Sociale

Hapet spitali i ri për sëmundjet e brendshme në QSUT

Hapet spitali i ri për sëmundjet e brendshme në QSUT

U inaugurua sot Spitali i ri Qendror në QSUT, një spital i ri për sëmundjet e brendshme në kompleksin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Me një vlerë prej rreth 17 milion euro, Spitali Qendror ka një kapacitet prej 345 shtretërish ku akomodohen 14 shërbime mjekësore spitalore të specializuara nga kardiologjia, nefrologjia, hematologjia, gastrohepatologjia, mjekësia interne, endokrinologjia, dermatologjia, rheumatologjia, alergologjia, urgjenca dhe imazheria.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se në këtë spital do të punojë një staf prej 612 bluzash të bardha.

“Krenare që përmbyllim një ndër veprat më të mëdha të tre dekadave të fundit në shëndetësi, Spitalin Qendror të QSUT. Nuk ka qenë aspak e lehtë. Eshtë dashur shumë mund dhe këmbëngulje. Me vizionin dhe mbështetjen e Kryeministrit Edi Rama ia dolëm të ngremë nga themelet një spital modern,” u shpreh ajo.

Kryeministri Rama tha se për të gjithë mjekët nga 1 Prilli paga do të jetë 500 dollarë plus.

“Ne kemi vendosur që të rrisim në mënyrë shumë agresive pagën për mjekët specialistë. Ky tani është një fakt i kryer dhe paga e muajit prill do të jetë 500 dollarë, siç tha ministrja, apo 50 mijë lekë plus dhe natyrisht nuk duam të ndalemi këtu, do të rrisim pagën e mjekëve të përgjithshëm dhe të infermierëve siç e kemi premtuar me 7% këtë vit dhe do të përgatitemi për një rritje tjetër të rëndësishme të pagës së tyre, por përsëri edhe kjo besojmë është e pamjaftueshme,” u shpreh ai.

Rama tha po ashtu se autonomia spitalore do të mundësojë që kush kontribuon më shumë dhe kush kryen një volum më të madh pune do të marrë edhe më shumë financiarisht.