Sociale

Herët a vonë të gjithë do të përballemi me vdekjen! A duhet neglizhuar ky fakt për të jetuar si duhet?

Herët a vonë të gjithë do të përballemi me

Paçka të gjithë zhvillimeve dhe mrekullive të shkencës mjekësore niveli i vdekshmërisë mbetet gjithmonë konstant... një për çdo person. Ngjarjet e pandemisë përgjatë kohëve të fundit na ka kujtuar se vdekja dhe sëmundja janë pjesë të pashmangshme të jetës tonë si njerëz. Por, ritmi i jetës moderne na bën që shpeshherë të jemi naivë dhe të harrojmë këtë fakt të thjeshtë. Ne investojmë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit tonë privat, por edhe shtetet të buxheteve të tyre publike për të zgjatur jetëgjatësinë me ndërhyrje kirurgjikale gjithnjë dhe më të detajuara, sidomos në vitet e fundit të jetës të gjithkujt. Një vështrim i ftohtë dhe pak cinik mund të na shpinte në konkluzionin se këto fonde të investuara për të shtyrë të pashmangshmen për pak muaj është një shpërdorim fondesh.

Megjithatë, në rast se vetë ne vuajmë nga një kancer, sëmundje zemre apo një nga dhjetëra sëmundjet e tjera vdekjeprurëse, harrojmë në moment këto konsiderata utilitariane dhe bëjmë gjithçka na lejojnë resurset tona për të përmirësuar gjendjen tonë apo qoftë edhe për të shtyrë të pashmangshmen një ditë të vetme. Pjesa dërrmuese e njerëzve çmojnë jetën më shumë se çdo komoditet apo e mirë tjetër në jetë. Por, është pikërisht në periudha të tilla që reflektojmë si kemi jetuar dhe urojmë që të mund të riktheheshim për të bërë dhe një herë gjërat, këtë herë ashtu si duhet.

Pendimet më të shpeshta nga ata që ndodhen afër fundit janë:

1. Uroj që të kisha kurajon të isha vetvetja dhe të mos bëja thjesht atë që të tjerët prisnin nga unë.

2. Uroj të mos i isha dedikuar kaq shumë punëve pa kuptim.

3. Uroj të kisha mbajtur më shumë kontakt dhe të kisha shpenzuar më shumë kohë me miqtë e mi.

4. Uroj të kisha kurajon të kisha shprehur ndjenjat më hapur.

5. Uroj të kisha lejuar veten të isha më i lumtur.

Nuk do të ishte më mirë sikur të mos prisnim momentin e vdekjes për të reflektuar mbi këto ide dhe të veprojmë sot, sikur të ishte e shkruar se do të vdesim nesër?

Marrëdhënia mes ndërgjegjes se do të vdesim dhe një jete përmbushëse është trajtuar gjërësisht nga filozofi gjerman Martin Heidegger i cili më pas frymëzoi Jean-Paul Sartre dhe mendimtarë të tjerë ekzistencialistë. Heidegger argumentoi se shumë njerëz e kalojnë jetën si pjesë e “turmës”, në vend që të jenë vetvetja. Mendimi filozofik i Heidegger na kujton se vetëm gjetja e qëllimit tonë dhe uria për një të vërtetë trashedentale brenda nesh na lejon të avancojmë dhe të jetojmë një jetë të plotë, shumë më të përmbushur sesa modeli që ofron shkenca.

Rëndësia që ideja e vdekjes ka për një jetë të plotë shpirtërore është e nënvizuar gjithashtu edhe në shumë mendimtarë të lindjes së largët. “Libri Tibetian i Vdekjes” është një nga tekstet qendrore të kësaj feje orientale dhe ka të bëjë pikërisht me rikthimin e idesë të së pashmangshmes si një kujtesë se duhet të jetojmë.

Vetë Buddha i kujtoi ndjekësit se është shumë e rëndësishme të kujtojmë se jemi kalimtarë dhe më shumë sesa ruajtja e vetvetes vlen të kontribosh në botë me mirësi dhe akte pozitive. “Gjithçka kalbet dhe dekompozohet! Ndërtoni shpëtimin tuaj me kujdes” këshillonte ai.

Nuk duhet pritur vdekja pra për të jetuar, por duhet mbajtur parasysh për të jetuar më mirë.

Tiranapost.al