet. Pastaj edhe antiviralët dhe antibiotikët, përveç rëndesës psikologjike shkaktojnë konfuzion, ankth, depresion. Ndaj duhet ngritur urgjentisht një ekip multidisiplinar për të të përshtatur protokollin, për të shtuar (në varësi të pacientit) antipsikotikë. Duhen vendosur në organikë psikologë, punonjës sociale dhe madje nevojë për trajtim psikologjik ka edhe stafi mjekësor.

*Realizoi Fabjola Hije për Tiranapost.al. Ndalohet ribotimi i këtij lajmi pa lejen e editorit