Sociale

Isli Islami rrëfen dhunën në familje dhe thotë se ndarja ishte gjëja më e mirë për të dhe nënën e tij

Isli Islami rrëfen dhunën në familje dhe thotë se ndarja

Isli Islami ka rrëfyer mbrëmjen e djeshme në DWTS Albania vështirësitë që ka kaluar gjatë fëmijërisë së tij për shkak të dhunës së babait ndaj nënës, prej të cilës tha ai prindërit e tij u divorcuan.

Moderatori tha se ndarja në të tilla kushte është një shpëtim për familjen, ndërsa vlerësoi nënën e tij për gjithçka ka kapërcyer me dinjitet.

Në fund ai e mbylli rrëfimin e tij edhe me një mesazh: Falini edhe ata që ju shkaktojnë dhimbje!

Pjesë nga rrëfimi i tij:

Unë vij nga një familje me dy prindër të divorcuar edhe gjatë gjithë fëmijërisë time kam qenë dëshmitar i një dhune që ka qenë e vazhdueshme, dhunë fizike, psiokologjike, abuzim nga të gjitha format dhe divorci në familjen time ka qenë një nga gjërat më të mira që ka ndodhur.

Mamaja ime, - unë jam shumë i lidhur me të, - ka arritur të jetë heroina e të gjithë kësaj situate. E kam parë si ka shtrënguar dhëmbët përpara dhimbjes, poshtërimit, sikleteve, lëndimit, zhgënjimit! E kam parë që për shkak të dashurisë që kishte për ne gjithmonë e ka gjetur rrugën si të ngrejë kokë. Për këtë e admiroj shumë.

Ndoshta kam marrë me kalimin e viteve shumë cilësi që ajo ka dhe shpresoj që t’i kem dhe unë. Do jem prind ndoshta nesër, pasnesër dhe fëmijët e mi të shohin këtë gjë te unë, që, përpos vështirësive, gjithmonë të dalim me ballin lart e të themi, ok, kemi kaluar gjëra të këqija, po ja ku jemi më të fortë.

Falini njerëzit që ju kanë bërë gjëra të këqija! Falini njerëzit që ju kanë shkaktuar dhimbje, sepse mendoj se nuk ka gjë më të bukur e çlirim më të madh sesa të falësh e të bekosh personin që mund të ketë shkaktuar dhimbje.